Kosova Lindore aktualisht është një barometër që matë pulsin atdhetar dhe politik të shqiptarëve, sidomos të shqiptarëve të Kosovës, sepse politikanët shqiptarë të Shqipërisë e Maqedonisë konsiderojnë se ky është vetëm problemi yni, pra i Kosovës dhe jo i mbarë kombit. Kjo lë për të kuptuar se kemi filluar të mendojmë e të veprojmë si kushërinj të brezit të tretë e të katërt, kur secili kryen punët e veta dhe askush nuk interesohet për një “vëlla të mbetur jetim” i cili detyrohet të jetojë nën diskriminim fashist dhe në mëshirë të kohës.
Kosova Lindore, ka qenë dhe do të mbetet jo problemi por çështja madhore e shqiptarëve liridashës, në mënyrë që të mos përsëritet një Çamëri e dytë, sado që në kushte dhe rrethana të tjera.
Kosova Lindore na përkujton edhe faktin se tutje në veri-lindje në dhjetëra mijëra kilometra katrorë edhe pjesa jonë kurrë e harruar e kujtesës kombëtare, janë trojet tona etnike prej Prokupjes deri në Nish, prej Vranjës e Leskocit deri te Pllana e Madhe. Kjo është një çështje që nuk e kemi shtruar asnjëherë më parë, sepse kemi qenë nçn sundimin serb e sllave edhe ne, të mbetur këtej “Mollës së Kuqe”.
Asnjëherë nuk duhet të mos harrojmë se nga atje u shpërngulën drejt viseve të Kosovës e shumë syresh për në Turqi, shqiptarët e besimit islamë, por jo edhe shqiptarët e krishterë, të cilët u asimiluan dhe u bënë serbë, ashtu si ortodoksët e Maqedonisë që u bënë bullgarë dhe arvanitasit e Greqisë, të cilët sot krekosen se janë më patriotë se vetë grekët, ashtu sikur ishte edhe fashisti e krimineli famëkeq, Napoelon Zerva.
Kosova Lindore Sot, është një plagë e tërë Shqipërisë, dua të them e tërë atyre shqiptarëve që nuk iu ka bërë gjaku ujë dhe që interes mbi të gjitha interesat kanë fatin e afër 100 mijë shqiptarëve autoktonë, të cilët i pret rreziku i shpërnguljes graduale për në Kosovë, ku aktualisht jetojnë dhjetëra mijëra syresh, sidomos ata që kanë ardhur nga komuna e Medvegjës. Nëse tani nuk zgjidhet çështja e Kosovës Lindore, dhe, me një marrëveshje definitive rreth kufijve mbetet përgjithmonë nën Serbi, atëherë demoralizimi i shqiptarëve të atjeshëm, vrasja e perspektives kombëtare, do to të rezultojë me shpërngulje masive drejt Kosovës e më gjerë në trojet shqiptare.
Nuk duhet të shikohet fati i Kosovës Lindore përmes qëndrimit e propozimit të kryetarit Hashim Thaçi dhe inateve e urrejtjes mbi baza partiake.
Nuk duhet të veprojmë sipas asaj shprehjes reaksionare shqiptare, “për inati të resë më vdektë djali”.
Kini inatin Hashimit, sepse edhe ai nuk mbetet prapa me inate urrejtje e smirë, por nuk duhet të lejohet që për inatin, që kanë disa politikanë kundër tij, t’ i refuzojnë të gjitha propozimet, sepse tekefundit ky është vetëm një propozim dhe Thaçi këtë e di më mirë se askush, por, me këtë rast duhet t i jepet përkrahje projektit për shkëmbimin e territoreve të tri komunave të veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, me Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.
Askush nuk beson, madje nuk beson as kryetari Thaçi se Kosova do të mbetet e plotë në kufijtë e dikurshëm të Krahinës Autonome, ndërsa në marrëveshje me Serbinë ne të marrim tri komunat shqiptare në Lindje të Kosovës. Kjo mund të ndodh vetëm në projeksione virtuale por kurrsesi reale, sepse nuk është më Serbia në pozitë e shtrirë për tokë sikur në kohën kur u bombardua nga NATO-ja dhe kur Milosheviqi po përpëlitej në agoninë e çmendurisë së tij, por sot është Serbia e këndellur, me miqtë e saj historikë, jo vetëm Rusinë e Kinën por edhe Francën, Italinë, pse jo edhe Gjermaninë. Projektin për shkëmbim territoresh po e përkrah edhe vetë Amerika, madje edhe Bashkimi Evropianë, që është “Mekja” e të gjithë politikanëve shqiptarë, pa dallime partiake, ideologjike e fetare.
Të ndodhur në një pozitë të tillë të favorshme për të përfituar pak, apo pak më shumë, do të ishte me interes për vendin dhe të ardhmen, por kështu sikur jemi të ndarë e të përçarë, Serbia do të jetë fituesi kryesor. Nëse nuk shkëmbehen territoret, Kosova Lindore mbetet për gjithmonë nën Serbi, ndërsa veriu i Kosovës, fillimisht do të bashkohet edhe de jure me një Asociacion, që do të jetë republikë e ardhme me të drejtë bashkimi me Serbinë.
Mendoj se përkrahja në parim e shkëmbimit të territoreve të tri komunave me shumicë serbe me tri komuna me shumicë shqiptare, është përfitimi më i mirë i mundshëm, edhe pse me këtë rast kemi shkëmbim të tokave shqiptare në Kosovë me ato shqiptare nën Serbi, por tani me një strukturë mbi baza të tjera etnike.
Shkëmbime të tilla të territoreve janë bërë në Bosnje dhe në Kroaci. Madje për shkëmbime të tilla, nëse merren vesh të dyja palët dhe nëse trajtohen si raste unike pa efekt domino, nuk ka pse hidhërohet askush. Mjerisht, tërë kjo tash për tash është vetëm një propozim i një politikani shqiptar, që është edhe kryetar i Kosovës, i cili me qëndrimin e tij urrejtës e inatçor ka krijuar jo vetëm shumë kundërshtarë, por edhe armiq, me të cilët kurrë nuk do të gjejë gjuhë të përbashkët.
Bashkimi i tri komunave të Kosovës Lindore me Shtetin amë, Kosovën, është aspiratë atdhetare, që duhet të përkrahet unanimisht nga të gjithë shqiptarët, në radhë të parë nga shqiptarët e atyre tri komunave, madje nga Kosova por edhe nga Shqipëria e nga shqiptarët në Maqedoni. Tani për tani kemi të bëjmë me një interes primar kombëtar tteht së cilit duhet të bashkohemi, jo vetë me fjalë. Kur nuk duhet të harrojmë se për çlirimin e Kosovës kanë marrë pjesë qindra luftëtarë nga Kosova Lindore, ashtu sikur në UÇPMB morën pjesë mijëra shqiptarë nga Kosova e më gjerë.
Jemi një popull, një komb dhe kemi të drejtë të natyrshme të interesohemi dhe të luftojmë me të gjitha mjetet për mirëqenien e njëri tjetrit.