Sot mbushet një muaj qyshkur e kemi filluar transmetimin. Deri tani nuk kemi pasur asnjë ndërprerje dhe asnjë defekt. Për një muaj të punës sonë të përkushtuar në Radio dhe në Agjenci kemi shënuar suksese, por na kanë përcjellë edhe një varg problemesh dhe mosmarrëveshje, kryesisht me karakter pune apo koncepti programor. Megjithatë, fakti se po arrijmë të zërojmë në eter në kohën e caktuar, na bën më të fortë. Problemet tona nuk kanë fund. Ato do të na përcjellin gjatë tërë jetës, sepse të tillë jemi. Lufta iu ka dhënë edhe më shumë shtytje imponimeve, krekosjes e dalldive të personave të caktuar…
Rreth mesditës kam shkuar në Divjakë me qëllim që të bisedoj me Jakup Krasniqin dhe Azem Sylën për probleme të caktuara.
E pata ndërmend të bisedoja lidhur me definimin e kompetencave në Radio dhe në Agjenci, meqë Berati në mënyrë naive imponohet si përgjegjës i të dyja institucioneve, por duke e parë se ata kanë halle dhe probleme të tjera nuk ia fillova bisedës. Te e fundit meqë disa kanë filluar të veprojnë krye në vete po provoj edhe vet, ose po tërhiqem.
Azemi dhe Jakupi janë të preokupuar me probleme të tjera. Ata po e kanë shumë vështirë të vendosin se kush duhet të udhëtojë për në Rambuje. Si duket edhe këtu mbretëron e njëjta situatë. E shoh se hallet e tyre janë shumë më të mëdha, dhe pasi iu uroj rrugë të mbarë dhe sukses nisem drejt Berishës.
Tani e tutje çdo mospërfilljeje do t`i përgjigjem me të njëjtën masë nga cilido qoftë. Nderi dhe respekti i secilit në vend të vet. Modestia, tërheqja mirëkuptimi vlejnë vetëm atje ku ka kulturë, shoqëri të sinqertë dhe mirë besim.
Në mbrëmje ka ardhur te ne në Berishë, Sokol Dobruna. Edhe ai i ka hallet e veta. Ka më shumë se dy muaj që është vendosur në Shtab, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për judikaturë dhe nuk kanë arritur t`i sigurojnë as kushte elementare për punë. Ai ndihet i zhgënjyer edhe me faktin se në delegacionin që do të udhëtojë për në Rambuje nuk është përfaqësuar asnjë epror i Dukagjinit.
Sokoli ka qëndruar me ne në seli dhe deri në orët e vona të natës kemi biseduar për halle e derte. Edhe pse kemi vështirësi dhe mosmarrëveshje, jemi unikë në të gjitha segmentet kyçe të organizimit dhe jemi më se të vendosur për të çarë përpara.
Kthim prapa nuk ka, ky është qëndrimi njëherit edhe verdikti i fitores të cilin e përdorim në çdo çast.