Në mëngjes në tendën tonë erdhi eprori, Muharrem Sylejmani. Ai tregon se ka një defekt në radiolidhje dhe kërkon nga Fatmir Dugolli t`ia evitojë defektin. Muharremi po ashtu na tregon se forca të shumta të këmbësorisë armike me pesë kamionë janë vendosur në fshatin Kizharekë dhe mund të pritet ndonjë sulm i armikut në drejtim të popullatës civile. Mirëpo në të njëjtën kohë një njësit tankist është larguar nga Kizhareka në drejtim të Komaranit. Ishte një lajmi i keq sidomos për popullatën e zhvendosur e cila po ashtu i vëzhgon mjaft mirë lëvizjet e forcave serbe. Ka gjasa që njësiti tankist të jetë pozicionuar përballë grykës dhe majës së Pallanikut për të marrë paraprakisht sulm nga distanca, para se të fillojë depërtimin këmbësoria armike. Eprori Muherrem Sylejmani po ashtu shpreh besimin e tij të patundur se ushtarët tanë në pikat strategjike nuk do të lënë këmbë shkau të depërtojë në Grykë.
Luftime të ashpra po zhvillohen në lagjen e Kodralisë në Arllat dhe në tërë vijën e pozicioneve perëndimore deri në Tërpezë, ku është njëra ndër pikat më të forta dhe më strategjike e ushtarëve tanë sepse nga atje sulmohen forcat e armikut që pretendojnë të depërtojnë në Rrafshnaltë.
Luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në Lagjen e Bytyçve po në Arllat. Është edhe kjo një pikë tejet e fuqishme e rezistencës deri tani e pathyeshme, edhe pse ballë për ballë me forcat serbe.
Duke vëzhguar lëvizjet e forcave serbe, Mentor dhe Behxhet Hoti na kanë lajmëruar se te Ura e Komaranit mbi lumin Drenicë forcat policore kanë vendosur dhjetëra civilë. Ata sikur i kanë detyruar ta kamuflojnë urën, meqë forcat serbe frikësohen se mos po goditet edhe kjo urë sikur ajo që aeroplanët e NATO-s kanë goditur dje në Arllat. Pasi kemi konstatuar se lajmi është i vërtetë, në konsultim me Nezir Myrtajn dhe Nusret Pllanën kemi vendosur të lajmërojmë në Shtab, në mënyrë që ushtarakët tanë që mbajnë kontakte me oficerët e NATO-s, të lajmërohen se serbët qëllimisht kanë detyruar dhjetëra shqiptarë të qëndrojnë në urë, e cila në rast se goditet nga ajri do të pësojnë dhjetëra civilë të mbajtur peng nga serbët. Po ashtu kemi vërejtur se policët janë larguar nga ura në drejtim të lumit. Lajmin e kemi përcjellë përmes radiolidhjeve.
Shpërthime të fuqishme të projektilëve të NATO-s po dëgjohen në brezin kufitar. Fluturimet e aeroplanëve të NATO-s mbi zonën tonë janë spontane.
Në orët e pas ditës burimet e NATO-s kanë transmetuar informatën tonë lidhur me mbajtjen peng të civilëve shqiptarë nga forcat serbe mbi një urë afër Komaranit, me qëllim të komprometimit të sulmeve të NATO-s, sikurse kishte ndodhur kohë më parë në afërsi të Gjakovës.
Sot kanë ardhur në tendë Ismet Sopi dhe Isë Krasniqi. Ai shfaq pakënaqësi me trajtimin që i bëhet në Agjenci.
Ismetit i kam bërë me dije qëndrimin tim se kurdo që të kthehet në Radio është i mirëpritur dhe ne nga ana jonë ndaj tij nuk kemi asnjë rezervë.
Emisioni i sotëm ka zgjatur 40 minuta, si gjithnjë me informacione, shënime tematike, komente dhe muzikë patriotike.
Në mbrëmje Nusret Pllana, Valdet Hoti dhe Fatmir Dugolli kanë shkuar sërish në Agjenci për të kërkuar të ja japin telefonin satelitor.
Natën vonë agjencitë e huaja të lajmeve kanë bërë të ditur se ministri i Jashtëm rus është cituar të ketë deklaruar se nëse NATO-ja nuk i ndërpret bombardimet mbi caqet ushtarake dhe ekonomike mbi Jugosllavinë atëherë, nuk do të ketë më bisedime, vetëm sa për të biseduar.
Si duket kriza qeveritare në Rusi paralajmëron dridhje të reja në skenën politike dhe diplomatike ruse e ndoshta edhe në atë ndërkombëtare.