Ende ndër ne, dominon mendimi anti shkencor se shqiptarët në kohën e Turqisë ishin analfabetë. Të tillë trajtoheshin të gjithë ata shqiptarë, që gjuhën e tyre e shkruanin me shkronja turke, arabe, apo edhe në gjuhën persiane, ndërsa si të arsimuar konsideroheshin ata që shkruanin greqisht sllavisht e latinisht, me apo pa fjalë të gjuhës shqipe. Duket paradoksale por keni të bëjmë me një realitet të trishtuar, sikur është përjashtimi i faktit historik të arsimimit në mejtepe, jo vetëm në të gjitha qytetet shqiptare por edhe në shumicën dërrmuese të fshatrave kudo, ku ka jetuar popullata shqiptare, gjatë pesë shekujve të sundimit.
Me të njëjtat pretendime antishkencore, sharlatanë e gjysmë analfabetë të ndryshëm, pretendojnë ta mohojnë dhe të mos lejohet që nxënësit ta mësojnë letërsinë e krijuar në kohën e komunizmit, sepse nuk paska qenë letërsi e kohës së demokracisë, por e kohës së sundimit të diktaturës…
Pretendimet, për ta keqinterpretuar dhe për ta manipuluar historinë e së kaluarës, nuk janë vetëm të kohës sonë dhe as specialitet i veçantë i teksteve të historisë sonë kombëtare, krijimtarisë, artit e letërsisë.
Të begatuar vonë me ndjenjën integriste kombëtare, shqiptarët janë populli më i vonuar në Ballkan, Evropë e më gjerë. Dhe kjo vonesë me defektet e veta, po shprehet edhe sot e kësaj dite.
Duke folur për vonesën historike dhe pasojat që ka sjellë ajo, profesor Rexhep Qosja shkruan:“ Jemi vonuar në të gjitha fushat e jetës shoqërore e të krijimtarisë shpirtërore. Nuk i kemi përjetuar kur duhet, si duhet dhe sa duhet as Rilindjen e Humanizmin Evropian, as Racionalizmin, as Iluminizmin, as Romantizmin, as Realizmin e as prirjet Moderne. Jemi vonuar të bëjmë shtetin kombëtar dhe jemi vonuar të bëjnë gjuhën e njësuar letrare kombëtare, gjuhën standarde. Jemi vonuar të urbanizohemi dhe jemi vonuar të emancipohemi. Prej feudalizmit oriental kemi kaluar në komunizmin pa e përjetuar kapitalizmin. Për të gjitha këto vonesa në histori janë paguar dhe po paguhen tagra, kur më të pakta e kur më të shumta. Jemi vonuar në histori, tani jemi turrur të gjithë: jemi turrur t’i kompensojmë ato vonesa në qoftë se jo në të gjitha së paku në disa fusha të jetës politike e shoqërore dhe të krijimtarisë shpirtërore. Dhe, fryt i këtyre turreve për kompensimin e atyre vonesave janë pak të mira dhe janë shumë të këqija. Punët e bëra turrshëm, me turre e me vrulle, zakonisht bëhen diqysh e më së shpeshti keq”. ( Dita 5. 6 2017)
Në një vonesë të tillë dhe me qëllim për ta zënë hapin me kohën kemi lënë anash shumë çka nga e kaluara disa shekullore. Në tekstet tona të historisë është anashkaluar bashkë ekzistenca shqiptare-turke afër pesë shekuj dhe me apo pa qëllim, ka mbetur nën embargo, nga frika mos po zbulohet edhe një segment i mercenarizmit, që nuk ka qenë karakteristik vetëm për shqiptarët, por edhe për grekët bullgarët, boshnjakët, kroatët e popuj të tjerë gjatë kohës së sundimit turk.
Perandoria osmane shtrihej gjerë e gjatë në tri kontinentet më të banuara të botës dhe sundonte ashtu si sundonte, me zjarr e hekur por edhe me joshje bindje e kandisje dhe në këtë mes nuk kishte ndonjë përjashtim, që është për t’ u veçuar. Ajo i kishte pushtuar edhe shtetet islame, jo për ta përhapur islamin por për ta pushtuar një pjesë sa më të madhe të botës. Turqia nuk është një përjashtim në mesin e shtatë perandorive më të mëdha që njeh bota, sa i përket pushtimit, hegjemonisë, as jetëgjatësisë, as në të kaluarën as tani.
Shqiptarët, shumica syresh që kishin pranuar fenë islame, natyrisht se kishin qenë më të privilegjuar, por asnjëherë nuk ishin kursyer, kurdo të kishin bërë përpjekje për të përfituar më shumë se u lejonte rendi dhe ligji ekzistues, u kishte shkuar koka, pa marrë parasysh meritat e shumta që mund t’i kenë pasur. (A. Qeriqi, Vezirët kokëprerë, www. radiokosovaelire.com)
Janë të njohura faktet se sa personalitete të radhët më të lartë shtetërore e ushtarake i kanë dhënë shqiptarët kësaj perandorie, por jo vetëm shqiptarët. Në kreun më të lartë të Qeverisjes kishte edhe grekë e serbë, sidomos boshnjakë, por jo aq sa kishte shqiptarë.
Është një e vërtetë e pamohueshme se pranimi i identitetit kombëtar kishte vonuar dhe kjo lidhjet me vonesën e Rilindjes Kombëtare. Po ashtu nuk mund të mohohet fakti se kërkesa e parë e shqiptarëve për gjuhën, alfabetin dhe shkollën shqipe daton që nga viti 1879 dhe pikërisht në Stamboll, për herë të parë ishte lejuar Shoqëria e të shtypurit shkolla shqip. Nuk kemi evidentuar ndonjë dokument tjetër, në të cilin është kërkuar shkolla shqipe para kësaj date. Mbase edhe mund të ketë pasur, por tani për tani nuk dihet.
Se çka ka ndodhur pastaj me ri-zgjimin kombëtar nuk do të merreni tash për tash por do të kufizohemi në një segment tjetër, krejtësisht të anashkaluar nga tekstet e hartuesve të teksteve të Historisë së Shqipërisë.
Vazhdon të injorohet çështja e arsimimit të shqiptarëve prej kohës së fillimit të administrimit turk në trojet tona
Nëse marrin si pikënisje të vendosjes definitive të Turqisë në Kosovë, vitin 1455, dhe në Shqipëri në vitin 1478, kur kishte rënë Shkodra, dhe që është koha kur edhe është bërë regjistrimi i parë masiv i popullatës, sidomos në viset e Kosovës e më gjerë, pastaj regjistrimet e mëvonshme, është lënë krejtësisht në harresë, apo është anashkaluar me qëllime të caktuar politike, arsimimi i shqiptarëve në Perandorinë turke prej asaj kohe e deri te hapja e shkollave të para kombëtare shqiptare, në gjysmën e dytë të shekullit 19-të.
Dominon mendimi anti shkencor se shqiptarët në kohën e Turqisë ishin analfabetë. Të tillë trajtoheshin të gjithë ata shqiptarë që gjuhën e tyre e shkruanin me shkronja turke, arabe, apo edhe në gjuhën persiane, ndërsa si të arsimuar konsideroheshin ata që shkruanin greqisht sllavisht e latinisht, me apo pa fjalë të gjuhës shqipe.
Duket paradoksale por keni të bëjmë me një realitet të trishtuar, sikur është përjashtimi i arsimimit në mejtepe, jo vetëm në të gjitha qytetet shqiptare por edhe në shumicën dërrmuese të fshatrave kudo ku ka jetuar popullata shqiptare, gjatë pesë shekujve të sundimit
Si zhvillohej mësimi në medresetë e kohës dhe në cilën gjuhë?
Medreseja, ( Mësimtorja) vendi ku mësoheshin shkronjat e gjuhës arabe, jo të gjuhës shqipe, sepse ajo filloi më vonë, nuk ishte shkollë ku mësohej vetëm për fe, sikur është krijuar bindja antishkencore, sepse në të gjitha mejtepet janë mësuar edhe lëndë shoqërore e shkencore, në akord me zhvillimin e segmenteve të caktuar të diturive në kohë dhe hapësirë të caktuar. Përveç gjuhës arabe e turke dhe lëndëve fetare është mësuar edhe historia, gjeografia, matematika, gjeometria, kimia, edukata, dhe lëndë të tjera. Dhe vetvetiu shtrohet pyetja, në cilën gjuhë i mësonte nxënësit e fillores hoxha i fshatit apo i qytetit, kur fëmijët e sapo regjistruar nuk dinin as edhe një fjalë turke apo arabe?.
A mund ta shpjegonte mësimin hoxha vetëm turqisht e arabisht në një klasë me 30 nxënës, kur asnjëri prej tyre nuk dinte asnjë fjalë?
Pa u bazuar fare në fakte të shkruara të kohës, sepse kjo temë nuk është hapur kurrë, meqë konsiderohet çështje e mbyllur, e vdekur, nëse këtë problem e trajtojmë vetëm logjikisht, arrijmë në përfundim se nuk mund të mësohet asnjë gjuhë e botës, pa e njohur në radhë të parë gjuhën amtare. Në këtë rast kemi një specifikë të një natyre tjetër. Gjuhën shqipe, greke apo sllave, fëmijët e mësonin në familje. Mësuesi, në këtë rast hoxha, duhet të shpjegonte mësimin në gjuhën që e kuptonin fëmijët dhe nuk mund të shpjegonte në gjuhën turke apo arabe sepse nuk do ta kuptonte askush.
Fillimisht hoxhallarët u kanë mësuar përmendsh fëmijëve shartet, kushte e imanit dhe islamit, gjithsesi në gjuhën shqipe.
Të shfletojmë me radhë:
Mësimi përmendsh i Shehadetit. Eshhedu en la ilahe ilallah, ve eshhedu ene muhemaden abduhu ve resuluhu. Patjetër që u është mësuar edhe përkthimi shqip. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër, përveç Allahut dhe Muhamedi është robi dhe i dërguari i tij.
Pastaj sa sharte i ka imani?
Sa sharte i ka islami?
Pastaj janë mësuar shkronjat e gjuhës arabe, të cilat ne i quajmë turko arabe në fakt janë vetëm arabe, sepse ato i kishte pranuar si të vetat edhe Turqia deri në vitin 1916, kur edhe turqit ishin përcaktuar për alfabetin latin, tetë vjet pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku shqiptarët kishin arritur ujdinë për një alfabet unik mbi bazë të shkronjave latinishtes.
Gjatë tërë periudhës së sundimit osman në trojet shqiptare shpjegimi i mësimit nga hoxhallarët doemos është bërë në gjuhën shqipe, me qëllim për ta kuptuar atë. Këtu është fjala për mësimet në shkollat e ulëta dhe jo ato të mesmet e të lartat, në të cilat mësohej vetëm në gjuhën arabe dhe turke, pa dallim për të gjithë qytetarët e Perandorisë.
Shqiptarët e krishterë, nuk ishin të detyruar ta mësonin gjuhën turke as arabe, edhe pse shumica dërrmuese e priftërinjve e mësonin dhe e flisnin gjuhën e sunduesit, për arsye që dihen.
Priftërinjtë, fëmijëve shqiptarë nëpër shkolla u mësonin gjuhën latine, greke dhe sllave, edhe ata duke pasur për bazë gjuhën shqipe. Lutjet mësoheshin vetëm latinisht e në greqisht apo në gjuhën e vjetër sllave, me shkronja çirilike. Më vonë lutjet liturgjia është bërë edhe në gjuhën shqipe.
Shkollat fetare katolike kishin përvetësuar alfabetin latin, që ishte gjuhë e kishës dhe e shkrimit të shenjtë. Mësimi shqip apo italisht në kishë ka qenë i lejuar dhe nuk ka dëshmi historike të kohës që flet për ndalimin e mësimit të nxënësve të krishterë në gjuhën e tyre dhe për fenë e tyre nga Perandoria Osmane.
Paradoksi i parë
Të gjithë shqiptarët e arsimuar në gjuhën turke, arabe, persiane janë konsideruar, por edhe sot e kësaj dite konsiderohen analfabetë, ndërsa popullata e krishterë që ka mësuar greqisht, latinisht e sllavisht konsiderohet e arsimuar!
Konstatimet se në vitin 1912, shqiptarët 90 për qind ishin analfabetë, është një anakronizëm sa naiv aq edhe i shpifur, po aq edhe i deformuar. Sipas këtij konstatimi naiv, analfabetë kanë qenë dhe janë edhe sot të gjithë ata që nuk kanë ditur apo nuk dinë sllavisht, greqisht dhe latinisht. Në tekstet tona të historisë, nxënësit tanë ende mësojë se shqiptarët në kohën e Turqisë kanë qenë analfabetë. Madje e njëjta është thënë edhe për kohën e regjimit të Ahmet Zogut, edhe pse nuk qëndron konstatimi i tillë. Mësimi fetar, i cilës do fe askund në botë nuk trajtohet si analfabetizëm.
Paradoksi i dytë
Marin Barleti dhe Jahja bej Dukagjini, i pari trajtohet shqiptar i dyti turk, apo boshnjak.
Për Marin Barletin di çdo shqiptar që ka kryer qoftë edhe një shkollë fillore. Për Jajha bej Dukagjinin dinë vetëm studiuesit e letërsisë apo të kulturës turke, meqë poeti më i njohur i lindjes me origjinë shqiptare, nuk mësohet në shkollat shqipe, pasi ai ka shkruar në gjuhën turke e arabe, por kurrë nuk e ka fshehur origjinën madje ka shkruar edhe këto vargje, në gjuhën turke:
Raca ime është racë shqiptare…
E gjithë familja ime me shpatë rronte.
Tamam si zemër luani,
Ata, si shqiponjat ndërtojnë shtëpitë e tyre mes gurësh.
Ky është gjeni, origjina e atij që është shqiptar.
Ai është si margaritar, i fshehur mes gurësh…
Marin Barleti, ( 1460 – 1512) Historinë e tij të njohur për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun e ka shkruar në gjuhën latine, ndërsa në gjuhën shqipe është përkthyer shumë vonë. Është e natyrshme që kjo histori të lexohet e të mësohet, por duhet spikatur edhe faktin se në kohën kur është shkruar nuk ka qenë e përhapur te shqiptarët, meqë është zbuluar vonë ndërsa është përthyer në shekullin XX.
Jahja Bej Dukagjini (1498- 1575) ishte me origjinë nga Principata e madhe e Dukagjinasve. Në historinë turke njihet si: Dukagjin-Zade Jahja Bej, apo Tashlixhali Jahja. Është ndër personalitetet e pakta të kohës, i cili jo vetëm që nuk kishte mohuar origjinën e vetë, por me mburrje kishte shkruar për atë origjinë shqiptare, për një popull që ka jetuar dhe rron me shpatë, gjithnjë i kërcënuar, por gjithnjë i mbijetuar, nga shekulli në shekull.
Jahja bej Dukagjini, pavarësisht se ishte poet i oborrit mbretëror ai ishte edhe një burrë trim dhe shumë i mirëpritur edhe nga vetë Sulltan Sylejmani, e sidomos nga Ibrahim Pashë Pargaliu. Në anën tjetër ishte shoku më i ngushtë dhe më i dashur i djalit të Sulltanit, Mustafasë. Edhe ky si shumë e shumë shqiptarë të tjerë ishte rrëmbyer që në fëmijëri, me ligjin e Devshirmesë, që lejonte turqit të merrnin fëmijë të krishterë, qoftë edhe në mënyrë të dhunshme, me qëllim për t’i arsimuar fetarisht dhe ushtarakisht dhe për t’ i bërë pjesë të Perandorisë. Jahja beu ishte vëlla i Vezirit të njohur shqiptar Ahmet Bej Dukagjini. Në tekstet tona të historisë së letërsisë nuk përmendet emri i Jahja Bej Dukagjinit, ndërsa Marin Barleti mësohet e studiohet.
Paradoksi i tretë
E tërë letërsia shqiptare e shkruar me alfabet arab e turk, konsiderohet si letërsi e bejtexhinjve, (e pallavraxhinjve), me një përbuzje e cinizëm mazohist, antihistorik dhe antishkencor.
Prej Mesihit të Prishtinës ( Prishtinë, 1470 – Stamboll 1512) i njohur në Perandorinë Osmane si Priştinali Mesihi, që ishte një nga poetët më të njohur të fundit të shekullit XV dhe fillimit të shekullit të XVI e deri të hoxhallarët e poetët shqiptarë që shkruanin në alfabetin arab, por në gjuhën shqipe deri edhe pas luftës së Dytë Botërore, e tërë kjo letërsi është abortuar, vetëm sepse është shkruar me alfabetin arab, sepse i përket lindjes dhe kohës së sundimit të Perandorisë Osmane, dhe sepse paska pasur shumë fjalë turke, gjithsesi më pak sesa përdorin edhe sot fjalë angleze e italiane shumë krijues e sidomos gazetarë shqiptarë.
Deformimi që iu ka bërë dhe vazhdon t i bëhet kësaj pjese të letërsisë sonë kombëtare, është një mazohizëm i llojit të vet, të cilin nuk e gjen te asnjë popull tjetër në botë. Është një keqinterpretim antishkencor, është një botëkuptim naiv politik, që nuk ka të bëjë me sundimin as me perandorinë turke, por ka të bëjnë me mungesën e qasjes shkencore të krijimtarisë shqiptare në shekuj, për shkaqe ideologjike, është njëjtë sikur sot disa qarqe sharlatanësh e gjysmakësh që pretendojnë të përjashtohet tërë krijimtaria e kohës së komunizmit në Shqipëri e më gjerë, sepse po i takuaka periudhës së sundimit komunist.
Vijon…