Rreth orës gjashtë të mëngjesit janë dëgjuar detonime të fuqishme nga pozicionet serbe të Kroi i Mbretit, në drejtim të Vasilevës, Korroticës dhe fshatrave të tjera të Gllogocit. Vija e luftimeve ka përfshirë relacionin Komaran, Gllogovc, Terstenik, Polac, Skënderaj. Serbët po bëjnë përpjekje të depërtojnë në të gjitha pikë pozicionimet e UÇK-së.
Edhe pse rrezja e veprimit të armës armike po zgjerohet, rreth orës tetë me Ali Mullinin jam nisur në drejtim të Kizharekës. Rrugën deri në Berishë e kam kaluar me mundime por më i mobilizuar se herëve të tjera.
Lajmet nga terreni që i referohen Agjencisë Kosovapres dhe Radios Kosova e Lirë, bëjnë me dije se edhe në zonën e Shalës dhe të Llapit kanë filluar luftime të ashpra. Luftime po zhvillohen edhe në zonën e Kaçanikut dhe në disa fshatra të rrethinës së Suharekës, në drejtim të Reshtanit e Semetishtit. Lëvizje taktike të forcave serbe vërehen edhe në drejtim të Rrafshnaltës, por tani për tani ende nuk ka filluar sulmi.
Luftëtarët tanë kanë zënë pozicionet dhe janë në gjendje të lartë të gatishmërisë për të rezistuar.
Të gjithë së bashku kemi punuar në përgatitjen e programit. Martini zakonisht ndodhet në terren në Zonën tonë. Neziri bën redaktimin e informatave. Valdeti dhe Fatmiri bëjnë montimin dhe realizimin teknik. Nusret Pllana dhe Ismet Sopi i lexojnë informatat dhe shënimet e komentet. Një punë të sukseshme në daktilografimin e informatave e bën edhe Metë Bytyqi. i cili ka ardhur kohë më parë për të punuar në Agjenci dhe në Radio. Meta është student nga fshati Arllat, këtu afër Berishës.
Në orët e pas ditës zjarri i armëve të rënda të armikut ka përshkuar edhe disa fshatra të Qyqavisë legjendare. Flitet se mijëra banorë të fshatrave përreth janë tubuar te Xhamia e Qirezit dhe po presin në borë dhe acar pa ditur se kah do të drejtohen.
Programin ditor e kemi përgatitur si gjithnjë me kohë dhe po ashtu e kemi emetuar në kohën e caktuar gjithnjë duke filluar në orën 16.00.
Në mbrëmje Martin Çuni na ka raportuar nga pozicionet e UÇK-së në Gradicë të Drenicës. Ai na bën me dije se luftimet janë shumë të ashpra, ndërsa popullata civile është në gjendje tejet të rëndë dhe ndodhet e rrezikuar nga predhat e armës së armikut. Luftimet janë zhvilluar edhe në drejtim të Polacit dhe të Prekazit dhe fshatrave të tjerë përreth në anën veriore të Qyqavisë.
Në selinë e Radios Kosova e Lirë nga Varigoci ka arritur edhe Vehbi Zeqiri, Ai na bën ne dije se në vendin e quajtur Kërçevë afër fshatit Ribar i Madh janë instaluar forca të shumta tankiste, topa të kalibrave të mëdhenj dhe armë të tjera të rënda. Banorët e fshatrave Leletiq, Vërshec, Qylagë e Magurë janë zhvendosur në drejtime të caktuara. Vehbiu i ka përcjellë me shumë vëmendje lëvizjet e forcave armike. Ai mendon se vendosja e njësive të motorizuara në Kërçevë dhe përgjithësisht në Blinajë bëhet për arsye taktike, meqë serbët sipas të gjitha gjasave llogarisin edhe në bombardimet e NATO-së, kështu që ata i kanë larguar forcat nga Sllatina.