Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Partia e Ilir Metës për Integrim herë në PD herë në PS, sipas interesit për të qenë në krye gjithnjë

Duke folur për Lindorin shqiptar, filozofi i madh i kombit, profesor,  Kristë Maloku në gazetën, “Përpjekja Shqiptare” të vitit 1937 ka shkruar:

“Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë, që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Shet babë e nënë, besën e nderin e vet, për të mos thënë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e vetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vetes këto të mira ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet është kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët, ashti si ujqit që vejnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet,  kur dobësohet apo plagoset udhës. Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek. Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi. Është gabim kur thuhet se Lindorizma na ka ardhur fillimisht nga Azia, apo nëpërmjet fesë islame, apo edhe nga populli turk. Jo kurrsesi, Lindorizma e jonë është një dhunti fatale e krishterimit euro-aziatik”.

Ky përkufizim për “lindorin shqiptar”, (sipas  mendimit tim) është përkufizim gjenial dhe si mund të përshkruhet ndryshe një tip shqiptari, i cili edhe ADN-në e ka nga lindorizma, por nën maskë të perëndimorizmës së quajtur demokratike.

Përshkrimi i Kristë Malokut për shqiptarin e viteve 30 të shekullit të kaluar është përshkrim tipik në situata tipike, edhe sot,  80 vjet më vonë. Ja si e nxori edhe një herë në krye Ilir Metën, Çadra e Berishës dhe Bashës, ashtu sikur e kishte nxjerrë edhe më herët, besnik e tradhtar, tradhtar e besnik, sipas momentit, sipas llokmës, interesit për kolltuk.

Ku ka përshkrim më të qëndrueshëm për lindorin shqiptar, “që bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, ( i djathë e i majtë)  përparimtar e reaksionar”.

A nuk është ky Ilir Meta?

Ilirmetizmi po  futet si faqe “e vrugnueme” ndër politikanët shqiptarë, ashtu sikur thuhet edhe në Kanunin e Lekës “ fytyrën e vrugnueme në daç laje në daç vrugnoje edhe më tej, është në dorën e gjithsecilit”. Një ilrimetizëm të tillë e kemi edhe në Kosovë ku dy partitë kryesore PDK-LDK, gjatë fushatave zgjedhore bëjnë përpjekje t’ ia nxjerrin  sytë njëra tjetrës, akuzojnë madje edhe për krime lufte, fryjnë bulçitë, shahen, fyhen përbuzen, por kur e do kolltuku, llokma, bëhen bashkë, “ashtu si ujqit që vejnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet,  kur dobësohet apo plagoset udhës” (K. Maloku).

Ilirmetizmi është tipar tipik vetëm i politikës aktuale shqiptare. Një ta quajmë “fenomen i tillë “sui generis”  nuk haset te popujt e tjerë të Ballkanit.  Nuk është vërejtur në këtë përmasë te politikanët fqinjë me ndonjë përjashtim.

Pazari i Ilir Metës me Berishën edhe është pritur, por ajo që i ka bashkuar kësaj radhe nuk është vetëm kolltuku e llokma, por mbi të gjitha është Vettingu, që u rri te koka, si “Shpatë e Damokleut” sepse të dy janë të zhytur në krime ekonomike e politike, në korrupsion e hajni, janë zhytur edhe me krejt kokën dhe me asnjë çmim nuk do të duhej t’ i shpëtonin gjyqit të vettingut, edhe pse i kanë shpëtuar dhe i shpëtojnë gjyqit (tashmë imagjinar)  të popullit, të cilit dikur aq mirë i kishin shërbyer, por tani si lindorë që janë ia japin munxët, sepse “Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi”.

Loja që ka kurdisur Ilir Meta, për ta përkrahur opozitën nuk po bëhet për Shqipërinë, sikur përrallis  ai dhe ndonjë analist i tij i blerë me para, por thjesht po bëhet për t’i mbrojtur çifliqet, pronat, godinat madhështore, pallatet, milionat në bankat e Zvicrës, për ta uzurpuar sërish pushtetin dhe për ta vjelë krejt derisa ta shkatërrojnë përfundimisht Shqipërinë e mjerë  të Vaso Pashë Shkodranit.

Po sot, Shqipni, pa m’thuej si je?

Po sikur lisi i rrxuem perdhe…

Shqiptarë, me vllazën jeni tuj u vra

ndër njëqind çeta jeni shpërnda…

Këto janë çetat e hajnave, plaçkitësve, uzurpatorëve të veshur e të kallaisur me pushtet, që po na qeverisin në Tiranë e në Prishtinë, atje në tiraninë mujshare të pushtetarëve që riciklohen çdo katër vjet, për ta rrëmbyer pushtetin, te ne në Prishtinë, në prishjen dhe vënien në pikëpyetje të krejt asaj që është krijuar e ngritur me gjakun e dëshmorëve, plagët e invalidëve dhe mundin e  veteranëve, me gjakun e shumë brezave në shekujt e kaluar.

Ilir Meta dikur edhe do të harrohet, por mjerisht “ilirmetizmi” shqiptar do të trashëgohet, do të majmet e do të gjallojë  nga soji i shqiptarit lindor, nga plagët shekullore të babëzisë, matrapazllëkut dhe idiotësisë të trashëguar nën sundimin e huaj nga Roma e Bizanti nga Turqia e Serbia, nga Italia e Gjermania, sot nga BE-ja e nesër nga dreqi dhe i biri.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …