Gjatë këtyre ditëve kam bërë vizita të të afërmit, miqtë dhe të njohurit.
Kam kontaktuar me ta dhe kam vërejtur se lufta ka lënë pasoja të pariparueshme. Lufta mjerisht ka thelluar edhe më tej hendeqet e ndasisë. Ata që nuk e kanë përkrahur luftën, janë bërë kundërshtarë të saj edhe më të papërmbajtur.
Kam vërejtur se ata të cilët ishin frikësuar deri në palcë nga shkau, ndërsa për ta shpëtuar kokën ishin bërë mashë e ligë e hipokrizisë dhe e përuljes së neveritshme, tani janë lëshuar në garë për ta diskredituar luftën çlirimtare, si shkaktare të vuajtjeve të tyre individuale.
Kam vërejtur se ikanakët dhe atyre që iu kishte rrëshqitur toka e atdheut nën këmbë, tani janë bërë trima të çartur dhe fajtorin kryesor për të gjitha që kanë ndodhur ia lënë UÇKËS, sikur e quajnë me përbuzje.
Kam vërejtur se shumë nga ata që kanë ikur me familjet në Maqedoni apo në Shqipëri, gjatë kthimit kanë blerë uniforma të UÇK-së dhe kanë filluar të plaçkitin e të zaptojnë lokale e shtëpi të huaja.
Mjerisht kam vërejtur se edhe disa luftëtarë të UÇK-së janë lëshuar në garën e ligë të pasurimit me çdo kusht.
Ka filluar në mënyrë rapide të rritet kaosi, brutaliteti, mospërfillja dhe anarkia e gjithanshme.
Të huajt vetëm shikojnë dhe nuk ndërmarrin asnjë hap. Ndoshta krejt kjo po bëhet me qëllim të caktuar, ndoshta kështu ndodh në çdo vend pas luftës!
Megjithatë në Kosovë është hapur një faqe e re e historisë.
A thua çfarë gjurmësh do të lëmë ne, që patën fat ta hapim këtë faqe?
Çfarë gjurmësh do të lënë ata, të cilët nuk kanë sy as faqe, dhe të cilët e mohojnë gjakun e pastër të derdhur për liri?
…
Gjatë këtyre ditëve kryesisht kam qëndruar në shtëpi. Librat i kam vendosur nëpër rafte. Fletorët në të cilat e kam shënuar faqet e kronikës së bashku me shënimet që kanë mbajtur para lufte Sylë Qeriqi dhe Elez Durmishi do t`i vendos në një vend të veçantë.
Tash nuk është koha e botimit të tyre.
Sido qoftë mendoj se kam kryer një punë tejet të dobishme.
Kam shënuar rreth 394 ngjarje autentike të luftës në kohë dhe hapësirë të caktuar. Jam përpjekur të jem krejtësisht i paanshëm edhe pse disa zhvillime i kam komentuar nga këndi im i vështrimit.
Koha do të gjykojë.
Të rënëve lavdi!
Të gjallëve fat e shëndet!
28 qershor, 1999
FUND