Prej 4 janarit të vitit 2024 fillon publikimi ditë për ditë i veprës time dokumentare, KRONIKË LUFTE II.
Fillimisht po publikojmë ngjarjet e zhvillimet e pesë ditëve paraprake, në përgatitje për fillimin e punës, të shkëputura nga pjesa e parë e Kronikës (9 maj – 30 dhjetor 1998) ku janë pasqyruar përpjekjet e fundit që ka bërë një pjesë e stafit si dhe eprorëve e ushtarëve për të filluar punën dy mjetet e informimit që cilat i kishte themeluar SHP i UÇK-së që në nëntor të vitit 1998.
Intensifikohen punët e angazhimet për të filluar sa më parë emetimin në dy institucionet informative
E mërkurë 30 dhjetor, 1998
Herët në mëngjes së bashku me Martin Çunin dhe Elez Durmishin kemi bërë përgatitjet paraprake dhe pa vonuar jemi nisur në drejtim të Berishës, meqë sot duhet të vijnë dy teknikë nga Prishtinë për të bërë provat e fundit në teknikën transmetuese të Radios Kosova e lirë. Me ne është edhe luftëtari nga Karaçica Sejdi Elezi-Kelmendi, ish i burgosur politik, Komandant “Coli”. Sejdiu pastaj Shaip Kelmendi, vëllai i tij, Xhavit Kelmendi, Naser Kelmendi e të tjerë, të gjithë nga Karaqica iu kanë bashkuar luftës qysh në pranverë, në radhët e Komandant Kumanovës.
Rruga që tani e tutje duhet të bëjmë është në relacion: Krojmir, Shalë, Baicë, Nekovc, Kizharekë, e prej Kizharekës këmbë nëpër Grykë, te Mrizet e Berishës. Pastaj të Berishë.
Në Shtabin ushtarak të Kizharekës kemi takuar Idriz Hysenin, i cili na bën me dije se sapo ka arritur edhe Blerim Peja. Ai ka sjellë me veti, ilegalisht edhe disa pajisje të tjera dhe pa vonuar nisemi këmbë Grykës përpjetë. Rruga është shumë e mundimshme edhe për faktin se jemi veshur me rroba dimri dhe secili nga ne ka nga një çantë me pajisje apo gjësende personale.
Së bashku me Blerimin ka ardhur edhe një shok i tij që quhet, Behxhet, i cili djalin e ka ushtar.
Te vendi i quajtur Mrizet e Berishës vërehen konturat e vendbanimit të të zhvendosurve gjatë verës. Na tërheq vëmendjen një kasollë tipike e ndërtuar me shtylla druri, e thurur me thupra, ndërsa brendësia e lyer me llaq. Një kasollë tipike baritore e shekujve të moçëm, por aq fort e përshtatshme për këto rrethana dhe shumë më e sigurt se një tendë e thjeshtë plastmasi apo najloni. Kanë mbetur të paprekura edhe shumë kasolle me dushk, qysh nga vjeshta.
Derisa po ngjiteshim me vështirësi, nuk më shqitet mendja nga këto kasolle. Ato më bëhet se kanë mbetur ashtu sepse sërish popullata do të kthehet në to.
Në kthesën e fundit te Zabeli, vërejmë se Niva me të cilën qe nisur Idriz Hyseni, i ngarkuari për Logjistikën e Shtabit, kishte mbetur në dëborë. Edhe pse bëjmë përpjekje për të shtyrë, jemi aq të lodhur sa më shumë e pengojmë se e shtyjmë përpara. Ajo mund të tërhiqet vetëm me ndonjë traktor, apo ndonjë xhip tjetër.
Oda e Asllan Berishës tani është seli e Radios-Kosova e Lirë dhe e Agjencisë së Lajmeve Kosovapres. Isë Krasniqi me një ushtar tjetër kanë vendosur mjetet nëpër vendet e veta. Kanë aktivizuar telefonin satelitor, faksin, printerin dhe pajisjet e tjera përcjellëse.
Nusret Pllana po bën ushtrime të zërit duke lexuar lajme nga gazetat. Ai për fillim do të kryejë punën e spikerit meqë ka një zë të thekshëm dhe lexon pa gabime. Unë kam përgatitur lajmin e parë, ndërsa me Martinin ka mbetur të bisedojmë lidhur me tingullin paralajmërues. Tri versione të xhinglave të cilat i ka komponuar, Rauf Dhomi ndërsa i ka rregulluar teknikisht, Efraim Kastrati na i solli, Blerim Peja. Ka mbetur të bisedojmë dhe të përcaktohemi se cilën do ta zgjedhim. Një xhingël me tre tinguj të ngadalshëm, pastaj tre të tjerë të shpejtë akordon me tri shkronjat e UÇK-së. Përderisa kemi filluar të angazhohemi konkretisht për përgatitjen e emisionit të parë, kam menduar që nga kënga e Arif Vladit, “Jam Kosovë e shqiptarisë”, të shkëpusim orkestralin për të sajuar xhinglën autentike të Radios.
Vazhdon…