Ahmet Qeriqi: “ORA” e Surroit ndaloi në në 4. 2

Në mesin e gazetarëve dhe “intelektualëve” që u bënë të njohur duke dënuar nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar në Kosovë ishte edhe Veton Surroi, djali i njërit prej shumë ambasadorëve të regjimit titist të kohës. Avansimi i tij nuk ishte i rastësishëm, meqë si bir ambasadori, ai ishte i lidhur ngushtë me politikën e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me kombet sllave në luftën e ashpër që zhvillohej sidomos në vitet ’80 të shekullit të kaluar kundër shqiptarëve liridashës që dëshironin liri, barazi dhe bashkim kombëtar. 
Besnikëria prej skllavi doli sheshit me shkrimet e tij të botuara në shtypin e kohës, serbisht dhe shqip, kundër të burgosurve shqiptarë që kërkonin: “Republikë-kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, liri dhe barazi me të tjerët. Një prej shkrimeve të tij më të përçudnuara, në drejtim të “damkosjes” së nacionalizmit shqiptar doemos është komenti i botuar me 9 shtator të vitit 1987 në gazetën “Rilindja” ku ai “demaskoi verbërinë nacionaliste shqiptare” të identifikuar me veprën e Aziz Kelmendit. Ja se ç’ shkruante Surroi asokohe: 

Veton Surroi “Kthimi prej matanë arsyes” 

Tragjeditë gjithnjë na kthejnë brenda vështirësive dhe gjetjes së atyre simboleve që kanë domethënie për vetë ekzistencën tonë njerëzore. Na çojnë të kërkojmë shenja identifikimi të përbashkët që na lejojnë t’i tejkalojmë më lehtë momentet e dhimbjes. Kështu ndodh edhe sot, pasi që u varrosen të katër ushtarët e vrarë nga Aziz Kelmendi në kazermën e Paraçinit. 

Krimi, ç’është e vërteta, si çdo herë gjerë më tani në historinë njerëzore, është përgjigjja praktike në pyetjen e përhershme që ia bën njeriu vetes se ç’fshihet në pjesën destruktive të njeriut, atje matanë arsyes. Shkatërrimi dhe vetëshkaktërrimi i jetës njerëzore nuk kanë nevojë për shpjegime të mëdha: janë pjesë të anës së zezë të vetë historisë së tij. Megjithatë, shtjellimi i këtoditshëm i së kaluarës së vrasësit e ngjyros krimin e tij me ngjyra urrejtjeje kombëtare. Shënimet e prezantuara për veprimtarinë armiqësore, për indoktrinimin me ideologji nacionaliste nga pozitat shqiptaromëdha e vënë aktin e vrasësit në kategorinë e shfryrjes së vetëdijes nacionaliste me anë të terrorit. Kategoria antikombëtare e nacionalizmit tejkalon me këtë rast çdo shkallë tjetër për të arritur në atë skajshmërinë e antihumanitetit. E kalon duke kapërcyer mbi kufomat e katër të rinjve, dhe mbi tronditjen e tërë vendit, në radhë të parë të kosovarëve, me atë kalim matanë arsyes. 
Kthimi prej matanë arsyes është i rëndë. Është të shikohen në sy familjet e pikëlluara, të cilave asnjë fjalë ngushëllimi, pra se këto, nuk do të mund t’ua kompensojnë praninë e djemve, që i përcollën me hare e i priten me dhembje. Është të pranohet se dikund kemi gabuar, sepse asnjë tmerr kaq i madh nuk ka mundur të ndodhë rastësisht. 
Kthimi prej matanë arsyes do të thotë të shihet edhe pse janë fshehur karakteristikat mbi veprimtarinë asociale të një njeriu, mbi veprimtarinë kundër kësaj shoqërie, dhe pse, përkundër të gjitha këtyre të pranohet edhe në LKJ! Por, ç’është më së vështiri të shihet edhe prej nga këso ngarkesash nacionaliste të një njeriu, i cili qe 14 vjeçar më 1981. Pra, të eliminohen ato. 
Pra, të mos pranohet prania e urrejtjes, e cila ka kohë ka kaluar atë nivelin e vet individual dhe me praninë e nacionalizmit po orvatet të marrë statusin e vet shoqëror. T’i kthehemi zhdukjes së urrejtjes, madje edhe si kategori individuale, sepse krimet nuk ndodhin pa të. E ky krim nuk është drejtuar vetëm kundër jetës së katër njerëzve, por edhe kundër të gjithë neve, bashkësisë sonë të organizuar. Urrejtja e Aziz Kelmendit, ndonëse e manifestuar individualisht, kaherë i ka kaluar ata kufij. Ka prekur, nëpërmjet sulmit në APJ, në të gjithë ne. 
Të ecet drejt arsyes, do të thotë edhe që krimi të mos jetë i identifikuar me gjë tjetër, pos me urrejtjen. Njeriu i cili e kreu krimin me antihumanitetin e tij tejkaloi çdo përkatësi tjetër që pati, pos asaj irracionale. Të ecet drejt arsyes, megjithatë nuk është ecje drejt harresës: nuk mund të harrohet prej nga është dhe ç’ka mundur të ndikojë rrethi i tij. 
Kjo ecje drejt arsyes asgjëmangut është në rend kthimi kah simbolet tona ekzistenciale, kah shenjat tona të përbashkëta të identifikimit, kah domethënia e përditshme e idealeve e të nacionaliteteve të vëllazëruara dhe të fatit të tyre të përbashkët, kah vetëdija se pikërisht tash, më shumë se ndonjëherë gjerë më tani, na nevojitet fronti i përbashkët kundër urrejtjes, simbol i së cilës qe kësaj here, vrasësi, Aziz Kelmendi. Kundër urrejtjes, pra, që me vrazhdësinë më ekstreme po orvatet të depërtojë brenda qenieve tona shoqërore, kundër atyre bombave latente që janë të drejtuara kah qenia e bashkësisë sonë, kah simbolet e saj, pra edhe kah jeta e të rinjve tanë. Krimi në Paraqin është edhe një mësim që e dëshmoi këtë, por mësimi u pagua shumë shtrenjtë.( Rilindja, 9 shtator, 1987) 

Më vonë me rastin e fillimit të pezullimit të autonomisë së Kosovës, Surroi do të bëjë përpjekje për ta ruajtur Jugosllavinë, duke qenë njëri prej organizatorëve të formimit të një organizate panjugosllave, të quajtur UJDI, ku ai përfaqësonte Kosovën. Meqë Jugosllavia tashmë po shkonte drejt ambisit, Surroi me klasën e tij politike titiste, bëri përpjekje që Kosova të rifitonte të drejtat që kishte pasur në kushtetutën e vitit 1974. Me rastin e instalimit të regjimit kriminal të Milosheviqit, Surroi, filloi të botonte gazetën javore “Koha”, gazetë kjo kozmolopite, e cila kritikonte regjimin e kohës, por më shumë kritikonte nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar, duke e fajësuar atë edhe për pezullimin e autonomisë së Kosovës. 
Surroi, i përkrahur nga klasa e gazetarëve të shkollës titiste të Kumrovcit, kishte ofruar rreth vetes disa bashkëpunëtorë të njohur për propagandën që zhvillonin kundër të burgosurve politikë të Kosovës si: Yber Hysa, Baton Haxhiu, Shkëlzen Maliqi e të tjerë. Qëndrimi i tyre përbuzës kundër të burgosurve, të cilët syonin krijimin e Republikës së Kosovës, ishte pika ku ata pajtoheshin me regjimin, ishte pika ku ata diferencoheshin si përfaqësues të moderuar të Kosovës, të cilët nuk do të shkëputnin lidhjet e tyre me Beogradin, nga ku edhe fitonin favore të shumta. 

Gjatë tërë kohës së luftës në Kosovë (1998-1999), atij nuk i mungoi asnjë qime floku, nuk iu ndalua gazeta “Koha Ditore” që ai e drejtonte dhe nuk iu ndal përfitimi. Ai tashmë drejtonte gazetën numër një në Kosovë, e cila botohej me një tirazh të jashtëzakonshëm. Surroi, në konceptin e tij redaksional arriti të krijojë një baraspeshë mes politikës pacifiste të LDK-së, duke mos rënë në konflikt të hapur me regjimin, në organet e të cilit ishte regjistruar gazeta dhe ku ai paguante taksat e detyrimet e tjera. “Koha Ditore” rezervohej të kritikonte regjimin e Milosheviqit, ndërsa nuk rezervohej të botonte shkrime fyese e përbuzëse kundër luftës së UÇK-së. “Koha” botonte edhe fotot e të rënëve e të dëshmorëve, kuptohet me një çmim shumë më të lartë se gazetat e tjera, dhe këtë nuk e pengonte regjimi, i cili vriste dhjetëra e nganjëherë edhe qindra shqiptarë liridashës gjatë ditës. 
Surroi me elitën “intelektuale” dhe stafin e tij në gazetari nuk donte konflikt, madje, ai iu përkujtonte shqiptarëve edhe kohën kur në periudhën shumëshekullore të robërisë turke kishin qenë pjesë e parlamentit turk, duke arsyetuar edhe futjen në parlamentin e Serbisë. 
Me qëllim të caktuar, ai nganjëherë mori pjesë edhe në demonstrata paqësore, që zhvilloheshin në Kosovë gjatë kohës së luftës kundër regjimit të Milosheviqit, por as u arrestua, as u dënua për këtë pjesëmarrje, edhe pse një herë u lag nga policia, e cila po shpërndante vrushkuj uji për të shpërndarë demonstruesit. 
Me qëndrimin e tij asnjërës (nëse mund të thuhet se mbante me konsekuencë një qëndrim të tillë) Surroi tashmë mbante lidhje edhe me disa politikanë nga kreu diplomatik i Evropës, të cilët e përkrahin pikërisht për qëndrimin e tij të moderuar. Duke e çmuar angazhimin e tij “neutral” diplomatët perëndimorë do ta bëjnë pjesë të procesit politik në Konferencën e Rambujesë, ku Surroi përfaqësonte shoqërinë civile, e cila çuditërisht funksiononte nën regjimin kriminal të Milosheviqit. 
Prej asaj kohe, Surroi, do të fillojë të kyçet në të gjitha proceset politike të vendit tonë në vazhdim, duke mos u luhatur në qëndrimin e tij shpërfillës kundër UÇK-së, por edhe kundër Milosheviqit. Ky pozicion, i solli përkëdhelje krejtësisht të pamerituar nga përfaqësues të ndryshëm të politikës ndërkombëtare, meqë Surroi jo vetëm njëherë fyu me cinizëm e arrogancë luftën e UÇK-së. Dhe nuk u ndal vetëm me kaq, Ai kundërshtoi me forcë proklamimin e ditës e çlirimit të Prishtinës, më 11 qershor 1999 nga luftëtarët e UÇK-së, një ditë para hyrjes së trupave të NATO-s. Jo vetëm njëherë ai u tall me ushtarët e UÇK-së, të cilët sipas tij nuk kishin pasur as çka të hanin gjatë luftës, e jo më të kishin luftuar, edhe pse me armë në dorë dhe me uniformën e UÇK-së, në frontet e luftimeve kishin rënë mijëra dëshmorë e martirë, me siguri shumë prej tyre edhe të uritur, por më shumë të uritur për lirinë e Kosovës, sesa për bukën e gojës. 
I përkëdheluri i disa qarqeve politike evropiane, Veton Surroi, filloi të përforcojë pozitat sidomos pas luftës. Ai tashmë po sillej si një “lord” kosovar, si njeri me influencë, fjala e të cilit peshohej, pikërisht për shkak të qëndrimit të tij larg UÇK-së. Në këtë pozicion Surroi ofroi rreth vetes ish klasën e moderuar titiste, e cila tashmë kishte afishuar edhe qëndrimin e vet politik. 
Duke bërë të ditur paraprakisht për opinionin pasurinë që kishte ngritur para, gjatë dhe pas luftës, Surroi krijoi partinë e tij “ORA” duke konsideruar se tashmë kishte ardhur “ora” e tij, për të korrë edhe fitore të tjera. Në zgjedhjet e parafundit ai arriti të fitojë 7 vende në Kuvendin e Kosovës, duke e radhitur partinë në mesin e partive “serioze”. Pa vonuar, ai do të bëhet figurë kyçe në Grupin e Unitetit, ku përfaqësimi i tij do të ishte jo vetëm i barabartë, por edhe më i avancuar se i disa të tjerëve, me prejardhje nga lufta e UÇK-së. 
Të gjithë mendonin se partia e tij po shënonte ngritje enorme. Vetoni tashmë po dehej nga fitoret. Në paraqitjen e tij të jashtme filloi të improvizonte qëndrimin prej burrë shteti të Josip Broz Titos, duke u paraqitur në konferenca shtypi me dorën në xhep dhe me një fodullëk të njeriut, nga ndikimi i të cilit nuk u shkëput asnjëherë. 
Duke qenë i sigurt se partia e tij ishte në lulëzim e sipër, ishte Veton Surroi, ai, i cili propozoi pragun zgjedhor, për zgjedhjet e 17 nëntorit, duke menduar se atë nuk do të kalonin disa parti të vogla, të cilat megjithatë duke ditur mungesën e elektoratit iu qepen pas Thaçit dhe Sejdiut. 
Surroi, pësoi fiaskon, që logjikisht edhe pritej ta pësonte një ekzemplar i tillë titist, në kohën kur Kosova ende po shëron plagët nga regjimet kriminale okupatore jugosllave, të kralit, të Titos, të Rankoviqit e të Milosheviqit. 
Surroi pranoi humbjen. Ora e tij ndaloi në 4.2. Një ndalje e logjikshme për një kreaturë të amalgamuar në kohët e rënda e të vështirta të robërisë. Vetoni megjithatë ka fituar shumë më tepër sesa ka merituar me qëndrimin e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …