Sot Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, por edhe mbarë vendi po festojnë 20-vjetorin e hyrjes së forcave tokësore të Aleancës Veriatlantike, në vendin tonë. Një festim madhështor gjithsesi i merituar, por nga disa qarqe, politike e mediale dhe qarqe që mohojnë luftën e UÇK-së e kanë ekzagjeruar deri në infinit ndërhyrjen e NATO-së kundër Serbisë, me qëllim për ta vënë në hije luftën e Ushtrisë Çlirimtare gati dyvjeçare, rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari e të Jasharëve, rënien e mijëra dëshmorëve dhe përgjithësisht luftën e UÇK-së, në të cilën morën pjesë rreth 20.000 luftëtarë dhe shumë të tjerë që e kishin ndihmuar këtë luftë nga të gjitha trojet shqiptare, nga mërgata dhe nga miqtë tanë kudo në vendet e botës.
Nuk mohohet dhe nuk ka si mohohet sidomos kontributi që kanë dhënë për çlirimin e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, por edhe i disa shteteve të tjera aleate dhe pjesëtare të NATO-s.
Por duhet të mos harrojmë edhe një fakt real se kurrë dhe në asnjë rast, Amerika, Anglia por as Komanda e NATO-s nuk kanë deklaruar se ata vetë e kanë çliruar Kosovën. Ata kanë deklaruar dhe deklarojnë hapur se lufta e tyre në radhë të parë ka pasur karakter humanitar, me qëllim që të mos lejohej tragjedia edhe më e madhe e këtij populli ashtu sikur kishte ndodhur në Bosnje e Hercegovinë.
Është e vërtetë se UÇK-ja, me të drejtë e ka konsideruar dhe e konsideron NATO-n si aleat, por nuk është e vërtetë që NATO-ja të ketë deklaruar se i ka shkuar në ndihmë UÇK-së, pa përjashtuar faktin se luftohej kundër të njëjtit regjim. NATO-ja dhe asnjë shtet tjetër nuk e kishte armatosur UÇK-në, me qëllim që ajo të luftonte dhe të çlirohej vetë. Po ashtu 20 vjet më parë, me rastin e hyrjes së trupave të Aleancës në Kosovë, nuk ka deklaruar askush nga qarqet ndërkombëtare se Kosova ka fituar luftën, dhe Serbia ka humbur atë, edhe pse ashtu kishte ndodhur realisht.
NATO-ja kishte për mision ta gjunjëzonte regjimin e Milosheviqit, por në asnjë mënyrë shtetin e Serbisë. Trupat e NATO-s u vendosen si forcë paqeruajtëse në kundër të KFOR-it, mision të cilin e ushtrojnë edhe sot.
Asnjë autoritet amerikan, britanik apo i ndonjë vendi tjetër nuk thotë se ne e kemi çliruar Kosovën, por kemi ndihmuar popullin e Kosovës, duke ndjekur regjimin, jo vetëm shqiptarë-vrasës të Milosheviqit.
PO kështu nuk duhet harruar edhe një fakt shumë kokëfortë, se ishte pikërisht lufta e UÇK-së, ajo që e solli Kosovën në agjendat ndërkombëtare të kohës dhe që e kishte filluar luftën pa e pyetur Amerikën apo shtetet e tjera, të cilat në mënyrë unanime kishin qenë kundër luftës, madje në fazën e parë të zhvillimit UÇK-së, jo zyrtarisht atë e kishin shpallur organizatë terroriste.
Ndihma që i ka dhënë Kosovës bota përparimtare demokratike, për t’ u çliruar nga robëria, është e çmuar dhe e tillë do të trajtohet edhe në të ardhmen, por lufta dhe qëndresa e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është faktori kyç i luftës dhe i çlirimit të vendit, sepse po ta kishte ndërprerë luftën UÇK-ja, pas konferencës së Rambujesë dhe po të ishin larguar të gjithë shqiptarët nga Kosova, sikur u larguan dhe ikën gati gjysma e popullatës, çfarë kuptimi dhe çfarë përfundimi do të kishte pasur ajo luftë?
Përpjekje për margjinalizimin e rolit të UÇK-së në radhë të parë ka qenë dhe ka mbetur projekt i Lëvizjes pacifiste shqiptare të Kosovës, e cila deri në fund të luftës nuk e kishte ndryshuar qëndrimin injorues, madje në një segment edhe kishte bashkëpunuar me organizma të caktuar të huaj, për ta paraqitur fajtore UÇK-së, njëjtë si regjimin e Milosheviqit, duke e akuzuar për vrasjen e kundërshtarëve politikë.
Kjo Lëvizje e cila pas luftës i gëzoi 90% të favoreve që kishte sjellë gjaku i lirisë, nuk e pushoi as e ka pushuar luftën kundër UÇK-së, sepse ajo bashkëpunoi me të gjitha organizmat ndërkombëtarë në Kosovë e më gjerë me qëllim që kjo luftë të minimizohet, të etiketohet dhe të demonizohet, ashtu sikur e ka ndodhur dhe po ndodh realisht.
Madje dje, 11 qershori, 20-vjetori i Çlirimit të Prishtinës gati se u hesht në tërësi. Vetëm një deklaratë e një ish eprori të luftës, i botua aty këtu në ndonjë medium.
Vetëm kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, në Prishtinë, Fatmir Sopi, ka kujtuar momentet e 20 viteve më parë nga betejat e UÇK-së, duke përmendur edhe hyrjen e NATO-s, në Prishtinë. Ai ka saktësuar se kjo ditë e madhe, pra 11 qershori i vitit 1999 kthen kujtesën tonë 20 vite më parë ku u zhvillua njëra nga betejat më të guximshme të UÇK-së në rajonin e Prishtinës. Qysh në ditët e para të qershorit 1999 u mor vendimi që njësitet e gueriles BIA të cilat kishin përgjegjësinë e veprimeve ushtarake në Prishtinë të merreshin me sigurimin e bazave të nevojshme dhe informacioneve mbi lëvizjet, aktivitetin, dhe pozicionet e forcave serbe. Pas analizave të nevojshme dhe informacioneve të forcave policore, ushtarake, serbe, kanë filluar plaçkitjet, djegiet shtëpitë nëpër lagjet periferitë e Prishtinës, u dha urdhri që njësitet më elite Brigadës 153 dhe të gueriles BIA të cilat e mbanin të rrethuar Prishtinën të futeshin në kryeqytet. Forcat serbe të ndodhura përballë sulmeve të UCK-së dhe kërcënimeve të vazhdueshme të NATO-s dhe bombardimeve të tyre, u detyruan të fortifikohen nëpër kazerma duke pritur momentin e tërheqjes përfundimtare nga Prishtina. UÇK-ja kontrollonte pothuajse tërë Prishtinën dhe me datë 11 qershor 1999 ngriti flamurin kombëtar duke shpallur kryeqytetin të lirë. Në këtë moment u realizua ëndrra shekullore e popullit tonë”, tha ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Sopi.
Dje më 11 qershor 2019 ndodhi edhe një precedent tjetër. Zyrtarët e komunës së Fushë Kosovës, me rastin e caktimit të vendit për ngritjen e një shtatores për komandantin, Adem Jashari, nuk ftuan në ceremoni asnjë nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Po ashtu dje në mënyrën më të zbehtë u përkujtua 20-vjetori në Konferencën shkencore “Kosova – rruga drejt lirisë” 20-vjetori i çlirimit të Kosovës. U la nën hije 141-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Janë fakte këto por që hasin në vesh të shurdhër, në veshin e ADN-së pacifiste, shekullore.
Këto veprime, kjo “neglizhencë”, kjo formë e heqjes dorë nga gjaku i derdhur, nga mundi e djersa nga qëndresa shekullore shqiptare prej vitit 1912 e deri në qershor të vitit 1999, është më shumë se neglizhencë, është një indolencë tipike, pacifiste shqiptare, është një morbiditet i llojit të vet, është heqje dorë vullnetarisht nga dinjiteti, lufta, gjaku i derdhur dhe martirizimi i qindra e mijëra shqiptarëve në shekullin e fundit, me qëllim për ta krijuar Shtetin e përbashkët, ashtu si kombet e tjerë të Ballkanit e më gjerë.
Këtë heqje dorë vullnetare nga vetvetja, e them me përgjegjësi, heqje dorë në mënyrë indolente nga shumica shqiptare kudo ku ajo jeton, në radhë të parë nga krerët tanë qeveritarë e politikanë, që veprojnë me koka e krena të tjerë, gjithnjë të huaj, kam frikë se shënon fazën përfundimtare të larjes së trurit kombëtar shqiptar.
Ja si u shpreh sot në 20-vjetorin e Çlirimit, kryekuvendari Veseli: “Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Shpëtuat një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe shtrohet pyetja pse atëherë duhet të ngrihet monumenti i gjenocidit pasi nga ai gjenocid na paska shpëtuar Amerika e NATO-ja.
Shqiptarët pacifistë në gjene e kromozome trashëguese nuk e duan bashkimin, nuk duan të faktorizohen si komb tetë milionë në një shtet të vetëm për t u bërë faktor kombëtar, por duan të mos u prishet rehatia, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë shtet artificial i krijuar në kohën e regjimit të Titos, Greqisë, e cila edhe ashtu ka pushtuar jugun e Shqipërisë, jo vetëm fetarisht e ekonomikisht por edhe politikisht.
Njëzet vjet pas çlirimit, Kosova ende ndodhet në udhëkryq, statusi i saj është degraduar, një numër shtetesh, sa do të parëndësishme qofshin ato, e kanë hequr njohjen e pavarësisë. Evropa zvarrit liberalizimin e vizave dhe na mbanë në geto. Po kështu, njëzet vjet pas çlirimit flitet për kompromis të ri që Kosova duhet t i bëjë Serbisë, në një kohë kur kriza politike në Shqipëri ka arritur kulmin dhe kur shqiptarët e papunë dhe pa perspektivë, ikin nga të mundin në shtetet e botës.
Së shpejti do të fillojë ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër UÇK-së dhe do të vihet në pikëpyetje edhe pavarësia e Kosovës, meqë ajo në radhë të parë është rezultat i kësaj lufte dhe jo i shteteve që na kanë ndihmuar.
Në këtë kaos, në këtë gjendje pa rrugëdalje, ne për një ditë të vetme festojmë, kujtojmë, argëtohemi, dalldisemi dhe qysh nesër fillojnë të na konfigurohen problemet, papunësia, skamja e varfëria në njërën anë e luksi i milionerëve e miliarderëve shqiptarë në anën tjetër, pasuria pa kulm e zyrtarëve, të cilët qesëndisim popullin fukara me konstatimin se dy tre milionë euro në duar i ka çdo politikan, madje si minimum e qindra mijëra të papunë që jetojnë me një euro e gjysmë shpenzime në ditë.
12. 6. 2019