Letërsia e bejtexhinjve e përbuzur, e përqeshur, e diskriminuar nga kritika letrare shqipe
Letërsia shqipe me alfabet arab, kundruar realisht është pasuri letrare, kombëtare e shqiptarëve, jo vetëm sepse shumica e kombit i përket besimit islam, por sepse ajo ka vlerat e veta specifike, që pasurojnë diversitetin kulturor të një populli, dikur shumë me ndikim në Perandorinë Osmane, por edhe në Ballkan përgjithësisht.
Pas përcaktimit për alfabetin latin të gjuhës shqipe, në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, që ishte dhe është alfabet shumë i përshtatshëm dhe më i lehtë për ta mësuar, tërë literatura shqipe e shkruar me alfabetin arab u anashkalua duke e identifikuar me alfabetin e pushtuesit, por duke harruar se edhe alfabeti latin kishte qenë po ashtu alfabet i pushtuesit romak në viset e Ilirisë, për më shumë se 900 vjet. Pikërisht sepse ishte e shkruar me atë alfabet, ajo letërsi shqipe ishte anashkaluar mizorisht, ndërsa është çmuar e tejçmuar letërsia e shkruar me alfabet latin e grek, pse jo edhe sllav, që kishte vetëm përmbajtje fetare, po jo edhe sociale.
Nëse gjykojmë letërsinë në pikëpamje politike dhe ideologjike, vepra e iluministit, Marin Barleti, “Historie de vitae et gestis Georgius Castriotis-Scanderbegus, Epirotarum Principis”, u shkrua në gjuhën latine në kohën kur turmat e pashkolluara shqiptare nuk e dinin as e kuptonin latinishten. E përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët europiane, pas gati 5 shekujve, vepra e Barletit u shqipërua nga Stefan Prifti në vitin 1964. (Vikipidia). Vepra e dytë dhe më e plotë e Barletit është “Historia e Skënderbeut” po në latinisht, me titullin e plotë “Mbi sjelljet e jetës dhe punët, veçanërisht kundrejt turqve, bëmat e Gjergj Kastriotit, princi i shkëlqyer i epirotëve, i mbiquajtur Skanderbeg për veprat e tij, ndryshe Aleksandri i Madh. Shkruar prej Marin Barlet Shkodranit (lat. De Vita Moribus Ac Rebus Praecipue Aduersus Turcas, Gestis, Georgii Castrioti, Clarissimi Epirotarum Principis, qui propter celeberrima facinora, Scanderbegus, hoc est, Alexander Magnus, cognominatus fuit, libri Tredecim, per Marinum Barletium Scodrensem conscripti). Vikipidia.
Një gjysmë shekulli më vonë se Barleti, ka jetuar në Perandorinë Osmane të kohës, poeti më i madh i kohës, Jahja Bej Dukagjini, që nuk e kishte fshehur kurrë origjinën por që ishte lavdëruar me të, madje mu në Pallatin perandorak të Sulltan Sylejmanit, por vepra e tij nuk u mësua kurrë në shkollat shqipe, edhe pse kemi të bëjmë me një poet të përmasave botërore, pa dyshim asokohe poeti më i madh me origjinë shqiptare, për të cilën ai, mu në qendër të Perandorisë krenohej me origjinën pa i bërë syri vër.
Jahja beu ishte me origjinë nga Principata e madhe e Dukagjinasve. Në historinë turke njihet si: Dukagjin-Zade Jahja Bej, apo Tashlixhali Jahja. Është ndër personalitetet e pakta të kohës, i cili jo vetëm që nuk kishte mohuar origjinën e vetë, por me mburrje kishte shkruar për atë origjinë “spartane”, që ka jetuar dhe rron me shpatë, gjithnjë i kërcënuar, por gjithnjë e mbijetuar, nga shekulli në shekull.
Raca ime është racë shqiptare…
E gjithë familja ime me shpatë rronte.
Tamam si zemër luani,
Ata si shqiponjat ndërtojnë shtëpitë e tyre mes gurësh.
Ky është gjeni, origjina e atij që është shqiptar.
Ai është si margaritar, i fshehur mes gurësh… shkruan në një ode të tij, në gjuhën turke.
Ka shkruar divanin e njohur: “Mbreti e lypësi”, pastaj pesë romanca të njohura për dashurinë, të deklamuara me një alegori mistike, por jo nën ndikimin e traditës mistike iraniane. Ka shkruar edhe romancën e njohur me temë nga Kur-ani e Besëlidhja e Vjetër, “Jusufi e Zylehja”, “Trëndafili” mbi njëmijë petale”, ku ka përshkruar mrekullitë e Profetit Muhamed. Libri i Qytetit e shumë poezi, divane, ode me tema të ndryshme fetare, etj. Deceniet e fundit të jetës i ka kaluar kryesisht në vende të ndryshme të Rumelisë, por më tepër ka qëndruar në vendlindjen e tij në Taslixhe ku edhe ka vdekur në vitin 1575.( Vezirët kokëprerë… RKL)