Jam zgjuar si zakonisht herët edhe pse nuk kam fjetur mirë nga shqetësimet e ditës së parë të ndeshjes me armikun. Disa nga luftëtarët ende flenë në odë të Sylë Qeriqit. Disa sapo janë kthyer nga roja e natës dhe kanë rënë për të pushuar.
Pas shiut që ka rënë mbrëmë, mëngjesi duket pak më i freskët. Për të parë se ç’ ka ndodhë në Carralevë, nisem së bashku me Selatin Qeriqin, i cili kohë pas kohe raporton për të përditshmen “Bujku”, dhe me Idriz Sahitin, që na përcjellë me veturë. Idrizi, është mbase i vetmi ndër ushtarët që vozitë ngadalë dhe me kujdes. Të tjerët vozisin sikur kur i ndjek dikush nga prapa dhe kjo më shqetëson tejmase, meqë kam frikë mos po pëson ndonjë fëmijë, të cilët sa po i shohin ushtarët, u dalin përpara dhe i përshëndesin me grushtin e ngritur lart. Veturën e kemi lënë në kodër dhe jemi nisur këmbë në drejtim të Lagjes së Xhamisë.
Duke ecur rrugës takohem me luftëtarët, të cilët janë tërë shend. Ata vëzhgojnë. Komunikacioni është ndërprerë pas luftimeve të djeshme Tek tuk lëviz ndonjë veturë e organizatave të huaja humanitare.
Gjurmët e shkatërrimeve të ditës paraprake vërehen kudo. Janë granatuar shtëpitë e Jakup dhe Naim Ismajlit, shtëpi të tjera në lagjen Salihu, te Balajt e në lagje të tjera.
Popullata është strehuar ashtu si ka mundur. Disa familje, qysh herët e kanë lëshuar fshatin dhe kanë ikur në drejtim të Zborcit e të Pjetërshticës.
Pas një gjysmë orë rrugëtimi, në vendin përballë xhamisë, te shtëpia e moçme e profesorit të letërsisë, Sahit Salihut, takohemi me Sylën, Me Luanin dhe Sherrin. Të tre qysh herët janë pozicionuar në pikën më strategjike, prej nga vrojtohet depërtimi i mundshëm i forcave të armikut. Xhelal Hajdini nga fshati Zabel, të cilin e quajnë “Sherr”, sipas personazhit, Prenk Sherrit të Kolë Jakovës në romanin “Fshati midis ujrave”. Sherri vazhdimisht duket i qeshur dhe i disponuar. Është një burrë i bëshëm rreth të dyzetave por mbahet mirë. Herë-herë lëshon romuze, i provokon ushtarët për të hetuar a mos po frikësohen, u jep alarm të rrejshëm, për t`i mbajtur në gjendje mobilizuese. Grindet pa sherr me Luanin me të cilin ndërrojnë lloj-lloj fjale, por kurrë nuk hidhërohen njëri në tjetrin. Megjithatë, mua nuk më pëlqen stili i bisedës së tyre dhe sa po e diktojnë praninë time, ndërrojnë temë. Syla nuk ua vë veshin, është mësuar me ta dhe nuk ua prish. Edhe ata kanë konsideratë dhe respekt sidomos për Sylë Qeriqin, një veteran i njohur në këto anë i lëvizjes ilegale.
Selatin Qeriqi ka depërtuar në mesin banorëve, ka biseduar me ta dhe me disa prej luftëtarëve. Ai e ka përgatitur raportin, të cilin duhet përmes telefonit, t ia dërgojë të së përditshmes, “Bujku”.
Disa orë kam qëndruar me Sylën dhe me luftëtarë të tjerë.
E shoh se Syla është lodhur tejmase nga pagjumësia dhe duket se i ka rënë tensioni. Ia marr për pak kohë snajperin, deri sa ngjitemi më lart dhe zëmë një hije për të pushuar e për të sogjetuar. Ndërkohë, Sherri, Luani, Gjoni e disa të tjerë depërtojnë në drejtim të Lagjes së Xhamisë.
Carralevën e ka goditur murtaja e armës armike. Ajo duket e shkretë, pa njerëz. Shumë shtëpi të granatuara. Tek tuk ndonjë tufë bagëtish, ndonjë zë nga larg…
Në orët e pas ditës ndahem nga Syla, i cili qëndron në pozicione. Së bashku me Selatinin dhe Idrizin nisemi në drejtim të Krojmirit.
Rrugët në fshat janë të mbushura me kalimtarë. Shumica, figura të pa njohura. Të zhvendosur. Kureshtarë që kanë ardhur nga Shtimja dhe nga fshatrat përreth për të mësuar, për epilogun e ndeshjes së parë të luftëtarëve tanë kundër forcave vrastare serbe.
Hyjmë në odën e Vehbi Tafilit, një kushëri imi, odë e cila po ashtu është kthyer në shërbim të luftës. Alberita, njëra nga bija e Vehbiut na sjellë ujë të ftohët nga kroi. Oda është mbushur kryesisht me vullnetarë, të cilët kërkojnë të regjistrohen, në regjistrin që është hapur pesë ditë më parë. Shumica tregojnë mos durim dhe vazhdimisht kthejnë për të pyetur se mos po niset ndonjë turrë vullnetarësh për në Shqipëri.
Shumica syresh vijnë edhe nga fshatrat e Rrafshit, sikur quhen këtu fshatrat e rrethinës së Blinajës, (Lipovicës) së Lipjanit dhe të Shtimes. Ata nuk pranojnë të kthehen prapa. Secili shtron nga një arsyetim dhe të gjitha arsyetimet mbarojnë me konstatimin se janë në shënjestër të armikut, dhe nuk mund të kthehen. Ata pranojnë të flenë edhe në fushë, por nuk pranojnë të kthehen prapa. Të gjitha odat e fshatit janë të mbushura. Heset Hamdiu dhe Ramadan Rizani përkujdesën për të zhvendosurit, për ushqimin dhe odat ku do të kalojnë natën.
Një gjendje e çuditshme mobilizuese mbretëron kudo.
E vërej me shumë vëmendje se zhvillimet nuk janë në akord me mundësitë tona për t’ i përballuar, megjithatë po ia dalim. Herë-herë, ma merr mendja se po ndodh një hallakamë e madhe e pakontrolluar dhe është tepër e vështirë të vendoset rregull, rend, disiplinë…( Disa rreshta të koduar)