Ahmet Qeriqi: Personalitete meritore të Lëvizjes Kombëtare, Bahri Fazliu (1971-1998) - I

Ahmet Qeriqi: Personalitete meritore të Lëvizjes Kombëtare, Bahri Fazliu (1971-1998) – I

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

1.

Në historinë tonë më të re ka personalitete me vlera të veçanta kombëtare, të cilët ende nuk janë trajtuar, nuk janë zbuluar e zbërthyer  në nivelin e dimensionit të punës, angazhimit dhe  të ndikimit të tyre në rrjedhat e përgjithshme, sociale, politike, luftarake, sidomos në vitet 90 të shekullit të kaluar, kur Lëvizja jonë Kombëtare ishte ndarë në dysh, ashtu sikur kishte qenë e ndarë dhe e përçarë,  jo pak herë në të kaluarën.

Lëvizja pacifiste,  durimtare,  e Ibrahim Rugovës thirrej në përcaktimin paqësor të shumicës shqiptare në zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare , ndërsa Lëvizja e Rezistencës aktive kishte ri shpalosur programin e trashëguar historik, të rrugës për çlirim dhe bashkim kombëtar deri edhe me kryengritje dhe luftë të armatosur.

Në mesin e personaliteteve që pati një ndikim shumë meritor dhe të veçantë në disa segmente të angazhimit politik, atdhetar  e kombëtar ka qenë edhe Bahri Fazliu (1971-1998) pandashëm me LKÇK-në dhe  gazetën “Çlirimi”, e  cila botohej e  shpërndahej   pikërisht në kohën kur po bëhej përpjekje të krijohej e të thellohej bindja se liria dhe çlirimi do të arriheshin në rrugë evolutive, paqësore,  bashkë me proceset e quajtura demokratike, pluraliste, të cilat madje i kishte pranuar formalisht edhe regjimi i Serbisë, në krye me Millosheviqin.

Pikërisht në atë kohë,  kur velloja pacifiste pretendonte se kishte fituar besimin e shumicës dërrmuese shqiptare,  në Kosovë e më gjerë, militantët e Lëvizjes Kombëtare, nga radhët e atyre që nuk e kishin ndërprerë kurrë veprimtarinë atdhetare, kishin filluar të vepronin me forma dhe metoda, për të cilat dihej historikisht  se kishin dhënë fryte e rezultate dhe ata i besonin lirisë e fitores, për të cilat nuk kishte çmim që nuk do ta jepnin.

Ata ishin të vetëdijshëm se liria, as ishte sjellë as mund t’ i sillej në pjatë një populli të shtypur e të robëruar, aq më tepër një populli që ishte ndeshur me perandoritë më të mëdha të botës dhe sado i përgjakur e i tkurrur territorialisht,  kishte mbijetuar, në disa  pjesë të trojeve të veta, që nga antikiteti.

Ata ishin të vetëdijshëm se liria i ka rrënjët me gjak, por  ishin të gatshëm ta jepnin edhe gjakun, dhe këtë e dëshmuan  me vepër, pikërisht ashtu sikur thoshte poeti i madh hungarez, Petëfi Shandor: “ për dashurinë e jap jetën, por për lirinë, e jap edhe dashurinë.

Po nga ky këndvështrim, Bahri Fazliu, i cili me kohë e kishte parë vetën dëshmor, ashtu sikur ishte edhe vëllai i tij, Fahriu i rënë bashkë me Afrim Zhitinë më 2 nëntori 1989, disa  vite para se binte edhe vetë, do të shkruante:

Harrojnë se duam natën, për ditën,

Se duam dhembjen për gëzimin,

Se duam luftën për paqen,

Se duam plakun për të riun.

 

(Bahri Fazliu:  Dhembja mund dhembjen, Prishtinë 2000 faqe 25)

Ish drejtuesi i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), Avni Klinaku, disa vite pas çlirimit të Kosovës nga robëria serbe ka deklaruar “se zbehja e rolit të kësaj organizate në skenën politike ka qenë në interes të atyre që kanë dashur të përfitojnë nga lufta çlirimtare e UÇK-së dhe kurrë të mos e thonë të vërtetën e plotë për luftën. Ai ka thënë se Adem Jashari, besimin ndaj LKÇK-së e ka shprehur edhe gojarisht. Klinaku ka thënë se Heroi i Kosovës, Bahri Fazliu, i cili pas rënies sime në burg ka qenë kryetar i LKÇK-së dhe kryeredaktor i organit “Çlirimi”, në emër të Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së, i ka dërguar një letër, një kopje të së cilës e posedon, e të cilës Ademi Jashari nuk ka arritur t’i përgjigjet, meqë disa ditë më pas kishte rënë në altarin e Atdheut bashkë me shumicën dërrmuese të anëtarëve të familjes. Dali i Ademit Jasharit, Lulëzim Jashari, pohon se Ademi i është gëzuar kësaj letre dhe se ka deklaruar këto fjalë: ‘Lumi unë  i lumi që po bashkohem me ata që e kanë edhe mendjen edhe pushkën. Avni Klinaku ka folur edhe për raportet e LKÇK-së me Zahir Pajazitin, me të cilin kanë qenë në kontakt Fatmir Humolli dhe Nazmi Zuka, duke sqaruar se  pas largimit të Fatmirit Humollit dhe Nazmi Zukës nga Kosova, lidhjet e LKÇK-së me Zahir Pajazitin i ka mbajtur Heroi i Kosovës, Agron Rrahmani, i cili ka qenë edhe komandanti i parë i njësitit gueril të LKÇK-së, Rexhep Mala, me autorizimin e Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së. Telegrafi, 21. 2.2013

Këto të dhëna prezantojnë mjaft mirë një segment të angazhimeve të LKÇK-së e krerëve të saj në rrjedhat politike të kohës, kur Lidhja Demokratike e Kosovës, pjesa dërrmuese e saj e prejardhur nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, e konsideronte veten forcë të vetme dhe vendimtare politike në Kosovë.

Dhe jo vetëm kjo.

Duke pranuar të ashtuquajturin pluralizëm politik, ishin formuar edhe disa parti të tjera, legale,  si Partia Fshatare e Kosovës, Partia Republikane, Partia e Unitetit Kombëtar, Partia Parlamentare e Veton Surroit në fillim, pastaj e Bajram Kosumit, etj.

Asokohe kishte shtrirë aktivitetin ilegal edhe Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila krerët me ndikim i kishte  në Tiranë dhe në shtetet perëndimore, Gjermani, Zvicër e gjetkë dhe që ishte në rrugë drejt masivizimit dhe konsolidimit.

LPK-ja, në gjysmën e dytë të viteve 90-të të shekullit XX mund të konsiderohej opozita kryesore e LDK-së, por ishte mjaft heterogjene në pikëpamje të organizimit të brendshëm, sepse brenda vetes  kishte trashëguar grupe e klane veprimtarësh me pikëpamje deri edhe të kundërta, politike e ideologjike. Një rrëmujë të tillë kontradiktash, pasuar me përçarje të thella, vërehej sidomos nga mesi i ish të burgosurve politikë, pasi një pjesë e madhe e  tyre ishte inkuadruar në strukturat politike të LDK-së, së cilës ia kishin përmirësuar “rruazat e kuqe” të atdhetarisë, por i kishin humbur “rruazat”  e veta të bardha, të qëndresës nëpër burgje.

Ky  konstelacion dhe diversitet forcash politike  doemos se prodhonte mjegull, pasiguri, dilema e huti te një pjesë e madhe e forcave liridashëse, jo vetëm në Kosovë por kudo në trojet tona, nën pushtimin jugosllav e serb.

LKÇK-ja në këtë mes kishte çarë rrugën vetë, me një program të qartë kombëtar, ndërsa botimi dhe shpërndarja e gazetës, “Çlirimi”  ishte e arritura numër një për masivizim, ndërgjegjësim politik e frymëzim të masave, meqë ajo ishte kudo e pranishme, deri edhe në fshatra e në mese të gjëra, ndërsa “Zëri i Kosovës” organi politik  i LPK-së shtypej jashtë vendit dhe në kushte e rrethana të njohura të kohës, kishte vështirësi e rrezik të shpërndahej në Kosovë, në mënyrë masive, sikur shpërndahej “Çlirimi”. Kështu ndodhte edhe me gazeta e revista që shtypeshin jashtë si “Liria” Zëti i Atdheut” e të tjera.

Një aktivitet të veçantë në gjysmën e dytë të viteve 90-të të shekullit XX kishte zhvilluar edhe Komiteti Kombëtar për Bashkimin e Trojeve Etnike Shqiptare në krye me Ruzhdi Saramatin. Pjesëtarë e kësaj organizate luftarake, krahas aktiviteteve  ilegale  fizike kundër forcave policore serbe,  shpërndanin kudo edhe gazetën “Çlirimi” të LKÇK-së, por edhe “Zërin e Kosovës”. ( A. Qeriqi “Krojmiri” Prishtinë 2007).

Aktivitet atdhetar në dobi të kombit e atdheut ka dhënë edhe UNIKOMB-i themeluar nga Halil Alidema, nismëtarin për organizim ushtarak çlirimtar, i cili bashkë me shokë mbështeti me mjete financiare dhe logjistikë edhe UÇK-së.

 (Prointegra.ch https://prointegra.ch › 1981_pkmlshj)

LKÇK-ja në këtë mes del të ketë vepruar me shumë zgjuarsi, maturi, konspiracion dhe marrëdhënie të caktuara me formacionet e tjera legale dhe ilegale, në Kosovë e më gjerë. Roli i kësaj organizate sidomos në vitet 1996-1998  ka qenë i nivelit të veçantë pasi në krye kishte,  Bahri Fazliun, një revolucionar shembullor, i pajisur me dije e njohuri politike, një mendimtar kritik shumë largpamës dhe i vendosur, një kuadër ndër më të veçantit të kohës në shumë segmente, qoftë në aftësitë organizative dhe në dijen teorike-analitike, të cilat i ka manifestuar në faqet e “Çlirimit” duke dhënë të kuptohet  se gazeta kishte nivelin e lartë intelektual  dhe nuk ishte vetëm  gazetë propaganduese e një organizate që vepronte në fshehtësi e konspiracion.

Merita kryesore e LKÇK-së ishte arritja e marrëveshjes me UÇK-së në vitin 1998. Sipas Avni Klinakut, pas përpjekjeve intensive dhe me ndihmën e disa  studentëve të Universitetit të Prishtinës, është arritur marrëveshja ushtarako-politike në mes të LKÇK-së dhe UÇK-së.

“Zyrtarisht, gjatë bisedimeve delegacioni i LKÇK-së është përbërë nga Sabit Gashi e Fatmir Humolli, ndërsa UÇK-në e ka përfaqësuar vazhdimisht Rexhep Selimi. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë prezent Sabit Gashi – përfaqësues i LKÇK-së, Rexhep Selimi – përfaqësues i UÇK-së, Smail Latifi prej LKÇK-së, dhe si ndërmjetësues Arben Fetoshi – përfaqësues i studentëve. Marrëveshjen e arritur në mes të LKÇK-së dhe UÇK-së e ka nënshkruar Sabit Gashi dhe Rexhep Selimi”. Marrëveshja e 10 majit e vitit 1998 ka qenë me karakter lokal dhe është arritur në mes të Sabit Gashit dhe Fehmi Lladrovcit”. Avni Klinaku ka saktësuar se nga LKÇK-ja, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë të pranishëm Xhevë Lladrovci, Tone Gashi dhe Smail Latifi.

“Marrëveshja e përgjithshme e 11 majit 1998 ka paraparë shkrirjen e formacioneve ushtarake në UÇK dhe ruajtjen e subjektivitetit politik të LKÇK-së”, shprehet. “Marrëveshja ka përmbajt edhe zotimin e të dyja palëve për formimin e Frontit Politik për udhëheqjen e luftës. Sa i përket pikës së parë të marrëveshjes, ajo është zbatuar plotësisht. Dhe, kjo ka ndodhur kështu edhe pse ka pasur mospajtime të mëdha në mënyrën e zhvillimit të luftës së armatosur”. Klinaku thotë se LKÇK-ja, duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e bashkimit të forcës ushtarake përballë pushtuesit dhe dëmit në rast se do të krijoheshin dy ushtri të shqiptarëve në Kosovë, ka vendosur që të shkrijë të gjitha formacionet e saj në UÇK dhe nuk i ka bërë bisht marrëveshjes . Disa prej Figurave më të rëndësishme të LKÇK-së kanë qenë: Bahri Fazliu – ideolog i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar dhe njëri prej figurave më të çmuara të LKÇK-së, Agron Rrahmani – komandant i njësitit të parë gueril të LKÇK-së në Prishtinë, Rexhep Mala dhe bashkëpunëtori me i ngushtë i Bahri Fazliut, Agim Ramadani, Mehë Uka (të gjithë të shpallur Heronj të Kosovës), Hyzri Talla, Isa Kastrati, Sokol Sopi, Agron Rama etj. ( Telegrafi, 21. 2.2013.)

Janë të mirënjohur edhe  shumë kuadro e aktivistë të tjerë të LKÇK-së në mesin e të gjallëve, që kanë vepruar e luftuar deri në fund, si Sejdi Veseli, me shumë bashkëveprimtarë, pastaj: Fatmir Humolli, Sabit Gashi, Shukri Klinaku, Valon Murati, Nebih Fazliu, Rexhep Morina, Smajl Latifi, Agim Kuleta, Salih Mustafa, Fadil Fazliu e të tjerë.

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …