Një vizitë kalimthi në shtëpinë e Adil Cenës në Nekoc (14 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një vizitë kalimthi në shtëpinë e Adil Cenës në Nekoc (14 shkurt, 1999)

Sot, kemi pasur një ditë relativisht të qetë. Të gjithë angazhohemi rreth përgatitjes së programit. Rizahu dhe Milaimi tërë ditën e ndezin stufën. Po ashtu kujdesën edhe për ushqimin. Qëndrojnë shpesh me ne edhe vajzat e vogla  dhe djali i Rizës, Arbeni, i cili shkon në klasën e katërt. Vijnë për të na parë, por asnjëherë nuk na pengojnë edhe bijat e Rizës, Njomëza, Valentina, Venera dhe Antigona e vogël, e cila na përqafon me radhë. Është një krijesë aq e dashur dhe e çiltër. Njomëza dhe Vlora sa herë vijnë nga shkolla i pastrojnë dhomat dhe na shërbejnë me kafe e qaj. Tanimë jemi bërë një familje e madhe, dhe tërë dita është dinamike. Herë-herë na viziton edhe axha Asllan, babai i Rizës, por nuk rri shumë, meqë mendon se do të na pengojë. Vjen për të ndenjur kohë pas kohe edhe mixha i Rizës. Na vizitojnë edhe ushtarët e Shtabit lokal të Berishës e sidomos, komandanti Fadil  Berisha.

Secila ditë është më e gjallë se tjetra. Secili kryen punët e veta. Ismet Sopit i pihen birrat, të cilat asnjëherë nuk na mungojnë. Ismeti këtë e arsyeton me faktin se nuk është mirë me veshkët dhe shton se vetë “mjeku” e ka porositur që të paktën të pijë një apo dy birra në ditë. Bëjmë shaka me Ismet Sopin duke ia përmendur një anekdotë lidhur me traditën e pirjes së rakisë në Llapushnik.

Në orët e pas ditës kanë ardhur për të na vizituar, Adem Grabovci dhe Nuri beu, i quajtur Hoxha, i cili duhet të jetë nga Tetova. Ai nuk na tregon emrin e vërtetë dhe mu për këtë nuk e kam pyetur asnjëherë. Mbase mendon se ne duhet të dimë emrin e tij.

E kemi përgatitur emisionin dhe e kemi transmetuar me kohë. Sot kemi pasur një program më të begatë me tema, meqë Martini ka sjellë biseda dhe reportazhe nga Zona e Drenicës.

Në mbrëmje jam nisur në drejtim të Kizharekës. Ali Mullini ka propozuar që të ndalojë për një ose dy orë në shtëpinë e Adil Cenës, për ta vizituar. Nuk ia prish Aliut dhe pa vonuar trokasim te dyert.

Bacën Adil e takojmë në dhomën e vogël, të shtëpisë së vjetër përdhese, e vetmja që ka shpëtuar pa u djegur nga pirromania serbe. Në këtë shtëpi jeton baca Adil me djemtë dhe nipat. Enveri është në burg, i dënuar për të dytën herë në verë të vitit 1997 dhe Bujari i cili me familjen e tij ndodhet në një banesë në Prishtinë. Iliri dhe Gafurri qysh prej fillimit janë radhitur në njësitet e UÇK-së, ndërsa Naseri kujdeset për familjen shumanëtarëshe. Baca Adil, edhe pse afër 80 vjeç ende duket vital. Ai është njëri ndër mësuesit e parë në Drenicë dhe është njëri ndër këngëtarët më të njohur të Drenicës. Po ashtu ai ka hartuar edhe disa këngë patriotike. Familja e bacës Adil ka qenë gjithnjë e përndjekur, por ka mbetur e pathyeshme. Tani, ashtu sikurse të gjithë banorët e zonave të përfshira në luftë, edhe kjo familje ka brenga, skamje e halle. Si të kalohet dimri në një kasolle dhe në një shtëpizë të vogël? Kështu kanë kaluar vitet e tëra. Gjendje e rëndë e varfërisë ka qenë edhe 35 vjet më parë, kur për herë të parë kam qëndruar një muaj për ramazan si imam në këtë lagje. Tani është edhe më keq, por kësaj radhe  kemi shpresa në fitore.

Baca Adil shpreh frikën e tij të arsyeshme se mos Evropa edhe kësaj radhe do të na lë nën Serbi. Na pyet për Konferencën që po zhvillohet në Rambuje dhe kërkon mendimin tonë për delegacionin e UÇK-së.

-A do të qëndrojnë djemtë, si thua ti? më drejtohet.

-Kam mendim të mirë për ta dhe nuk dyshoj as në dijen as në trimërinë e tyre, ia kthej.

-Mos pa na vë në rrezik Rugova dhe Bukoshi? Vazhdon bisedën baca Adil, i frikësuar me arsye për ndonjë dështim të mundshëm.

-Janë të ligj, ia kthej për t`i dhënë zemër, edhe pse dyshoj në fjalët që i them, meqë e di se ata e kanë përkrahjen edhe të politikanëve evropianë.

Iliri, i cili ka qenë plagosur bukur rëndë gjatë luftimeve në korrik të vitit të kaluar në Rahovec na bën me dije se nëna e tij e ka vizituar Enverin, të cilin e kanë transferuar në Burgun e Mitrovicës së Sremit, në Vojvodinë.

Përshëndetemi me bacin Adil, me Ilirin, Naserin e Gafurrin. Me Ali Mullinin marrim rrugë për në Krojmir. Gjatë rrugës Aliu më bën me dije se ka shfaqur interesim për t’u aftësuar për operator në Radio, një i ri nga Pjetërshtica, Fatmir Dugolli. Ai një kohë ka punuar në servisin për rregullimin e defekteve në radioaparate, së bashku me vëllanë tim të ndjerë Isufin. I them Aliut që qysh nesër të vijë në Berishë edhe Fatmiri me qëllim që të njihet me natyrën e punës.

Në mbrëmje kanë ardhur për të biseduar Syla dhe Elezi. Ata, si zakonisht janë të shqetësuar për rrjedhën e shumë ndodhive të papritura. Punët në Batalion janë vënë në rregull. Ka probleme, por ende janë të natyrës që mund të durohen….

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …