Duhet të shfletohen studimet e të Madhit, Aristidh Kola për të parë dhe për të u bindur me gjuhën e fakteve se greqishtja e sotme nuk bën dot pa shqipen arvanitase.
Me gjuhën e fakteve argumentohet se dialekti toskë ka qenë dhe është shumë më i begatë me fjalë e shprehje autentike shqipe, që datojnë që nga ilirishtja e hershme, pastaj arbërishtja që shtrihej në jugun e Greqisë deri në Athinë, në More, në Peloponezin e sotëm, te arbëreshët e Italisë pastaj në Trakinë Lindore. Shtrirja e dialektit toskë përfshinë pjesën dërrmuese të territorit të dikurshëm shqipfolës.
Gegërishtja, në treva e mbetura në Jugosllavi jo vetëm që ishte dorëzuar por as mund të bënte ndonjë përpjekje për të ruajtur fjalorin e vet, në radhë të parë në mungesë të arsimit në gjuhën shqipe.
Shkollat e para shqipe, që u hapën në Kosovë e në trevat shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi e Sanxhak në vitin 1941, ndërprenë procesin e degradimit gjuhësor, i cili rezultoi me shumë fjalë të humbura përgjithmonë. Ky proces në Shqipëri ishte ndërprerë, prej vitit 1912, me rastin e krijimit të shtetit shqiptar, jashtë të cilit kishin mbetur dy të tretat e kombit.
A ka gjuhëtar “gegë” që mund ta shkruajë në gegërishte romanin, “Lulja e Kripës” të Jakov Xoxës?
Nëse do të gjendej ndonjë sharlatan për t’ i hyrë kësaj pune do t i duhej të formulonte disa mijëra fjalë gege, sepse fjalët që i ka vënë në përdorim romansieri më i madh shqiptar dhe njohësi i pa shoq i gjuhës shqipe Jakov Xoxa, nuk kanë qenë kurrë pjesë e fjalorit të gegnishtes, përgjysmë me barbarizma e fjalë të huaja.
Dialekti toskë është shumë më i pasur, më i strukturuar, më i gjerë, më i thellë, më i gjithanshëm, më gjithë përfshirës dhe shumë më i begatë sesa dialekti gegë. Nuk ka mundur as mund të mbijetojë një gjuhë unike kombëtare, pa një fjalor të begatë dhe pa të mos i kishte ruajtur fjalët e shprehjet e veta arkaike nga shekulli në shekull, duke e pasuruar gjuhën e cila emërton dhe shpjegon fenomenet që na rrethojnë në të gjitha segmentet e jetës së përditshme dhe të asaj shpirtërore, ndiesore, arsimore, ndër-komunikuese.
Nuk ka mundur të krijohet gjuhë unike kombëtare pa gjuhën e Nam Frashërit, pa 500 e më shumë neologjizmat e tij, pa alfabetaret e tij të para, pa Këndimet e Çunave. Edhe fjala Abetare është krijuar nga Naimi. Nuk mund të mendohet një gjuhë më e pastër shqipe, sesa ajo të cilën e ka shkruar me dhjetëra mijëra fjalë, Andon Zako Çajupi, veçmas në epopenë e tij madhështore, “Baba Musa Lakuriq” mjerisht deri vonë e panjohur dhe e pa lexuar për shqiptarët. A mund të mendohet letërsia shqipe në pikëpamje të pasurisë gjuhësore pa veprat e Naimit, Çajupit, Asdrenit, Sterjo Spasses, Ali Abdihoxhës, Mitrush Kutelit, Jakov Xoxes, Ismail Kadaresë, Dhimitër Shuteriqit, Aleksandër Xhuvanit, dhe qindra të tjerëve…
Veriu pati fatin e keq historik, sepse u ndesh me pushtimet sllave dhe me humbjet e territoreve, madje edhe me asimilimin të plotë gjuhësor sikur kishte ndodhur me shqiptarët e Sanxhakut.
Gegërishtja, përveç Gjergj Fishtës, në periudhën deri te Pavarësia ka qenë më pak e shtrirë, në radhë të parë sepse nuk ishte unike brenda vetes. Me keqardhje, por duhet pranuar e vërteta se shkrimtarët që shkruan në gegërishte, përveç, Fishtës, Migjenit, Mjedës, Kolë Jakovës, nuk arritën ta kenë një gegërishte të njësuar sepse më tepër se gjysma e gegërishtes ishte ndarë dhunshëm nga Shqipëria dhe për pasojë arsimi kombëtar kishte filluar me një shekull vonesë në krahasim me atë të jugut..
“Kosovarishtja” e sotme në përdorim të disa jugo-kosovarëve, e pranishme në disa medie e sidomos në debate, është treguesi dhe ilustruesi më i mirë për të kuptuar zvetënimin, mungesën e begatisë autentike gjuhësore të përdoruesve të një surrogati të tillë gjuhësor. Kosovarçja e Migjen Kelmendit e Halil Matoshit e Nexhmedin Spahiut dhe e ndonjë tjetri, është e bunkerizuar, e zvetënuar, amorfe, e pa jetë, pa stil e begati, është një lloj në zhdukje e sipër, andaj pretendimet për ta mbajtur gjallë, janë donkishoteske…
Është shumë trimërues fakti se pjesa dërrmuese e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi, bën përpjekje të vazhdueshme për ta folur drejt gjuhën letrare, pavarësisht se në shkrime bëhen gabime, jo me dashje, por në radhë të parë nga mungesa e kujdesit, pasi kushdo mund të shërbehet me programin gjuhësor, i cili jep udhëzime të caktuara drejtshkrimore.
Gjuha letrare shqipe është konsoliduar, është e pranishme zyrtarisht, dominon kudo në institucione, medie, në shkolla e fakultete, kudo në botën shqiptare, në mërgatën shqiptare, pavarësisht rasteve dhe përpjekjeve të individëve të caktuar për ta dëmtuar këtë unitet, në rrugë drejt konsolidimit të plotë e përfundimtar.
Nuk thuhet kot se: “Një dele e keqe nuk e prish kopenë”, “Nuk ka fis pa një të pa fisëm”, “Nuk ka rregull pa ndonjë përjashtim”…
Andaj debati për gegërishten, për “viktimizimin e saj”, shkencërisht është i paqëndrueshëm, politikisht pretendohet të përdoret si armë, kundër ish regjimit të Enver Hoxhës, por kjo prodhon kundër efekt. Ndërsa përpjekja për ta ndarë kombin në toskë e gegë, në jug e në veri, në kosovarë e shqiptarë, është përpjekje majmune që i shërben Athinës e Beogradit dhe si e tillë, është përpjekje antikombëtare. Karvani i gjuhës së njësuar, karvani i shqiptarisë po ecën me tik-taket e historisë, do të gjendet edhe ndonjë që nuk do të pajtohet që do të këlthas, do të çirret e të sikletoset…
Prishtinë
Qershor 2022