Kremtimi në nivel kombëtar i 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, atëherë dhe tani të cunguar, po përcillet me një eufori jo vetëm folklorike, tashmë tradicionale, por edhe politike, me një eufori, e cila nuk e mbulon dot realitetin e Shqipërisë së cunguar, të ndarë e të përçarë, të një Shqipërie të pabërë ndonjëherë dhe me shpresa të zymta për bërjen e saj në të ardhmen. Të gjithë shqiptarët që mendojnë esëll, arsyeshëm e logjikshëm e dinë fare mirë se Shqipëria nuk është bërë, se jashtë Shqipërisë kanë mbetur trojet e saj qe 100 vjet, ndërsa para 100 vitesh edhe pse të sunduar nga Turqia ata rronin në katër vilajetet e tyre ku përbënin shumicën, po nuk mund të qëndronin më gjatë, sepse katandisja e Perandorisë do të marrte me vete Shqipërinë, të cilën Evropa e konsideronte tokë turke, provincë turke.
Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali, më 28 nëntor të vitit 1912, shumica e trojeve shqiptare ishin okupuar nga Aleanca e Shenjtë sllave, në krye me Serbinë, ndërsa viseve shqiptare iu kishin vërsulur për ta copëtuar: Greqia, Mali i Zi, Bullgaria e pak më vonë edhe nga Austro-Hungaria. Dhe nga ajo kohë e mbrapshtë e deri sot, Shqipëria ka mbetur e cunguar dhe e pa bërë, në të gjitha segmentet. Ajo, asnjëherë deri tani nuk arriti të bëhet shtet i plotë, ku do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët. E tillë është edhe sot Shqipëria, edhe pse kufiri mes shqiptarëve nuk është si dikur, kufi me tela gjemborë, për kalimin ilegal të të cilit kanë rënë sa e sa martirë e dëshmorë nga të gjitha viset shqiptare.
E vetmja ngjarje e shënuar gjatë këtyre viteve është lufta heroike e fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, po ashtu një pavarësi e cunguar, e cila ka lënë jashtë Iliridën, tri komuna të Kosovës Lindore edhe trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi. Për më tepër ka mbetur peng i politikës grabitqare serbe edhe veriu i Kosovës, të cilin BE-ja po përgatitet t’ ia dorëzojë Serbisë, me qëllim për ta ruajtur paqen në rajon, ashtu sikur kishte bërë dikur diplomacia evropiane duke ua dhuruar tokat shqiptare Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi, me qëllim për ta ruajtur paqen në Ballkan. Kjo është Shqipëria në 100-vjetorin e Pavarësisë. Ky është realitet që lë më shumë për të dëshiruar dhe më pak për të manifestuar.
Pavarësisht nga ky realitet, politik e diplomatik, shqiptarët kudo ku janë po bashkohen dhe po bëhen një me ngjyrat e flamurit kombëtar, me fushën kuq e shkabën zi, sepse ky flamur ka qenë dhe do të jetë:
“Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,” të cilin nuk e “trembi Romani as Veneciani, as Turk Sulltani, as Serb Dushani”, sepse ka qenë dhe po mbetet “flamur i madh për vegjëli”, sepse është flamur që “pajton islamin e krishterimin”, sepse është “flamur që rrezaton bujari e njerëzi”.
Kjo forcë mobilizimi e shqiptarëve të përbashkuar me një dëshirë e me një qëllim është mesazhi qindra vjeçar, është besë-betimi për Shqipëri, për shpëtim, “sepse nga lufta” për çlirim e bashkim, “largohet vetëm ai që ka lindur tradhtar, dhe kush është burrë nuk frikësohe,t por vdes, por vdes si një dëshmor”.
Me këto vargje të Fan Nolit, Asdrenit dhe të mëmëdhetarëve të tjerë shqiptarë jemi ushqyer shpirtërisht gjatë tërë shekullit të fundit dhe kemi arritur, që sot, 100 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe afishimit të Flamurit të Skënderbeut ta shpalosim aspiratën e natyrshme për bashkim kombëtar në mënyrën më të përgjithshme dhe më plebishitare të mundshme.
Pavarësisht se politika aktuale në Prishtinë dhe në Tiranë nuk ka arritur ta unifikojë qëndrimin unik në këtë drejtim, pavarësisht se trojet shqiptare janë të shkapërderdhura fizikisht dhe disa kanë mbetur ende nën robëri, shqiptarët kudo ku janë po bashkohen rreth flamurit, po dynden drejt Vlorës heroike, drejt Krujës historike, drejt Prekazit Legjendar dhe drejt të gjitha bastioneve liridashëse të Shqipërisë.
Ditët e fundit të këtij nëntori, Nëntorit më të madh të historisë, Nëntorit tashmë të pesëfishtë të historisë kombëtare, me ngjyrat kuq e zi janë zbukuruar të gjitha trojet shqiptare nga Medvegja në Çamëri, nga Plava e Gusia në Manastir, nga Ulqini në Prevezë, nga Shqipëria në Shqipëri, meqë
“Zoti vetë e tha me gojë
se kombet shuhen përmbi dhe,
por Shqipëria do të rrojë,
sepse për të po luftojmë ne”.
Këto mesazhe të rilindësve kanë qenë dhe po mbesin burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët liridashës, kudo ku bukës i thuhet bukë, e kripës kripë, kudo ku zemra mikpritëse shqiptare ruan besën, nderin, respektin, e mbi të gjitha dashurinë vëllazërore, solidarësinë, njerëzinë e humanitetin.
Këto mesazhe të “ADN-së” shqiptare tashmë kanë dalë sheshit dhe po i vishen trojeve etnike. Ky afishim madhështor, gjithëkombëtar po e sfidon padrejtësinë e disa shteteve të Evropës e botës, të cilat lejuan që mbi kurrizin tonë të ushtrohet dhuna e barbaria, lejuan copëtimin e Shqipërisë para 100 vitesh dhe sot pas një shekulli po e ndalojnë bashkimin fizik e tokësor të Shqipërisë, gjithnjë për hir të fqinjëve grabitqarë, edhe pse këta fqinjët tanë treguan para botës fytyrën e tyre të vërtetë kriminale, e cila sa e sa herë deri tani ra ndesh me normat dhe moralin njerëzor, dhe e cila në pranverë të vitit 1999 u godit nga ajri, nga Aleanca më e fortë ushtarake e botës, ashtu sikur ishte goditur dikur nga qielli, Sodoma dhe Gomora.
Edhe ky përvjetor i madh, duke marrë para sysh zhvillimet e fundit historike e politike në planin vendor dhe ndërkombëtar dhe ndryshimet që kanë ndodhur në rajon me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si dhe avancimit të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Iliridë, nuk na gjeti të përbashkuar ashtu sikur kanë dëshiruar Rilindësit, por na gjeti të ndarë në disa shtete dhe të përçarë politikisht si asnjëherë më parë.
Manifestimet në Tiranë, ku mungon opozita, që do të thotë më shumë se gjysma e shqiptarëve, manifestimet në Shkup, ku mungoi opozita dhe ku manifestimi pompoz u përshkua me deklarata demagogjike për bashkim kombëtar, manifestimet e ndara në Vlorë dhe në Tiranë, tregojnë mirëfilli fytyrën e vërtetë të politikanëve shqiptarë të nëntorit të vitit 2012, ngjarje e rëndësisë së veçantë kombëtare, së cilës do t’ i referohemi ne dhe pasardhësit tanë, për të parë dhe për të analizuar se kush gaboi e sa gaboi, kush voli merita dhe kush u anashkalua, kush ra dëshmorë për Shqipëri dhe kush e përgjaku kundërshtarët politikë, po kështu shqiptarë.
Natyrisht se në ditë të shënuara sikur është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, mbase e do urtia e durimi i njohur shqiptar, që të mos përmendim të metat e gabimet, por mendoj se kjo praktikë tradicionale dhe folklorike nuk duhet të jetë pengesë për të mos identifikuar shkaktarët e vërtetë të përçarjes, ndasive dhe kundërshtimeve mbi baza të ngushta politike e ideologjike. Janë pikërisht politikanët aktualë në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, përgjegjësit kryesorë, përse shqiptarët manifestojnë të ndarë e të përçarë. Kjo përgjegjësi nuk i shfajëson sa duhet opozitarët, edhe pse ata me këtë rast kanë më pak përgjegjësi, sepse pozita nuk ka bërë sa duhet për t’u bashkuar jo vetëm me rastin e manifestimeve, por edhe në rrugë drejt ndërgjegjësimit dhe njësimit të politikës kombëtare.
Dhe, nuk mund të ketë ndërgjegjësim as unitet qoftë edhe sipërfaqësor mbarëkombëtar me përpjekjet që po bëhen për të rehabilituar tradhtarët, atdhemohuesit dhe ata që kanë përgjakur vëllezërit e tyre për hir të miqësisë me sulltanët e carët, me krajlët serbë e me fashistët italianë e gjermanë. Nuk i ka hije një burri, aq më pak një kryeministri, apo një kryetari të lavdërojë deri në qiell një monark pro-serb e profashist, e po ashtu të lavdërojë edhe personalitet më të larta të kombit, që i kishte vrarë pikërisht ky monark, fashist e pro-serb. Derisa një burrë shteti ka vepruar kështu, pikërisht me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk ka pse të rreshtin kritikat, drejtuar pikërisht përçarësve dhe demagogëve, të cilët trumbetojnë bashkimin kombëtar, por janë nënshkrues të akteve ndërkombëtare, që e ndalojnë këtë bashkim. Një hipokrizi e tillë nuk mbulohet dot me një manifestim, qoftë ai edhe i përmasave sikur është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Me manifestime sado madhështore qofshin ato, nuk i bashkojmë dot trojet shqiptare në një shtet të vetëm.
Dhe, manifestimet do të përfundojnë me mbarimin e këtij muaji të lavdisë shqiptare, por sapo të vijë dhjetori, ne do të nisim aty ku e kemi lënë. Ata, që për hir të 100-vjetorit nuk pranuan t’ ia zgjasin madje as dorën njëri tjetrit, nuk manifestuan bashkë, por rrahën gjoks për të na bindur se janë atdhetarë dhe politikanë largpamës, sa largpamësia e tyre arrin deri në zyrën e BE-së në Bruksel. Këta ose nuk kanë kuptuar asgjë nga porositë e këtij 100-vjetori, ose janë politikanë hipokritë e demagogë, makiavelistë tipikë të kohës sonë.