Ahmet Qeriqi: Një qetësi e rreme para furtunës së paparalajmëruar (E premte 21 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një qetësi e rreme para furtunës së paparalajmëruar  (E premte 21 gusht, 1998)

Shiu që ra gjatë natës edhe pse i pamjaftueshëm solli freski. Zhvillimet e hovshme të reve paralajmërojnë ndërrimin e motit. Në këtë zonë malore vjeshta vjen herët. Në mëngjes përreth luginës së lumit po bie vesë dhe  ka filluar të ftohtit. Po bëhet afër një muaj qyshkur kemi filluar jetën në natyrë në Grykën e Shpëtimit, në një kështjellë natyrore të cilën si duket natyra e ka sajuar nergut për t`i ruajtur njerëzit në raste të tilla të rrezikut. Dita ditës po shtohet numri i të kthyerve. Ata që kthehen ndihen të shqetësuar dhe të indinjuar dhe kryesisht kërkojnë falje se janë larguar ashtu nën eufori nga frika dhe nga përhapja e panikut.
Shumica e të zhvendosurve në luginë gjatë ditës depërtojnë në fshat për të bërë ndonjë punë, apo më shumë për ta humbur kohën dhe për të mësuar se ç po bëhet, edhe pse shumica e tyre rrezikohen pa nevojë nga goditja e papritur e forcave armike. Serbët, sapo vërejnë popullatën godasin në drejtim të tyre edhe pse nga distanca.
Disa prej burrave  natën po e kalojnë nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa herët në mëngjes futen në Grykë. Askush  askund nuk ndihet i sigurt, por shtëpia me intimen e vet karakteristike i tërheq njerëzit e sidomos fëmijët. Ata më të vegjlit tërë ditën luajnë në brigjet e lumit, lahen, spërkatën me ujë dhe as që duan t`ia dinë. Fshati ynë nuk ka pësuar shumë nga granatimet. Pak shtëpi janë dëmtuar, mirëpo kthimi është me rrezik.
Edhe sot erdhi për të biseduar Xhelal Hajdini, ushtari nga Zabeli. Ai kërkon me këmbëngulje të largohet për shkak të raporteve që ka me Luanin. Mirëpo Luani nuk e lejon ta merr pushkën me arsyetim se kur ka ardhur nuk ka pasur pushkë dhe në rast të largimit me vetë dëshirë, nuk i takon arma. Xhelali nga ana e tij ngul këmbë se kur ka ardhur ka pasur pushkë por atë e ka ndërruar në Shtab dhe kërkon ose t`i kthehet pushka e vet ose t`i lejohet pushka m 48, me të cilën është i ngarkuar.
Nga biseda e gjatë që kam pasur me Xhelalin mendoj se ai dëshiron të largohet për të mos shkaktuar ndonjë përplasje. Mundet që ka frikë nga ndonjë dredhi e Luanit. E kuptoj problemin e Xhelalit dhe kam frikë se pas tij do të na paraqiten edhe raste të tjera dhe pikërisht për këtë insistoj që Xhelali të qëndrojë edhe më tej. Mirëpo ai ka vendosur të shkojë dhe në këtë drejtim nuk duhet penguar. Te e fundit ai mund të ikë edhe vetë pa e paralajmëruar askë, por Xhelali është burrë i pjekur dhe e di peshën e çdo veprimi. Ai më drejtohet mua, në radhë të parë sepse konsideron se po i bëhen padrejtësi. Mbetet që përfundimisht të shqyrtohet çështja e Xhelës, pasi të bisedoj edhe njëherë me Luanin.
Pas dite ka biseduar gjerë e gjatë me Naim Ismajlin, i cili tani është ngarkuar me detyrë të shefit të shtabit lokal. Naimi është tejet korrekt në punë dhe në detyrë. Është i çiltër, komunikues dhe i respektueshëm. Ai ka bërë punë në drejtim të sistemimit të ushtarëve, ka bërë një riorganizim të të gjitha punëve që i përkasin sidomos tani me rastin e caktimit në detyrë të re. Edhe ai ka vështirësi me Luanin por meqë është intelektual dhe njeri me përvojë din t`i tejkalojë situatat pa shkaktuar tensione. Naimi është kuadër i pazëvendësueshëm në shtabin tonë lokal. Ai e ka besimin e të gjithëve e sidomos të ushtarëve të Caralevës e të Zborcit që  janë edhe ushtarë e luftëtarë shembullorë.
NË mbrëmje kam biseduar me Luanin.
Ky njeri është tepër i papërshtatshëm për të mos thënë edhe i rrezikshëm. Kokëfortësia e tij nuk ka kufij. Mendon se kurdoherë ka të drejtë dhe është mjeshtër i përkryer i kurtheve dhe i shantazheve. Ende e kemi në kontroll, por mendoj se herdokur do të na dalë dore. Nuk kam arritur ta studioj shpirtin e tij enigmatik. Është trim, kjo nuk ka si mohohet. I urren egërsisht armiqtë po aq edhe bashkëpunëtorët e tyre. Është kundërshtar i LDK-së po aq sa edhe i Serbisë. Në bindje politike është enverist i përkushtuar. Në kohën e rrugëtimeve të tij ilegale ka sjellë në shtëpi sa e sa vepra të Enver Hoxhës. Ka qenë dhe aktualisht është kuadër i Grupit revolucionar.
Ka pasur mosmarrëveshje me njerëzit e Berishës të cilin e tallë me cinizëm. Ngado që e studioj më del edhe i pastër kombëtarisht e moralisht. Edhe pse nuk ia kam thënë askujt, mendoj se i kemi ngarkuar një detyrë të rëndë të cilën nuk është i aftë ta kryejë, por është sedërtar dhe tërheqjen kurrë nuk do ta pranonte.
Nuk di si do t ia bëj me të. Ka qenë mirë ta kishim dërguar në Shqipëri, por ai nuk prannon të largohet nga fronti me asnjë çmim, meqë të gjithë ata që shkojnë në Shqipëri i quan dezertorë dhe hiq më pak se majmuna, madje krejt këto kualifikime i bën haptas para ushtarëve. Shumica e ushtarëve ia kanë frikën, por rreth vetes ka tubuar një elitë besnike. Është fat i madh për të gjithë ne që Sylë Qeriqi ka një ndikim të fortë. Mendoj se Syla është i vetmi njeri të cilit edhe mund t`i frikësohet, për të tjerët, qoftë edhe kreun e Shtabit as që do të dijë.
Ora ka vajtur në një pas mesnatës, po shënoj dhe po mendohem si do të na vejë halli. Kohëve të fundit në raste të tillë vetvetiu më shpërthejnë lutjet: O zot shpëtona! O Zot ndihmona! O Zot mëshirona. Më habit ky fakt, sepse kjo lutje po më bëhet pjesë e fjalorit të ndërdijshëm…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …