Sot bëhet një javë nga vrasja e Jetë Hasanit. Dita e sotme shënohet e fundit për ngushëllime. Në kohën kur jemi ndarë me Xha Azizin, Idrizin, Lulin, Avniun e të tjerë, nuk i kemi përmbajtur lotët. Rrahim Qeriqi e ka marrë përsipër që me traktorin e tij t`i çojë në Godanc xha Azizin e të tjerët. Në Krojmir kanë mbetur bija e Jetës Myrvetja, ndërsa pas pak ditësh do të kthehet sërish edhe Avniu. Myrvetja rri me bijat e Sylës dhe me bijen e Elezit, Shpresën, me të cilën është moshatare, me Arbanën Melikijen e ushtare të tjera. Edhe Ajo tashmë është pjesë e UÇK-së.
Kah mbërmja nga Godanci kemi marrë lajme se policia serbe ka bastisur shtëpinë e dëshmorit Jetë Hasani, të cilën e kanë plaçkitur dhe demoluar. Në atë kohë askush nuk ka ndodhur në shtëpi.
Thuhet se policët e kanë minuar shtëpinë. Ka mundësi që krejt kjo të jetë e vërtetë.
Në orët e pasditës kemi qëndruar së bashku me Jakup Krasniqin, Ramë Bujën Berat Luzhën e të tjerë. Jakupi ka përgatitur një deklaratë për mjetet e informimit lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Në mbrëmje te Luani kanë ardhur Naim Imeri, Vehbi Zeqiri dhe një person tjetër, për të cilin thuhet se është i afërm i Ukshin Hotit. Ai ka sjellë me vete disa qindra numra të gazetës së studentëve Bota e Re, e vetmja gazetë e cila tanimë është bërë zëdhënëse e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në terrin tonë informativ kjo gazetë është një shkëndijë e cila meriton çdo lavdatë. Gazetarët si duket po veprojnë në konspiracion të thellë. Po të kapen nga policia serbe, askush nuk mund të prognozojë fatin e tyre. Ata janë skajshmërisht të rrezikuar.