Herët në mëngjes, Heset Hamdiu më lajmëron se në shtëpinë e tij në të cilën kemi vendosur shtabin lokal, kanë ardhur disa drejtues të Shtabit të Përgjithshëm si Komandanti Azem Syla, zëdhënësi Jakup Krasniqi, Kadri Vesli-Luli, Hashim Thaçi -Gjarpri, Fatmir Limaj- Çeliku e të tjerë. Azemi ka kërkuar që të takohemi.
Me të hyrë në odë përshëndetem me Azem Sylën dhe të gjithë ushtarakët. Ishte në vazhdim e sipër biseda rreth ristrukturimit dhe përforcimit të pozicioneve si dhe ankimet e disa ushtarëve lidhur me urdhrin për të lëshuar pozicionet e para. Ishin shfaqur pakënaqësi edhe me rastin e mos shkuarjes në ndihmë të ushtarëve të Blinajes dhe të Carralevës, në Zborc dhe në Leletiq. Biseda nuk ishte me rend dite dhe secili e merrte fjalën ashtu si rëndom pa rend. Në ndërlidhje me situatën e krijuar kam shfaqur vërejtjet e mia lidhur me neglizhencën që është treguar në mbrojtje të Zborcit edhe pse kemi pasur informacione se Serbët po përgatitën për të marrë Zborcin, në mënyrë që Caraleva të mbetet në rreth. Zborci është edhe pika numër një e furnizimeve dhe është pika më strategjike e luftës në atë anë.
Njëri nga ushtarët kishte treguar me emër e mbiemër se cilët ushtarakë kishin dhënë urdhër për tërheqje, duke e ilustruar me faktin se ka rënë Gryka e Llapushnikut dhe secili duhet të ikë kah të mundet. Ishte krijuar një gjendje e rëndë dhe e papëlqyeshme, megjithatë, Jakup Krasniqi insiston që të ruhen pozicionet sidomos ato që janë në mbrojtje të popullatës si dhe pozicionet e tjera të dyta, për ta vëzhguar lëvizjen e forcave të armikut.
Azem Syla ka ngritur çështjen e mobilizimit dhe krijimit të dhjetësheve diversante sulmuese kundër pozicioneve të armikut, me qëllim që t` iu pamundësohet qëndrimi dhe konsolidimi i radhëve në vendqëndrimet e tanishme. Biseda zhvillohej në prani të më shumë se dyzet ushtarëve dhe eprorëve. Kisha kërkuar nga Azem Syla që të qëndronte edhe pak kohë për të biseduar edhe për disa gjëra të tjera. Në moment dikush kishte dhënë alarmin se forcat policore serbe janë futur në Krojmir. Krijohet një tollovi e pazakontë e rrëmbimit të armëve dhe e daljes sa më parë nga oda. Dëgjohen zëra, urdhëresa, përgatitje e armëve për sulm. Në moment u krijua një gjendje kaotike të cilën nuk mund ta bënte zap askush.
-Është rrenë, është dezinformatë thotë një ushtar.
-Kush e tha, ku është ai që tha? Dëgjohen zëra të tjerë. Jetë Hasani dhe Hasan Qeriqi kanë vendosur edhe një mitraloz tjetër te Guri në gjendje gatishmërie.
Dikush nga ushtarët e kishte kapur për zverku dezinformatorin. Ishte, Halim Haliti nga Krojmiri. Dikush urdhëron që të ekzekutohet në vend, mirëpo është në mesin e fëmijëve dhe të familjes. Duhet të mos shkaktohet rrëmujë. Edhe në raste të tjera ai ka shpallur dezinformata. Është njeri i panikut dhe nuk besojmë se e bën me qëllim të keq, por vetëm nga frika Ata që e njohin për së afërmi tregojnë se është një frikacak i lebetitur dhe nga frika halucinon natë e ditë. Duket i traumatizuar dhe i humbur, saqë nuk mund të nxjerrë zë nga goja. Kam dyshime se dikush për qëllime të caktuara i ka thënë ta alarmojë situatën, nga frika ose për qëllime të tjera, tani për tani të panjohura. Tërë banorët e fshatit e dinë se ai është njeri që ngjall panik. Si duket as kësaj radhe nuk do të përfillet urdhri për ta arrestuar. Ka rrezik që dikush tjetër të qëndrojë prapa tij.
Me Azem Sylën Jakup Krasniqin e të tjerë jemi ndarë për ngut pa u përshëndetur pas tollovisë që u krijua. Ata me xhipa dhe në përcjellje të ushtarëve janë nisur në drejtim të Shalës e prej andej në Kleçkë apo gjetiu.
Në orët e pas ditës nga Gryka në drejtim të fshatrave të Rrafshit janë larguar shumica e banorëve të lagjes së Ollurëve, pasi kanë mësuar se gjatë natës, tinës, është larguar Xhevat Olluri me familjen e tij. Përgjithësisht në Grykën e Krojmirit kanë mbetur po thuajse vetëm familjet e ushtarëve dhe disa familje të tjera që janë vënë në shërbim të luftës. Nëse ndokush i lajmëron serbët se në Grykë kanë mbetur vetëm familjet e ushtarëve, rreziku për sulm është tejet evident. Duhet të merren masa dhe të hartohen plane për ndonjë evakuim në ndonjë grykë tjetër, apo ndonjë metodë e shpërndarjes tej-tuk të popullatës në Grykën strategjike.
Tani për tani, situata nuk është alarmante. Në mesin e të zhvendosurve nuk ka më të dyshuar as bashkëpunëtorë, por ka të afërm të tyre. Njerëzia kanë edhe telefona mobilë dhe mund të kontaktojnë kë të duan.
Në bisedë me Sylën, Jetën dhe Elezin, kemi ngritur nevojën e shtimit të pikave të vëzhgimit dhe të përforcimit të tyre.
Ushtarët tanë ende po qëndrojnë në shtabin lokal të Pjetërshticës. Disa ushtarë mungojnë dhe nuk dihet nëse kanë kaluar në njësite të tjera apo kanë ikur së bashku me popullatën. Ende nuk jemi të konsoliduar në vijë ushtarake, dhe krejt kjo po shkakton pasoja.