Ahmet Qeriqi: Pjesë nga Kronika e luftës së UÇK-së, 17 tetor 1998: Jetë Hasanin e varrosim me nderime ushtarake në varrezat e Lagjes Qeriqi në Krojmir II

Ahmet Qeriqi: Pjesë nga Kronika e luftës së UÇK-së, 17 tetor 1998: Jetë Hasanin e varrosim me nderime ushtarake në varrezat e Lagjes Qeriqi në Krojmir II

Në vazhdim të fejtonit  do të prezantojmë pjesë nga “Kronika e luftës së UÇK-së”, vepër në 1200 faqe  ende në dorëshkrim, ku janë përshkruar 400 ditë e luftës, në formë kronike dhe ditari

Trupin e dëshmorit, Jetë Hasani e varrosim me nderime ushtarake në varrezat e Lagjes Qeriqi, në Krojmir, Në Grykën e Kizharekës varroset dëshmori Fehmi Kastrati                                                  

E shtunë 17 tetor, 1998

Jemi zgjuar më herët se zakonisht meqë jemi marrë vesh që për shkaqe sigurie,  varrimi i  trupit të dëshmorit, Jetë Hasani  të kryhet sa më parë. Ka rrezik që grumbullimi i njerëzve të hetohet nga maja e Goleshit dhe forcat serbe të vendosura atje mund të na qëllojnë, nga pikat e larta të Blinajës

Pikërisht për këtë në orën 7.00 të mëngjesit  ka filluar ceremonia e varrimit.

Trupi i dëshmorit Jetë Hasani është përcjellë me nderimin e shumë ushtarëve dhe të të gjithë atyre që kanë ardhur në varrim. Kortezhi është nisur nga shtëpia e Sylë Qeriqit. Ka marrë pjesë në varrim edhe, babai i Jetës,  xha Azizi,  i biri i Jetës, Avniu, e bija Myrvetja, vëllai Idrizi dhe të tjerë.

Meqë nuk erdhi askush nga Shtabi, fjalën e rastit e ka mbajtur ushtaraku Naim Ismajli, ndërsa ceremoninë e varrimit me kërkesë të familjes e ka kryer Mulla Azem Olluri, i cili është përkujdesur që ceremonia të jetë krejtësisht e shkurtër. Ai ka thënë se meqë Jeta është dëshmor nuk ka nevojë përgatitja tradicionale e përgatitjes së kufomës.

Në fytyrat e ushtarëve vërehet pikëllimi por edhe vendosshmëria për ta vazhduar rrugën e dëshmorit.  Humbjen e Jetës e kemi përjetuar rëndë, sidomos ne që kemi vepruar një kohë të gjatë me të.

Varrimi është bërë në masa të veçanta të sigurisë…

Derisa ushtarët po parakalonin pasi trupi i dëshmorit ishte mbuluar me dhe, radhëve iu bashkohemi  së bashku me Berat Luzhën te i cili e vërej po ashtu një dhembje të thellë, meqë për pak kohë sa kishte qëndruar me Jetë Hasanin, ai i kishte lënë përshtypje të veçantë.

Ceremonia e ngushëllimit do të mbahet në odën e Sylë Qeriqit. Babai i Jetës, Aziz Jetë Hasani po mbahet burrë e shkuar burrit. Ai ende nuk i di rrethanat në të cilat ka rënë djali i tij, Jeta  në detyrë.

Në hyrje të odës kemi vendosur një fotografi të dëshmorit dhe truprojën e nderit. Fillimisht me qëndrim në gjendje gatitu, rri ushtari nga Godanci Arben Hyseni, apo hoxha sikurse e quajnë ushtarët këtë nxënës të medresesë.

Pasi kishte mbaruar ceremonia kanë ardhur dy ushtarë nga Kizhareka. Ata kanë lajmëruar se edhe atje në grykën e fshatit,  te Mrizet e Berishës, është varrosur dëshmori. Fehmi Kastrati 19 vjeçar i rënë mbrëmë në luftime, në dalje të fshatit Lladrovc.

Pasdite për ngushëllime erdhën: Fatmir Limaj, Hysni Syla, Shaban Draga, Idriz Hyseni e të tjerë. Komandant Çeliku kërkon falje që nuk ka mundur të vijë në varrim meqë në të njëjtën kohë është varrosur edhe dëshmori, Fehmi Kastrati. Ai sjellë në kujtesë një moment heroizmi të nënës së dëshmorit, e cila pasi bashkëluftëtarët e mbulojnë trupin e djalit me dhe, kërkon nga komandant,  që aty për aty pushka e të birit dëshmor t`i jepet djalit tjerët, Aliut.

-Të gjithë sa janë i qofshin falë Ushtrisë sonë dhe atdheut, ka thënë kjo nënë e një familjeje të varfër nga Kizhareka, e cila jeton në tendë me tetë anëtarë të tjerë të familjes.

Në prani të ushtarëve dhe të popullatës, Aliu e merr pushkën e vëllait dhe kordelen e kuqe, që kurdoherë e kishte mbajtur në ballë, vëllai i tij, tani dëshmori i kombit, Fehmi Kastrati.

-Po shkruhen faqe të heroizmit dhe të qëndresës, thotë komandant Çeliku pasi flet për Jetë Hasanin, për njërin ndër prijatarët e UÇK-së në këto anë si dhe për ushtar Dinamitin, ashtu sikurse e quanin shokët bashkëluftëtarin e tyre tani dëshmor, Fehmi Kastrati.

Lavdi dëshmorëve!

Në mbrëmjen a ditës së sotshme të dhembshme, në odën e Sylë Qeriqit kanë ardhur edhe Naim Imeri, Vehbi Zeqiri, Ali Mullini pastaj Ajvaz Karpuzi, ndërsa nga Shtimja kanë ardhur edhe Famir Xhelili, Nusret Gashi dhe shumë të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …