Ahmet Qeriqi: Ofensiva serbe e fundit të korrikut të vitit 1998 kundër UÇK-së - në Zborc, Blinajë, Carralevë, Grykë e Llapushnikut I

Ahmet Qeriqi: Ofensiva serbe e fundit të korrikut të vitit 1998 kundër UÇK-së – në Zborc, Blinajë, Carralevë, Grykë e Llapushnikut I

(“Kronikë lufte I II –  29 maj 1998 – 24 qershor 1999)

Me Nezir Myrtajn shkojmë në selinë e zëdhënësit të SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në Kleçkë

(E premte, 24 korrik 1998)

Pasi i kemi kryer disa obligime në Zyrën Civile ushtarake në shkollën e fshatit Krojmir, unë dhe Nezir Myrtaj,  të shoqëruar  nga Elez Durmishi dhe Halil  Olluri nisemi në drejtim të Kleçkës. Halili, i biri i Jakup Ollurit, qysh në fillim të marsit së bashku me Ramiz Qeriqin kanë ardhur të armatosur dhe janë sistemuar në fillim në Likoc, pastaj në rrafshnaltë. Unë me Nezën kemi ndaluar te Selia e Jakup Krasniqit, në Kleçkë, ndërsa Elezi dhe Halili kanë vazhduar rrugën për në Shtabin e Likocit, ku kohë më parë e kanë dërguar një mitraloz për t`i  evituar disa defekte.

Me Jakup Kasniqin,  kemi biseduar lidhur me domosdosshmërinë e themelimit të institucioneve  të informimit publik në kuadër të Drejtorisë të Informimit, në krye të së cilës ishte emëruar, Shaban Shala. Të tre jemi pajtuar se tani për tani mungon qasja dhe paraqitja reale i informimit objektiv, nga zonat e luftimeve. Zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi  ka premtuar nga ana e tij se së shpejti do të krijohen kushte për fillimin e transmetimit të një radioje lokale, e cila sipas të gjitha gjasave duhet të vendoset në Malishevë, ndërsa çështja e aktivizimit të shtypit paraqitej si punë më e vështirë, edhe pse ishte siguruar një shtypshkronjë, e cila po ashtu ndodhej diku në fshatrat e Qyqavisë, në zonat e UÇK-së.

Pasi jemi përshëndetur me Jakupin, të cilin e prisnin për të biseduar dy oficerë, së bashku me Nezën nisemi për në Shtab, në Kleçkë. Te dera e Shtabit, Shukri Buja na bën me dije se  gjatë luftimeve, në Rahovec kanë rënë dëshmorë edhe tre luftëtarë të njësisë Çeliku, në mesin e tyre edhe Sadik Shala, djali i Hafir Manit, ku aktualisht është vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Me Nezën dhe disa fshatarë, që prisnin para shtabit nisemi në drejtim të shtëpisë  në të cilën mbahej pamja.

Babai i dëshmorit, Hafir Mani, qëndronte burrërisht. Ai nuk po jepej, edhe pse dukej i lodhur nga pagjumësia dhe i munduar nga dhembja për djalin turpi i të cilit nuk ishte tërhequr nga vend-luftimi.

Pas një kohe të qëndrimit në odën e Hafir Manit, së bashsku  me Nezirin nisemi në drejtim të Shalës, duke e ditur se ndërkohë do të kalonte ndonjë veturë. Pa vonuar e ndalon veturën ushtari nga Dukagjini i quajtur, Isuf Tahirsylaj, i  angazhuar në logjistikë të Zonës së Dukagjinit  dhe për çdo ditë përkujdeset për kamionët dhe miellin që depërton nga Blinaja në Prapaçan, apo gjetkë. Së bashku me të ishte dhe një bashkë-udhëtar tjetër, jemi zdirgjur  në fshatin Shalë, ish-Sedllar.

Kemi ndaluar në Shalë te miku im, Vehbi Shamolli dhe pasi kemi pushuar pak, na bëjnë me dije se kanë filluar luftimet në vijat e fronit rreth  Komaranit, Sankocit dhe Fushticës. Pa humbur kohë jemi kthyer në Krojmir, te Shkolla.

Neziri ka  shkuar te shtëpia e përbashkët familjare  ku ndodhej bashkëshortja e tij Kadrije Gashi, djali i tij Endrit dhe familja ime e ngushtë dhe e gjerë,  ndërsa unë shkoj te shkolla Në kohën kur po e përcillnim ditarin e mbrëmjes të TVSH-së,  një ushtar më bën me dije se nga vendluftimet, Jetë Hasani me disa luftëtarë

Jakup Krasniqi dhe stafi i RKL

Pjesë e koduar  pesë rreshta…

Natën vonë nga Shtimja ka arritur edhe babai im Aliu, i cili sapo e ka marrë vetën pas operacionit në veshkë. Ai brengoset për familjen e katandisur në çdo anë, por nuk jepet. Unë me Hasanin dhe bijtë e Jusufit ndodhemi në Krojmir, ku është edhe mixha im Mehdiu dhe bashkëshortja e tij e tezja ime, Ajshe Kadri Beba. Mixha qysh heret ka qenë i organizuar në grupin e Jetë Hasanit, Sylë Qeriqit, Elez Durmishit e të tjerëve. Radhëve të luftës iu kanë bashkura edhe bija ime, Arbana, djali Epiri edhe pse ende nuk e ka mbushur moshën, bija e mixhës Melikija.  Vëllai im, Osmani me familje ndodhet në Prishtinë. Arbeni, djali i tij me familjen në Shtime. Salimi në Gjermani…

Mjeku, Fatmir Xhelili, na njofton se sipas të gjitha gjasave, dhe duke u mbështetur në grumbullimin e tankeve “Te Pishat e Shtimes”, nesër në mëngjes do të fillojë ofensiva e përfolur e forcave serbe kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Grykë të Caralevës, në Grykë të Llapushnikut dhe në disa fronte lufte në Drenicën Qendrore. Fatmir Xhelili  me Jakup Ismajlin, Naser Bytyçin, Reshat Gashin dhe personelin tjetër ndihmës janë mobilizuar për të qenë të gatshëm me rastin e fillimit të sulmit të sigurt.

Derisa i lodhur, i dërrmuar dhe  rraskapitur nga pagjumësia po i shënoj këto ngjarje të ditës, filloi agu, e së bashku me agun u dëgjuan edhe gjëmimet e para të  topave drejt Grykës së Llapushnikut…

Nuk kam fjetur as një çast. Krismat e armëve të rënda të artilerisë së armikut  e kanë dhënë alarmin e fillimit të ofensivës në orën 4.45 minuta…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …