Vazhdon gjendja e pasigurisë. Forcat serbe kanë filluar lëvizjet e tyre, por nuk kemi të dhëna të besueshme se ç po ndodh në mesin e tyre. Ka gjasa që kërcënimet e fundit të faktorit ndërkombëtar të jenë kuptuar pak më seriozisht nga serbët, mirëpo ne nuk kemi arsye t`i besojnë këtyre situatave.
Në orët e pas ditës kam shkuar te Elezi dhe prej andej së bashku me Elezin dhe Hesetin kemi shkuar në një shtëpi në lagjen e Ollurve, ku po rregullohet kuzhina dhe furra për bukë.
Lidhur me vendqëndrimin e ri të Jakup Krasniqit e kam lajmëruar Reshat Gashin i cili na tregon se qysh moti ka dëgjuar.
Në orët e pas ditës, derisa po qëndronim së bashku me Jakupin dhe Berat Luzhën, fare papritur pa kurrfarë paralajmërimi futet në dhomë Faruk Gashi. Ai ditë më parë ka shkuar në Godanc pa leje dhe nuk po iu përmbahet premtimeve. Ardhja e tij e befasishme na shqetësoi, meqë dyshimet rreth aktivitetit paraprak të Farukut, ende janë të pranishme dhe nuk i beson askush.
Pasi tërhiqet duke e kuptuar se nuk ishte pritur mirë, Jakupi tregon një dozë të shqetësimit. I tregoj për lidhjet që ai ka me Azem Sylën, mirëpo si duket Faruku është i papranueshëm pothuajse për të gjithë, e sidomos për Luanin dhe Jetë Hasanin.
Unë në këtë rast jam mes dy zjarreve. I kuptoj dhe deri diku i arsyetoj dyshimet të cilat i kam edhe vetë, por Faruku mbrohet nga autoriteti i Azem Sylës. Për të tjerat nuk di. Di vetëm se deri tani disa herë i ka thyer rregullat dhe shumë punë i bën krye në vete. Nuk mund ta largoj kurrsesi sepse ai e di se nuk mund të heq dorë prej tij, edhe për shkak të Kadrie Gashit dhe të Nezir Myrtajt.
Nëse rastësisht vjen Azem Syla do të kërkoj nga ai që Farukun ta merr me vete ose t`ia ndërrojë vendin e qëndrimit. Tani për tani nuk është armatosur por edhe kështu më duhet mjaft i shqetësuar dhe sikur bluan diçka për mua të pakuptimtë në mendjen e tij.
Elez Durmishi më ka lajmëruar për aksionin që Jetë Hasani me luftëtarët e tij e ka ndërmend ta ndërmerr kundër vëllezërve Peçani të Godancit policë në shërbim të policisë vrastare serbe, në Shtime.
Jeta si duket ka kërkuar të merret leja nga unë apo unë ta lajmëroj Jakup Krasniqin, të cilit nuk më duket e arsyeshme as për t`i treguar, sepse Jakupi ka të tjera punë, ndërsa Jeta e di mirëfilli se kënd duhet pyetur, por nga frika se nuk do ta lejojnë, ai i bën punët vetë.
Prej ditës kur ka arritur Jakup Krasniqi në mbrëmje tubohemi këtu në shtëpinë e Arian Idriz Qeriqit, i cili me tërë familjen është vendosur te mixha i tij në Matiçan, afër Prishtinës.
Në orët e vona ka ardhur edhe Idriz Hyseni me ushtarin e quajtur Dalip.