Për fillim të këtij shpjegimi, fjalë për fjalë, ju bëj me dije se nuk është kjo videoja e parë, ku Stupci, parafrazon bisedat apo foljen vet me veti, të Jakup Krasniqit.
Kjo video e “Stupcit” nuk ka të bëjë me humor, jo për ta që dinë të dallojnë gjinitë letrare, përmbajtjet dhe brenditë e tyre, për ata të tjerët, mund të jetë edhe humor.
Cinizmi, stigma, injorimi, tallja, përbuzja, nënçmimi përpjekja për degradim nuk kanë të bëjnë me humorin, pasi të gjitha këto forma të shprehjes, jo artistike, nuk kanë të bëjnë me artin, por kanë të bëjnë me stigmën, urrejtjen, degradimin e fyerjen, në rastin konkret krejtësisht mbi baza politike.
Tani me radhë:
Si mund të marrësh nëpër gojë për të keq, një personalitet kombëtar të nivelit të Jakup Krasniqit, i cili ndodhet në Burgun e Sheveningenit prej nëntorit të vitit 2020, i akuzuar për krime të pretenduara, të cilat sipas aktakuzës i paska kryer UÇK-ja, krerët më të lartë të saj dhe të 25 viteve të historisë së Kosovës?
-A e ka pyetur ky “stupci” familjen e Jakup Krasniqit se bën apo nuk bën të bëjë “humor” në llogari të tij, pasi dihet cila është gjendja e tij fizike në burg, ku po mbahet padrejtësisht, edhe pse për dikë po mbahet me të drejtë, ashtu sikur është mbajtur në kohën e Titos e të Millosheviqit.
-Po të ishte në liri, Jakup Krasniqi nuk ka pasur nevojë të pyetej familja, sepse është politikan dhe njerëzit i japin të drejtë vetes ta paraqesin kundërshtimin, mospëlqimin madje edhe humorin e sarkazmin kundër tyre.
Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati e Pjetër Shala, nuk po jetojnë ditët e tyre, muajt as vitet në gjendje normale jetësore, sepse janë të prangosur, janë në burg, janë të kufizuar në kohë dhe hapësirë, janë në një trajtim mizor psikik e fizik, ata dhe krejt familjet e tyre e shumë të tjera që bashkëndjejnë dhe solidarizohen me ta. Fyerja, cinizmi, tallja drejtuar atyre, është tallje me lirinë e Kosovës dhe krejt në valë të njëjta me fyerjet e cinizmin e Vuçiqit, Vulinit, Daçiqit e të tjerëve, kundër tyre.
Është tallje dhe cinizëm i kulluar emetimi i fjalorit ditor të Jakup Krasniqit me përpjekje për t’ i spikatur gjoja deformimet gjatë komunikimit, apo kur flet me veten. Dhe më keq duke vënë në pah anglishten e çalë, sipas tij, për të veçuar faktin se ai mundohet, por di krejt pak anglisht. Sipas mendjes së këtij robit stupc, del se anglisht u dashka të dijë çdo njeri, lërë më politikanët.
Janë fyese e tallëse bisedat lidhur me përzgjedhjen e ushqimit, në burg. Sipas imagjinatës perverse të “stupcit”, Jakup Krasniqi në burg, lypë flija, pite, përpeç, lypë kuzhinë shqiptare… Ai nuk do karkaleca e ushqime deti që i krijojnë gazra… Mbase ka të tillë që këto tallje i quajnë normale…
Tallja tjetër po ashtu cinike, është kur ai gjoja i drejtohet vetes me nofkën, “Kupë” sepse ashtu e ka quajtur dhe e quan stupci dhe stupcat e debilët si ai vet. Nga imagjinata e Stupcit, del se tashmë ai është pajtuar, sa edhe veten e quan, “Kupë”…
Tallje me pretendimet e kohës së luftës, duke veçuar faktin. kur në zonën e lirë të Malishevës, nën kontrollin e UÇK-s, në pranverë të vitit 1998. Jakup Krasniqi kishte premtuar edhe lëshimin e letërnjoftimeve ndërsa stupci i quan pasaportat e para. Kjo është tallje me luftën e UÇK-së dhe propagandën e saj aktive kundër regjimit vrastar të Millosheviqit.
Duke bërë përpjekje ta paraqesë, Jakup Krasniqin në pozitën e qyqarit, të humburit, të njeriut që nuk mund të rrijë as këmbë, por vetëm shtrirë, imagjinata e sëmurë e këtij perversi, degradon në atë të debilit. Jakup Krasniqi është kalitur nëpër burgjet e Titos e të Millosheviqit. Ai dhe mijëra të tjerë të armatës së tij nëpër burgje, kurrë nuk kanë kërkuar mëshirë, as kurrë nuk janë dorëzuar, as do të dorëzohen tani.
Nuk është në kredon e Jakup Krasniqit, as në kredon e shtatë të tjerëve, që të mjerohen e të kërkojnë nga trojka, “Bini, Vojsa e Gla-kuku“, t ua përmendin meritat e postet që kanë pasur në Kosovë, gjatë dhe pas luftës.
Meritat e tyre i njohin dhe i pranojnë të gjitha familjet e dëshmorëve e të martirëve, të invalidëve e veteranëve të UÇK-së dhe krejt liribërësve e liridashësve të Kosovës. Nuk kanë nevojë ata t’ ua njohin meritat, mercenarët, ish bijtë e bijat e inspektorëve të Rankoviqit, Sinan Hasanit, Rrahman Morinës e të Millosheviqit.
…
Stupi, Vedat Bajrami, me kohë e ka përzgjedhur “emrin” e trupës të tij, por në përpjekje për të damkosur “stupcat e UÇK-së” ai ka krijuar arketipin e vetë, të shpirtit stupc, të një stupidi pervers, që mendon se vetëm me gjestikulime, majmunllëqe, me shtrembërim goje, me fyerje, tallje e sharje, bëhet humori, apo arti, pasi për art të vërtetë nuk ka tru, as shkollim, as edukatë njeriu.
Krejt kjo sipas “rradakës” dhe kulturës së tij arsimore që ka fituar te, gllumaci, Enver Petrovci, i cili mori edhe çmim jetësor nga ministri i Kurtit, Hajrullah Çeku, vetëm sepse në një intervistë të tij ka thënë: “Në Kosovë jetojmë shumë më keq se në kohën e Millosheviqit, foton e të cilit e kam pasur varur në te shtrati ku flija, por nganjëherë ma largonte gruaja.”
Kjo pjellë e mbetjeve të kohës së robërisë, në vend se të hedhet në mbeturina, tani po riciklohet, andaj edhe jemi kështu si jemi, andaj e kemi këtë gjendje edhe 23 vjet pas luftës dhe fitores historike.
…
…Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka komentuar reagimet ndaj një videoje të publikuar me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës nga Vedat Bajrami i njohur si Stupcat. Bajrami në rolin e ish-kryetarit të kuvendit Jakup Krasniqi i cili ndodhet në Hagë, ka ironizuar me politikanët duke thënë se politikanët po gëzohen për ndodhjen e tyre në Hagë duke mos pasur edhe guxim për t’i përmendur në 14-vjetorin e Pavarësisë. Çitaku përmes një postimi i doli në mbrojtje humoristit, Vedat Bajrami duke thënë se ndoshta e ka pasur pa të keq këtë humor, që do të thotë se ajo ose nuk e ka parë videon ose nuk e ka kuptuar, ose për Jakup Krasniqin ka tjetër qëndrim. Ndasitë dhe qëndrimi selektiv ndaj udhëheqësve të luftës, është shumë i dëmshëm në rastet si këto, për mendimin tim është edhe i dënuseshëm.
Gati njëjtë ka reaguar edhe Ramë Buja, po ashtu i PDK-së, edhe pse mendon se Vedat Stupci duhet t i kërkojë falje familjes Krasniqi, sa për adet, përndryshe ka shumë simpati për “stupcin-stupid”. Me këto qëndrime politike e selektive nuk i ndihmohet drejtësisë për luftën e UÇK-së, pasi janë nën seriozitetin e situatës dhe krijojnë huti në opinionin liridashës… (RKL 21, 2, 2022)