Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt e shiut përplasen nëpër tendën e najlonit duke krijuar një zhurmërimë të vrazhdë. Nga shirat e pandalshëm lumi është fryrë dhe vende-vende ka dalë jashtë shtratit. Diku i ka marrë me vete urat e volga që lidhin tendat njëra me tjetrën.
Në disa tenda ka depërtuar edhe shiu.
Ndërkohë Gryka fillon të gjallërojë edhe nëpër shi. Tymi që del nga shporetët e stufat tregon se ka filluar edhe një ditë e rëndë si tunxhi, në shi, të ftohët dhe rrethim të hekurt nga forca armike. Të shumta janë edhe kasollet e sajuara për bagëtinë. Shumica nga to janë të pambuluara. Edhe këto kafshë janë hisedare të pafat të kohës së rëndë nëpër të cilën po kalojmë. Dhitë tanimë kanë filluar t iu vërsulen sythave të sapoçelë të shkozave dhe të lajthisë.
Pasi jemi zgjuar të gjithë, nga fshati ka ardhur edhe Epiri, ku ka qenë roje gjatë natës.
Rreth orës 13.00 ka pushuar shiu. Ndërkohë kam marrë me vete çantën dhe jam nisur përpjetë Lezhës, drejt Javurit.
Rruga deri në Javur është shumë e mundimshme meqë duhet ecur vazhdimisht në të përpjetë. Në kohën kur kam kaluar Kleçkën ka filluar sërish të bjerë shi. Nuk e kam ndërprerë rrugëtimin. Kam bërë tutje drejt tendës në Rrezen e Baliqit në Berishë.
Në tendë e kam takuar vetëm Nezir Myrtajn. Të tjerët kanë shkuar për ta transmetuar programin në studion bunker të Majës së Pallanikut.
Neziri më tregon se përmes telefonit ka biseduar me bashkëshorten e tij Kadrien, e cila ndodhet në Kumanovë së bashku me Endritin dhe Nedimin e Hajredin Gashit. Ata janë mirë por janë shumë të shqetësuar e të brengosur për fatin tonë.
Në orët e mbrëmjes forcat armike kanë granatuar në drejtim të fshatrave Tërpezë, Lladroc, Lladroviq, Senik, Banjë e Ngucat. Sapo janë dukur dy aeroplanë të NATO-s, forcat serbe kanë ndaluar veprimet ushtarake. Me siguri se oficerët tanë të zbulimit po mbajnë kontakte me oficerët e NATO-s të cilëve iu japin koordinatat e vendit në vendet ku zhvillohen luftimet.
Në mbrëmje vonë në tendë u bashkuam të gjithë…