Dita e ndeshjes së parë, nuk erdhi papritur. Paraditja me vapë të padurueshme paralajmëronte prishjen e motit. Pluhuri nëpër rrugë ngrihet si re nga vozitja marramendëse e veturave, të cilat me një shpejtësi të patolerueshme i ngasin ushtarët tanë. Në orët e pas ditës, vëzhguesit kishin paralajmëruar se forcat policore serbe, të pasuara nga forcat ushtarake, kanë filluar marshimin drejt Grykës së Carralevës.
Pikërisht në orën 16.00, kur u dëgjuan detonime të fuqishme në malet e Carralevës, së bashku me Selatin Qeriqin dhe Idriz Sahitin, i cili e ngiste veturën e tij, u nisëm në rrugën përplot pluhur dhe gropa. Me të arritur te Kodra, te vendi i quajtur, “Vorret e Balajve”, nga disa vëzhgues të rastit, mësojmë se policia serbe po bën përpjekje të futet drejt rrugës në relacion Carralevë –Pjetërshticë. Ushtarët tanë, të cilëve u prijnë Sylë Qeriqi, Jetë Hasani, Ramiz Qeriqi, Milaim Beha, Halil Olluri, Xhelal Hajdini, Gafurr Dugolli, Ramadan Behluli, Hasan Qeriqi dhe shumë të tjerë, kanë sulmuar policinë serbe te “Ura e Sahitit”, derisa ata po përgatiten për të depërtuar në drejtim të bjeshkëve të Carralevës.
Papritur, mbi kokat tona fishkëlluan granatat e minahedhësve të forcave armike, që e dridhin vendin. Jemi strukur në anën e sipërme të kodrinës, derisa furia e përleshjes ishte intensifikuar me të shtëna të pandërprera.
Luftimet nuk ndalojnë as për një çast.
Nga megafoni, poshtë në grykë, dëgjohet komanda që ju jepet forcave serbe për të depërtuar në Rrafshnaltë. Dëgjohen edhe të shara të eprorëve serbë iu drejtuar ushtarëve, të cilët si duket tërhiqen me rastin e ndeshjes në pritë të forcave tona. Nga ata pak vëzhgues që arrijnë të futen dhe të tërhiqen barkas në pozicionet e ushtarëve tanë, mësojmë se luftimet po zhvillohen ballë për ballë. Forcat armike, të pozicionuara te Ura e Sahitit, kanë vendosur të luftojnë nga distanca, nga frika se po të nisej sërish këmbësoria, do të dëmtohej rëndë..
Luftimet nuk kanë të ndalur.
Një predhë minahedhësi godet në rrugë dhe për pak që nuk e përplas veturën tonë. Vendi përreth përshkohet me shpërthime të pandërprera të minahedhësve dhe të gjithë ne që kemi ardhur për të ndjekur nga afër zhvillimet tërhiqemi të shkapërderdhur. Nuk dimë se ç ka ndodhur me ushtarët tanë. Jehona e pushkëve të tyre dëgjohet por në çast humbet nga shpërthimi i stërfuqishëm i armëve të armikut.
Malet e Carralevës gjëmojnë nga predhat e minahedhësve dhe të tankeve.
Nuk dimë gjë për fatin e ushtarëve dhe nganjëherë më kaplon një ndjenjë e trishtueshme e tmerrit. Ballafaqimin e parë me armikun nuk e kam menduar të jetë i këtij intensiteti. Edhe pse nuk e shpreh dot para të tjerëve, druaj se shumë ushtarë janë vrarë, sado që nuk kemi asnjë të dhënë të sigurt.
Shiu herë bie si me rrëshek e herë ndalet, sikur shiu i verës. Luftimet nuk kanë të ndalur.
Krismat e zërojnë ushtimën nëpër lugjet, dhe nuk dihet më se kah po luftohet. Nga do që vërejmë, hetohet se në shënjestër është vënë rruga në relacion Carralevë-Pjeëtrshticë.
Predhat e minahedhësit 122 mm, kanë goditur shumë shtëpi të fshatit Carralevë. Janë granatuar sidomos shtëpitë në shpatije. LDK-istët Nebih Gashi dhe Halim Haliti, kanë përhapur panik duke thënë se forcat serbe, veç sa nuk kanë arritur në Pjetërshticë. Popullata ka filluar të zhvendoset dhe t`i ekspozohet egërsisht granatimit nga distanca. Të gjithë ushtarët janë në front dhe nuk ka kush e ndalon hallakamën e popullatës, edhe pse dihet mirëfilli se forcat serbe nuk kanë avansuar asnjë hap.
Në orën 20.0o janë ndërprerë luftimet. Disa fshatarë të vëmendshëm kanë sjellë rroba, aty ku kanë gjetur dhe po i çojnë nëpër istikame, meqë ushtarët tanë janë lagur nga shiu. Dikush është kujtuar edhe për ndonjë shtambë me ujë dhe bukë.
Lajmet, që vijnë nga pikat e konfrontimit bëjnë të ditur se janë vrarë dy policë serbë dhe shtatë të tjerë janë plagosur. Nuk ka lajme për humbjet në radhët tona. Një orë pas mbarimit të luftimeve luftëtarët tanë kthehen ngadhënjimtarë. Në pozicione kanë mbetur vëzhguesit dhe ata që duhet të ushtrojnë roje gjatë natës. Nuk ka pësuar asnjë ushtar. E vështirë për t` u besuar por duket sheshit se e vërtetë.
Pasi shumica e tyre hyjnë në vendqëndrim, nuk fshihet dot ngazëllimi, morali tejet i lartë dhe gatishmëria vetëflijuese. Prova e parë ishte dhënë me shumë sukses, meqë në mesin e ushtarëve kishte luftëtarë që ishin sprovuar edhe para andej nëpër frontet e luftës.
Elez Durmishi, i cili përkujdeset për armët, fillon t’i kontrollojë ato, duke dyshuar me të drejtë se në mos ndonjëri nga ushtarët e papërvojë e ka lënë fishekun në tytë. Zbulon dy tri raste të tilla dhe u jep vërejtje qortuese shokëve të luftës. Shihet se gjatë shkollimit në akademinë ushtarake ka krijuar përvojë. Luftëtarët e qesëndisin. Elezi vazhdon t` iu kontrollojë armët. Dikush flet me të madhe, dikush tjetër kërkon bukë, ndonjërit iu ka mbaruar duhani…