leoni

Ahmet Qeriqi; Pasthënie e ‘Kronikës së Luftës- maj 1998-31 dhjetor 1999’

Ahmet Qeriqi: Pasthënie e “Kronikës së Luftës – maj 1998 – 31 dhjetor 1999”

Lexues të respektuar të kësaj kronike,

Mbase u kam lodhur, mbase ndonjërin e kam lënduar pa qëllim, ndonjërin e kam anashkaluar pa u përmendur,  sepse nuk mbahen  të gjitha në mend, ndonjërin e kam trajtuar gabimisht, por kjo ka ndodhur,  duke u bazuar në informacionet që kam pasur, andaj tërë kjo ka rrjedhë,  ashtu sikur është gjykuar apo paragjykuar, në atë kohë…

Qëllimi primar i Kronikës, ka qenë paraqitja  ime subjektive e realitetit objektiv, për luftën e  UÇK-së, në kushte dhe rrethana të caktuara, në kohë dhe hapësirë e relacione, po ashtu të caktuara, ashtu sikur unë e kam perceptuar atë realitet  në atë kohë, duke e pasuruar me të dhëna të të gjithë atyre, me të cilët kemi bashkëpunuar natë e ditë, në këtë rast për afër  400 ditët e mia efektive në radhët e UÇK-së.

Kronika, nuk është ditar i thjeshtë individual, edhe pse ka mjaft elemente të tilla, që janë krejtësisht të natyrshme, por ka qenë përpjekja ime për të pasqyruar, në mënyrë sa më besnike, realitetin e kohës së luftës nga të gjitha segmentet, të cilat kanë rrjedhë nga zhvillimet luftarake në terren, nga informatat ditore, të kumtuara e të deklaruara nga  bashkëpunëtorët me të afërm, me të cilët kam qenë në kontakt ditë e natë, si dhe informatorë të tjerë të rrethit të dytë, të tretë…

Vetë faktori kohë ma ka imponuar këtë format të pasqyrimit të realitetit, të cilit iu kam rrekur me përgjegjësi maksimale, me qëllim për të lënë me shkrim një lëndë  shumë të nevojshme për historinë luftës sonë çlirimtare, në fund edhe fitimtare, nga të gjitha anët e vrojtimit, nga ato fakte e të dhëna dokumentare, ditore, të vjela edhe nga mediet, nga komunikatat e agjencive të  ndryshme, nga rrjedhat kombëtare e ndërkombëtare, duke i trajtuar sipas këndit tim të pasqyrimit, me analiza, komentime, shënime rasti dhe vlerësimi objektiv e shpeshherë edhe subjektiv, gjithnjë sipas qasjes sime, individuale.

Kronika si e tillë, dominohet nga lënda dokumentare ditore, mirëpo kjo i nënshtrohet pasqyrimit e vlerësimit qoftë momental, qoftë fragmentar, apo një segmenti të caktuar sinkronik e diakronik dhe tërë kjo paraqet tërësinë e një angazhimi ditor, të pandërprerë, në asnjë rrethanë.

Në rastin konkret, të dhënat në kronikë i  kam shënuar kryesisht  në orët e vona të natës, në qetësi, aq sa ka mundur të ketë  pasur në rrethana të tilla,  duke rikthyer në kujtesë zhvillimet e ditës, ndonjë edhe të harruar, por kjo mund të ketë ndodhur shumë rrallë,  nga stërlodhja e pagjumësia…

Kronika ka më shumë se 800 personazhe reale. Disa përmenden përditë, disa të tjerë më shpesh, disa më rrallë, disa janë  sporadikë, vetëm  në ndonjë moment të caktuar, ashtu si ka ndodhur, përditshmëria  në kohë, vend dhe rrethana të caktuara.

Kronikën time e ka prodhuar dhe ka determinuar koha me zhvillimet e saj ditore, në vende dhe relacione të caktuara, kryesisht në fshatrat e pjesës jugore të Drenicës, në shtrirjen që e mbante në kontroll Brigada 121, ‘Ismet Jashari-Kumanova’ e Zonës Operative të Pashtrikut.

 

Kronika ka shumë fragmente e pjesë të koduara, për shkaqe objektive, dhe kësaj radhe  nuk është hapur tërësisht për opinion, me të drejtën e autorit dhe me qëllim të mos keqpërdoret nga hetuesit e Gjykatës Speciale.

 

Vjen një ditë dhe botohet në origjinal, me të gjitha faktet, pasi të ketë mbaruar punë, errësira inkuizicionale e quajtur, Gjykatë Speciale, apo  sikur e quajnë shumë politikanë, mediume e portale, gjithnjë me eufemizëm politik, si Dhoma të Specializuara të Kosovës, pa asnjë, zyrtar, nëpunës, prokuror apo gjykatës shqiptar, nga Kosova apo na Shqipëria.

Pavarësisht të gjithave, kjo ‘Kronikë Lufte’, do të mbetet një tërësi dëshmish shkrimore, dokumentare, dhe, mesa di unë, nuk ka shembull të tillë,  të lajmëruar apo të jetë publikuar, për veç ditarëve të shumtë të pjesëmarrësve në luftë, por jo ditë për ditë, jo për 40o ditë, pa asnjë ndërprerje

Tani pasi Kronika është publikuar në tërësi, jam i gatshëm të përgjigjem, në  vërejtjet dhe në pyetjet e Juaja në adresat; [email protected] dhe [email protected]

Ahmet Qeriqi

1 janar 2025

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë luftimet në Zonën e Llapit. (E premte 25 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë luftimet në Zonën e Llapit. (E premte 25 dhjetor, 1998)

Sipas të dhënave definitive që kanë dhënë instancat relevante informative bëhet e ditur se në …