Donna Erina Paleologu, vajza e Llazarit, Princit të Serbisë, paska lindur 70 vjet pas vdekjes së babait (!)
Në debatin për origjinën e Kastriotëve, (i sponsorizuar nga qarqet serbe, në Shqipëri), tani kur Vuçiq po bën përpjekje t’ iu afrohet shqiptarëve, si skilja presë së vetë, përveç Mustafa Nanos, që si duket në fund do të zbulojë edhe origjinën e vet serbe, në këtë vazhdë është, mendoj pa qëllim të keq edhe shkrimi i Ylli Pollovinës, i cili çuditërisht iu referohet atyre që ai i quan fakte historike dhe të cilat janë krejtësisht të paargumentuara. Fillimisht dua të besoj se është fjala për një gabim trashanik, të cilin autori nuk e ka vërejtur, ose e ka interpretuar jashtë të dhënave historike, jashtë kohës dhe hapësirës, ose burimi është i pasaktë, sepse është krejtësisht jashtë çdo logjike, që bija të lind 70 vjet pas babait, ajo logjikisht mund të ketë qenë vetëm stërmbesa, por në këtë rast, nuk ka të bëjë fare me të vërtetën.
Në tekstin e botuar në “Telegraf”, interpretuar nga “Shqiptarja” në sqarimin e Ylli Polovinës shkruan: “Në librin “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut“, Polovina mes të tjerash e informon lexuesin se “Nga Donika e Skënderbeu lindi Gjoni”, shkruan princi i Beratit, Gjon Muzaka, në testamentin e tij të shumënjohur. Pastaj shton: “Gjoni ishte Dukë në San Pietro të Galatinës dhe pat për grua Donna Erina Paleologun, vajzën e Llazarit, Princit të Serbisë. Nga martesa e tyre lindën shumë fëmijë, të gjithë të vdekur, vetëm dy mbijetuan – një mashkull dhe një femër: Don Ferrante Kastrioti, Duka i San Pietros, dhe Donna Maria Kastrioti”.
Si mund të ishte, Donna Erina Paleologu vajza e Mbreti Llazar të Serbisë, i cili ishte vrarë në Fushë të Kosovës më 15 qershor të vitit 1389, ndërsa bija e tij Dona të martohej me djalin e Skënderbuet më shumë se 80 vjet më vonë?
Mbreti Llazar i Serbisë ( 1329-1389) është vrarë 20 vjet para lindjes së Gjergj Kastriotit, në moshën e tij 60-vjeçare. Historikisht dihen emrat e gjashtë bijave të tij.
Pasi Milush Kopiliqi kishte mbytur me thikë Sulltan Muradin e Parë, i biri, Sulltan Bajazidi për shkak të mos kujdesit për babanë, e kishte vrarë vëllanë e tij, Jakupin. Pas vrasjes së Llazarit nga turqit, Gruaja e tij Milica dhe dhëndri i saj, Vuk Brankoviq iu nënshtruan Sulltanit. ( Josef Von Hammer, Istorija Turskog Osmanskog Carstva, zagreb 1979). Këto të dhëna faktohen edhe në shkrimet e historianit turk, Enveriu, 60 vjet pas Luftës së Kosovës. (Salih Trako, Studime orientale, Prishtinë, 2002). Faktohen edhe në Historinë e Serbisë dhe në të gjitha enciklopeditë. Në tekstin e Historisë së Popullit Shqiptar, nuk figurojnë të dhëna të tilla për origjinën e gruas së Gjonit të Gjergj Kastriotit. Kjo martesë nuk figuron as në studimin më të arrirë shkencor të historianit, Selami Pulaha, njohësit të shkëlqyer të Mesjetës, prezantuar në librin, “Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV, në burimet osmane” , Tiranë, 1968.
Sa për saktësi dhe korrektësi, ja cilat ishin bijat e Mbretit Llazar Hebrelanoviq, sipas enciklopedisë serbe:
Mara e martuar me Vuk Brankoviqin, në vitin 1371,
Jelena e martuar me Gjergj Ballshën e Dytë, rreth vitit 1386,
Dragana e martuar me Jovan Shishmanin, në vitin 1386,
Teodora e martuar për Nikolla Gorjanskin e Dytë, në vitin 1387,
Olivera e martuar me Sulltan Pajazitin, në vitin 1390,
Vukosava e martuar me Milush Kopiliqin, në vitin 1378, ky burim ndodhet në librin, Josef Von Hammer, Istorija Turskog Osmanskog Carstva, zagreb 1979).
( Vikipidia, Lazar Hrebeljanović)
Pretendimet për deformimin e historisë së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut kanë qenë dhe po mbesin konstante. Kjo për mendim tim bëhet me qëllim që të goditet bazamenti i shqiptarisë, sepse Skënderbeu, pas ikjes nga Turqia nuk luftoi për interesat e Bizantit, aq më pak të Serbisë vasale, të katandisur e të nënshtruar, as për interesa të Evropës apo të krishterimit, por thjesht luftoi për ta bërë një Shqipëri, në Ballkan dhe këtë e kishte arritur në kohën kur me prijësit shqiptarë, të cilët e përkrahen, duhej të përballej jo vetëm me Perandorinë më të madhe të botës, por edhe me prijësit vasalë të Ballkanit, me tradhtarët deri në rrethin e ngushtë familjar dhe me pabesinë e shteteve të Evropës, të cilat e lavdëronin, por kurrë nuk e ndihmuan ashtu sikur e meritonte.
Se kush fiton nga këto përpjekje hileqare, për deformimin e së kaluarës, nuk është vështirë të dihet, por spekulimet, të pavërtetat, amputimet e derisotme, jo vetëm që nuk lëvizën qoftë edhe një gurë nga Kështjella Idealiste, Skënderbegiane, por e bënë dhe po e bëjnë edhe më të pavdekshme historinë e tij të lavdishme. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka qenë dhe është identitet historik, mishërim kombëtar i shqiptarëve. I tillë ka mbijetuar në tërë historinë tonë kombëtare dhe i tillë po mbijeton në kohën kur Lindja dhe Perëndimi, edhe tani duan të na përvetësojnë për interesat e tyre.