Ahmet Qeriqi: Përforcohet Zona e Neredimes (E premte 17 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përforcohet Zona e Neredimes (E premte 17 korrik, 1998)

Milaim Jashari, i cili sapo është kthyer nga Zona e Neredimës ku së bashku me Elmi Reçicën dhe disa ushtarë të tjerë, ditë më parë pati kaluar në atë zonë, na bën me dije se kanë rënë në pritë të armikut luftëtarët: Sejdi Ukëzmajli dhe Sejdi Sejdiu, ndërsa është plagosur ushtari i njohur me emrin luftarak,  Ferri. Me qëllim të intensifikimi të aksioneve dhe konsolidimit të radhëve, në Zonën e Neredimës ka shkuar Shukri Buja, i cili sipas gjasave është caktuar edhe komandant i Zonës. Në Zonën e Neredimës, janë inkuadruar edhe shumë ish të burgosur politikë nga Ferizaj si: Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Milaim Jashari,   Shaban Viça, Elmi Reçica, Imri Ilazi, pastaj Fehmi Mujota, Ruzhdi Jashari, Sadik Mujota, Rifat Mujota e shumë të tjerë. Mendoj se Zona e Neredimës së shpejti do të përforcohet edhe me shumë ushtarë të tjerë që përditë po vijnë nga shtetet e perëndimit.

Sot, papritmas është sëmurë bashkëshortja ime Zymrytja, e cila vuan prej sëmundjes së zemrës dhe prej apendiksit. Pas injekcionit që i dha bija ime Arbana, ndihet më mirë. Arbana, po frikësohet se në rast të, pezmatimit apo shpërthimit, nuk mund të bëhet intervenim kirurgjik.

Nga Shtimja sot ka ardhur edhe Nazmi Iballi. Ai ka sjellë karburante. Në orët e pas ditës, së bashku me vëllanë  e tij, Shyqën, kanë shkuar në Luzhnicë, te Komandant Kumanova. Nazmiu ka mbajtur kontakte edhe me Kumanovën, të cilin po ashtu e ka furnizuar me karburante dhe artikuj ushqimorë, nga donatorët dhe nga shoqatat humanitare. Nazmiu është një djalë i kthjellët dhe shumë i përkushtuar për luftën. Kam frikë mos po i bien në gjurmë policët e Shtimes dhe ndonjë bashkëpunëtor i tyre.

Derisa po i shënoja në fletore të dhënat për punën e deritanishme në meremetimin e shkollës dhe adaptimin e disa pjesëve të saj për nevoja të ushtrisë, më bëjnë me dije se ushtarët tanë në Shalë e kanë zënë një shok të Arkanit, duke u munduar të depërtojë tinës në Malishevë, ku thuhet se qenka parë krimineli i Millosheviqit. (Gjashtë rreshta të koduar)

Në shkollë punohet ditë e natë. Këtu kemi vendosur televizorin dhe një antenë satelitore. Po bëjmë përpjekje që sa më parë, t`i ndërtojmë disa dhoma për ushtarët e sidomos për të rinjtë që vijnë nga të gjitha fshatrat e qytetet, me qëllim që të depërtojnë në Shqipëri për të marrë armatim dhe uniforma ushtarake. Jeta zien. Lëvizjet e pandërprera të ushtarëve, të fshatarëve dhe të punëtorëve që aktualisht po e meremetojnë shkollën janë intensifikuar deri në maksimum.

Vajtje ardhjet e sa e sa të njohurve e të panjohurve tanimë janë bërë të papërballueshme.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Inskenime fashiste të forcave serbe në Kleçkë. (E shtunë 29 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Inskenime fashiste të forcave serbe në Kleçkë. (E shtunë 29 gusht, 1998)

Zymrytes, bashkëshortes sime të sëmurë e të dërrmuar nga situata e rëndë, nëpër të cilën …