Përkrahja, që opozita, disa medie dhe personalitete të caktuara të vendit tonë po i japin EULEX-it në veprimet e tij kundër Qeverisë së Kosovës, në luftë gjoja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është përkrahje e ligë dhe e dëmshme në aspektin kombëtar, për shkak se EULEX-i po bën një luftë krejtësisht selektive, të orientuar vetëm kundër ish luftëtarëve të lirisë dhe po këtij segmenti brenda Qeverisë së Kosovës dhe për shkak se ky mision nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por e njeh një pjesë të sovranitetit të Serbisë në Kosovë dhe bashkëpunon ngushtë me Qeverinë e Beogradit, lidhur me arrestimet e ish eprorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së.
Pretendimet e opozitës për të përfituar nga rasti, duke mbështetur fuqishëm dhe tërë arrogancë aksionet spektakulare e tejet të dhunshme të EULEX-it kundër zyrtarëve të caktuar të Qeverisë së Kosovës dhe kundër 160 ish eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, të cilët akuzohen nga Ministria e Drejtësisë e kohës së regjimit kriminal të Serbisë për gjoja krime lufte, dhe për të cilët EULEX-i ka paralajmëruar arrestime masive, janë përpjekje të mjera për të përfituar kundër kundërshtarëve politikë. duke ia dhënë krahun të huajit, në këtë rast forcave, që e sundojnë dhe e përdhunojnë vendin tonë si tërësi dhe në veçanti klasën politike, që doli nga lufta e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ushtjet, ndërsyerjet, denoncimet, gënjeshtrat, dëshmitë nën mbrojtje të individëve të caktuar, të cilët bashkëpunojnë me EULEX-in, natyrisht për përfitime financiare e disa edhe për përfitime politike, zbulojnë më së miri shpirtin e mjerë dhe qyqarë të kësaj klase, e cila ka përmbajtje nga mbetjet e së kaluarës nën robëri, kur po këta njerëz i gëzoheshin sulmeve të regjimit barbar e gjakatar serb kundër UÇK-së dhe madje trumbetonin se me humbjen në terren të UÇK-së, kishte fituar opsioni i tyre paqësor.
Veprimet e EULEX-it kundër korrupsionit janë vetëm maskë për të fshehur veprimet antishqiptare për opinionin e pa informuar, meqë qëllimi i veprimeve të tilla diskredituese, në kohën kur po pritet vendimi i GJND-së për ligjshmërinë apo paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka për qëllim që Kosovën ta paraqesë, si pikën më të zezë të krimit në Ballkan, ndërsa klasën politike, gjatë këtyre 10 viteve si klasë të korruptuar dhe të kriminalizuar. Vetëm një ditë para se EULEX-i të ndërhynte brutalisht në Qeverinë e Kosovë, kreu i Kremlinit kishte deklaruar se në Kosovë qeverisnin “banditët” dhe Kosova është një shtet i bandave të krimit.
Me qëllim për të zbuluar esencën e këtyre veprimeve gjithnjë antishqiptare, do t iu referohemi disa fakteve shumë kokëforta.
Përse EULEX-i filloi fushatën “kundër krimit dhe korrupsionit” pikërisht në prag të marrjes së vendimit për pavarësinë e Kosovës nga GJND-ja, edhe pse prania e këtij misioni ka hyrë në vitin e tretë të sundimit në vendin tonë.
Përse veprimet policore e banditeske të EULEX-it kundër Qeverisë së Kosovës u bënë përnjëherë pas lidhjes së kontratës për autostradën Morinë-Merdare, ku fitues i tenderit ishte firma amerikane-turke, “Bektel Enka”?
Përse administrata amerikane doli haptas kundër mënyrës së ndërhyrjes së policisë së EULEX-it, në Qeveri, fakt ky që edhe ia ndali për pak kohë turrin këtij veprimi?
Përse kreu i EULEX-it i jep raport Qeverisë së Beogradit lidhur me aktivitetin që po zhvillon në Kosovë kundër korrupsionit dhe “krimit të organizuar”, ashtu sikur bëri, shefi Iv de Kermabo ditë më parë në Bruksel, kur për situatën dhe arrestimet në vendin tonë i raportoi zyrtarit të Beogradit për Kosovë, Goran Bogdanoviq?
Përse sulmet e EULEX-it kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje i përkrah haptas dhe heshtar si pozita ashtu edhe opozita?
Përse EULEX-i mundohet me çdo kusht ta nxjerrë para gjyqit të vet Albin Kurtin, për shkak të protestës së 10 shkurtit të vitit 2007, kur mercenarët rumunë të policisë së UNMIK-ut vranë dy protestues dhe plagosën rëndë e lehtë 80 shqiptarë të tjerë?
Përse EULEX-i përkrahet fuqishëm nga opozita, nga gazetarët e BIRN-it, të Kohës Ditore, “Zërit” dhe nga ish nomenklatura titiste?
Përse opozita hesht aferat e korrupsionit e kohës kur ishte në pozitë dhe kur abuzimet e keqpërdorimet ishin të po këtij niveli?
Natyrisht se nuk do pyesim përse edhe Qeveria e Beogradit mbështet fuqishëm këtë luftë të EULEX-it dhe në këtë segment është në valë të njëjta me opozitën dhe mbetjet e regjimit të vet në Kosovë.
Korrupsioni mbretëron në të gjitha poret e shoqërisë së Kosovës, sepse këtë sëmundje të zezë të botës kapitaliste e ka instaluar UNMIK-u qysh në qershor të vitit 1999, e ka vazhduar EULEX-it dhe tërë mekanizmat ndërkombëtarë që gjezdisin, plaçkitin dhe gllabërojnë pasuritë e Kosovës. Nuk duhet shumë mend për të kuptuar faktin se korrupsioni është alfa e zhvillimit të shoqërisë kapitaliste dhe nuk ka asnjë shtet kapitalist në botë, që nuk është prekur dhe që nuk vuan nga kjo dukuri tipike e vetë rendit shoqëror.
Asnjë vend, përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së, nuk janë të papërfshira nga korrupsioni, ka deklaruar, për BBS-në, Volfgang Petriq duke folur për këtë fenomen të shoqërive kapitaliste.
Të gjitha Qeveritë e Kosovës, duke filluar nga Qeveria e Përkohshme e deri te kjo e sotmja kanë qenë të përfshira në korrupsion, për shkak të marrëdhënieve ekonomike e politike ekzistuese, në kohë dhe në rrethana të caktuara, për shkak të pozitës ku u gjet Kosova nën protektorat ndërkombëtar dhe për shkak të vetë sistemi politik-ekonomik, që është instaluar dhe po instalohet në Kosovë e ka mbjellë thellë farën e korrupsionit. Nuk huhet të harrojmë asnjëherë faktin se korrupsioni i ka rrënjët te mekanizmi sundues në vendin tonë, në mos në tërë mekanizmin, atëherë në një segment shumë të fuqishëm të këtij ta quajmë mekanizmi. Dallimi qëndron në faktin se kur hetohet lidhja e zyrtarëve të huaj për korrupsion dhe abuzime të ndryshme e shumë të pista, ata i largojnë nga Kosova, ndërsa këta tanët kapen “me presh në duar”.
Esenca e fushatës së EULEX-it nuk është sikur thuhet “çrrënjosja” e korrupsionit, sepse kjo dukuri tipike e zhvillimit nuk mund të çrrënjoset, por mund të zbutet dhe mund të mbahet deri diku nën kontroll, nga shtetet që kanë një traditë të gjatë shtetformimi dhe ekzistimi.
Esenca e fushatës së egër të EULEX-it është drejtuar kundër tërë Kosovës, kundër shtetit dhe Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta diskredituar pavarësinë dhe me qëllim për t’ i dhënë argumente të bollshme përkrahësve të Serbisë në GJND. Nëse EULEX-i ka marrë vendim për ta hulumtuar dhe për ta ndëshkuar korrupsionin dhe “krimin e organizuar” prej vitit 1999, atëherë del se krimi dhe korrupsioni në Kosovë paskan gjenezën qysh nga koha e shkëputjes së Kosovës nga regjim i kolonialist, barbar e gjakatar serb.
Prania dhe shtrirja e EULEX-it në Kosovë nuk është bërë me dëshirën as vullnetin e popullit tonë, por është imponuar nga Pakoja e Ahtisarit, nga OKB-ja dhe BE-ja. Kjo prani, sido që të quhet, apo të emërohet, është prani e një protektorati, në një vend ku mendohet se nuk ka status definitiv, në një vend të kontestuar, të pranuar dhe të papranuar nga shumë shtete të botës. Një vend me një ardhmëri të rrethuar, ashtu sikur Polonia në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Qeveria e Kosovës, Presidenca, Kuvendi janë pajtuar, apo kanë qenë të detyruar të pajtohen me sundimin e EULEX-it, fillimisht vetëm për dy vite, tash edhe për dy të tjera, e më vonë edhe për disa dyshe apo katërshe të tjera. Këtu qëndron fatkeqësia që buron nga ky mision, i cili jo vetëm njëherë, me vepër, ka treguar se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, se po i zbaton gjashtë pikat e Ban Ki Munit për ndarjen e Veriut të Kosovës dhe ka bashkëpunuar e bashkëpunon në të gjitha segmentet me Beogradin zyrtar, duke mbrojtur haptas pretendimet hegjemoniste serbe rreth Kosovës.