Bora që po bie pa ndërprerë i ka vështirësuar tjemase mundësitë e komunikimit. Në shumë drejtime janë ndërprerë lidhjet qarkulluese. Dje dhe sot nuk kanë qarkulluar as autobusët.
Bora si duket iu ka shkaktuar vështirësi edhe forcave serbe, edhe pse ata kanë mjete për hapjen e rrugëve.
Sot kemi pasur një takim të veçantë pune me Elezin, Sylën, Luanin, Ajvazin dhe Idriz Sahit Qeriqin i cili ka ardhur nga Prizreni. Përfundimisht kemi vendosur që çështjen e kompetencave të policisë ushtarake ta definojmë në mënyrë që të mos lejohet konfrontimi me policët që i ka caktuar një instancë për të cilën nuk kemi sa duhet informacione. Në mënyrë që të mos vie te konfrontimi Luani dhe Elezi kanë caktuar vijën e kontrollit.
Deri te kjo ndarje ka ardhur si rezultat i intrigave të rrethanave nga persona të papërgjegjshëm. Luani, gjithnjë sipas tekeve të tij, propozon që policëve të Bajës sikur shprehet ai, t iu jepet ultimatum për t`u larguar nga Shala.
Askush nuk e aprovon mendimin e Luanit edhe pse të gjithë jemi të bindur se në radhët e policisë ushtarake janë grumbulluar probleme që kërkojnë një zgjidhje shumë të shpejtë. Dikush po vepron në një drejtim të rrezikshëm. Kësaj radhe nuk kam kërkuar tërheqje, i sigurt se do të thyhet uniteti që kemi pasur deri tani.
Luani është frustruar tejmase. Ai krejt fajin na hedh neve. Është më se i sigurt se po ta lejojmë do t`i përzë pa asnjë hezitim. Kështu mendojnë edhe Syla e Ajvazi sado që rezervohen ta thonë hapur.
-Është fare lehtë thotë Luani. Përhapim lajme se po vinë trupat serbe në relacion Magurë Shalë, zbrazim pak fishekë, e dërgojmë një korrier te policët për përforcime dhe ata pa një pa dy do t ia mësyjnë bjeshkës dhe do të ikin si lepujt, thotë Ramiz Qeriqi, krejtësisht i bindur se do ta inskenonte këtë lojë, pavarësisht se çfarë shqetësimesh do të shkaktonte te popullata civile dhe te ushtarët e tjerë.
-Kjo kurrë nuk do të lejohet,- i them, i bindur thellë se nga Luani mund të pritet diçka e tillë.
Pasdite në odën e Elez Durmishin kanë ardhur edhe komandosët e Dukagjinit, Galani dhe Gjoci si dhe Isak Musliu komandant Çerçizi, i cili ka dy tri ditë që ndodhet në anën tonë. Çerçizi është ndër të ushtarët e rrallë që nuk e ka hequr mjekrrën. Ai ka leshra të dendura dhe të kuqërremta. Paraqitja e tij impozante, vështrimi depërtues dhe qëndrimi prej komandosi, të bëjnë përshtypje të luftëtarit të kohëve të shkuara.
Faruku dhe Besimi më kanë lajmëruar se Fatmir Xhelili dhe Nusret Gashi qysh në mesditë janë nisur prej Godancit nëpër Blinajë, ashtu ka bërë të ditur një ushtar dhe sipas të gjitha gjasave ose e kanë humbur rrugën ose kanë mbetur në borë. Kemi marrë masa që ushtarët të depërtojnë në disa vendkalime në mënyrë që t` iu dilet në ndihmë. Deri në kohën kur po i shënoj zhvillimet kryesore të ditës nuk kemi lajme se ku ndodhen.