I nderuar Mirdon Fusha,
Të falënderoj shumë për letrën, e cila veç tjerash më solli në kujtesë disa çaste nga jeta në Burgun e Prishtinës. Atje mes tjerëve kam njohur edhe, Ismet Cakiqin, Muhamet Imerin që ishin me një aktakuzë me Afrim Fushën e Shefqet Cakiqin, të gjithë atdhetarë dhe militantë të dalluar të kërkesës, Kosova Republikë, të cilën e kishin afishuar edhe në veturën e milicisë. Muhameti këndonte bukur sidomos këngën, Moj Shqypni mos thuej, mbarova… dhe kur ia lëshonte zërin si në malet e vendlindjes, atëherë vinin gardianët…
Një ditë erdhi një gardian shqipfolës, kundër të cilit kishim bërë grave urie pasi e kishim dëgjuar, kur me zë të lartë iu kishte drejtuar kolegut të tij serb, njëfarë Miqa, një serb mizor, në një ditë vizite, me fjalët; Hej Miço, dogji dolje, da vidish, kakve ljepe piçke su doshle na posetu. Hej Miço eja poshtë në vizitë të shohësh çfarë….të bukur kanë ardhur në vizitë… Unë e Sejdi Sadiku kishim protestuar me mos-marrje ushqimit, dhe pak ma vonë na kishin ndërruar dhomat.
Sapo më pa, në dhomën ku më kishin vendosur, papritur sikur u zverdh pak dhe tha, këtu jeni n’ burg… por nuk e bëri të gjatë…
Në opinionin tuaj, keni spikatur me realizëm disa qëndrime e veprime të mia, të cilat janë me vend, por unë, të paktën kam bërë përpjekje të veproj sipas parimit të Budës, ‘Ngreh e mos këput’ dhe atë të Aristotelit, ‘Kërkoje mesin e artë.
Buda ka shkruar; ‘Jeta është si teli i instrumentit, po ta lësh shumë lirshëm nuk nxjerrë tinguj të artikuluar, po ta shtrëngosh fort, këputet’.
Ja edhe diçka tjetër sa u përket shqiptarëve dhe servilizmit historik ndaj të huajve…
Drenica e shekullit 20-të ka pasur edhe një mendimtar popullor, por pak të njohur, sikur ka qenë, Mulla Sherifi i Kizharekës. Mendime dhe thëniet i tij filozofike, i përballojnë kohës ashtu si thëniet e filozofëve të lindur, apo të maturuar. Njeriut të vet, në vendin tonë nuk ia dinë kimetin, të huajit e të përtejshmit, ia dinë dhe ia respektojnë vlerat, ka thënë mulla Sherifi.
Ky konstatim i tij, duket të ketë qenë, është dhe do të mbetet realiteti i nënshtrimit e vasalitetit faktik, metafizik, që ka mbretëruar dhe duket sikur gjithmonë do të mbretërojë te njerëzit tanë, kudo…
Ai për ta ilustruar këtë konstatim të vetin, ai ka sjellë në shembull individual…
-Kur shkoj në Gllogovc, njerëzia më përshëndesin dhe më thonë, ky është, Mulla Sherifi.
-Gjatë kthimit në Komaran, i dëgjoj ku prapa shpine më thonë, erdh ky Sherifi i Kizharekës.
-Kur kthehem në Kizharekë, dëgjoj të më thonë prapa shpine, erdh ky Sherifaqi.
Analogji
-Sefë Kosharën në Stamboll e quanin, gazi, Sefë Kosova.
-Në Kosovë e më gjerë e quanin, Sefë Kosharja.
-Në fshatin e tij, në Koshare, e quanin, Sefë Qorri, meqë njërin sy ia kishin verbuar forcat ruse, në Luftën e Plevnës në vitin 1877, duke e nxjerrë nga rrethimi, komandantin, Osman Pasha, i cili qysh atë ditë, Sefë Kosharen e kishte shpallur, gazi, veteran të përjetshëm.
Edhe njëherë të falënderoj për letrën, respektin që ke treguar dhe përvojën e perceptimet tuja, përgjithësisht realiste, si dhe bukurshkrimin që rrezaton korrektësi, dashuri ndaj alfabetit dhe begati të shprehjes artistike.
Me respekt
Ahmet Qeriqi