Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e paralajmërojnë borën e parë. Dimri do të na sjellë izolim dhe shumë vështirësi në komunikim. Dimri kësaj radhe është aleat i okupatorit, meqë ai ka mjete dhe pajisje për të çarë  akullin edhe borën.

Me Elez Durmishin kemi biseduar edhe për disa elemente biografike të Jetë Hasanit. E kam në përfundim e sipër shkrimin për të dhe mendoj ta dërgoj për botim në Bota e Re. Elezi ditë e më tepër po e humb durimin. Ai ka dyshimet se vrasja e Jetës nuk ka qenë aksidentale. Përmes radiolidhjeve ka biseduar edhe Ilaz Dërgutin dhe mendon se së shpejti disa nga shokët e hershëm të UÇK-së do të vijnë në Krojmir. Ai mendon se vrasësi duhet ndëshkuar sipas rregullave ushtarake. Duhet hetuar rasti dhe nuk duhet lënë zvarrë këtë punë. Pikërisht neglizhenca dhe zvarritja janë tregues se Jeta është vrarë me moh dhe jo rastësisht, thotë ai.

E marr me mend se Elezi më tepër se të gjithë ndihet i shqetësuar dhe i  merakosur. Mirëpo organizimi në instancat relevante, në Shtab mungon në këtë segment. Mungon edhe gatishmëria për t u marrë me këto probleme, sepse, sipas mendimit tim, një pjesë e drejtuesve politikë dhe ushtarakë të luftës, këtu janë tranzit. Ata vijnë dhe imponohen kur është gjendja e qetë, por kur kërcet bomba, nuk i sheh me muaj të tërë. Veprimet e tilla më japin të kuptoj se këtu dikush ka ardhur për të siguruar pozitë, dhe për të marrë përfitimet e caktuara nga lufta. Ndryshe si mund të shpjegohet fati se çështja e  një luftëtari si Jetë Hasani,  i cili me mjete të veta ka stërvitur grupet në Tiranë dhe ka kryer aksione konkrete kundër okupatorit, të mos merret as në shqyrtim. Kjo është tragjike, edhe pse këto mendime të mia nuk i shpreh para Elezit. E di se në të ardhmen jemi apo nuk jemi ne, koha do t`i qartësojë të gjitha. Me rëndësi është të mos dëmtohet lufta dhe të mos lejohet përçarja. E di me këtë rast përfitojnë të pafytyrët, por kështu ka qenë gjithnjë. Të përkushtuarit binë në fushë të nderit, shokët e tyre sakrifikohen për hir të gjakut të tyre, të pandërgjegjshmit përfitojnë.

Gjatë tërë ditës kemi qëndruar mbyllur. Berati, Isë Krasniqi dhe unë kemi biseduar si gjithnjë për agjencinë dhe për radion por si duket ende duhet bërë punë në këtë drejtim. Isai tregon se dy muaj gjatë shërimit ka qëndruar ilegalisht në Prishtinë, dhe në një çast për pak i ka shpëtuar kontrollit serb.

At tregon për odisejadën e tij që ka kaluar gjatë rrugëtimit nëpër Zonën e Neredimës, derisa më në fund ashtu i plagosur rëndë ka arritur në Prishtinë, i ndihmuar nga shokët…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të pareshtura për ta ruajtur unitetin (E hënë 9 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të pareshtura për ta ruajtur unitetin (E hënë 9 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kanë ardhur Elez Durmishi, Sylë Qeriqi dhe Ajvaz Karpuzi. Syla ka …