Të gjithë jemi zgjuar heret meqë parandiejmë rrezikun e intervenimit të formacioneve serbe të grumbulluara në relacion Komaran Malishevë. Ndodh që serbët do të ndërmarrin sulm kundër pozicioneve tona, duke e shfrytëzuar kështu afatin derisa të skadojë marrëveshja e ashtuquajtur Hollbruk Milosheviq, e cila ndër të tjera parasheh kthimin definitiv të armatës në kazerma.
Serbët mund të hakmerren edhe me faktin se forcat tona, në shumë vende i kanë sulmuar forcat okupatore me rastin e tërheqjes. Ky ndoshta është vetëm një pretekst, por kjo ka zbuluar para tyre forcën e pathyeshme të UÇK-së dhe gatishmërinë e saj për të luftuar deri në fund. Këto sulme do të ndikojnë në imponimin e UÇK-së si faktor ushtarak, meqë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes Holbruk Milosheviq nuk është kërkuar armëpushim nga UÇK-ja, sepse në rast të tillë ajo do të legjitimohej si forcë ndërluftuese. Serbët tanimë po e kuptojnë se edhe kjo marrëveshje do të pësojë sikurse të tjerat dhe ndoshta pikërisht për këtë ata do t`iu pëgjigjen sfidave nga ana jonë.
Pasi kemi qëndruar për një kohë te Oda e Sylës ku po mbahet ngushëllimi për dëshmorin Jetë Hasani, së bashku me Beratin, Sylën dhe të tjerë kemi shkuar në kuzhinën ushtarake, ku aktualisht janë angazhuar Idriz Qeriqi, Salih Rizani, Heset Hamdiu e shumë të tjerë.
Jeta po iu mungon të gjithëve. Syla Elezi dhe bashkëluftëtarë të tjerë po kujdesen për bijtë e bijat e tij. Avniu, Mervetja e të tjerët e ndiejnë shumë rëndë mungesën e babait të tyre, por ne do të bpjmë gjithçka që atyre të mos iu mungojë asgjë. Tash për tash ata janë në shtëpinë e Sylë Qeriqit.
Strukturat ushtarake civile në Krojmir kanë qenë dhe po mbesin në nivel meritor falë organizimit dhe përkushtimit të trimave dhe të trimëreshave që janë angazhuar në radhat tona. Në Krojimir vepron edhe një njësit kontrollues vëzhgues i ushtareve të armatosura, të cilat ushtrojnë roje në hyrje dhe dalje të fshatit, Ato legjitimojnë udhëtarët edhe nëpër autobusë.
Në mesin e ushtareve të rekrutuara që nga fillimi i luftës shquhen: Teutë Mazreku, Merita, pastaj Melikie Qeriqi, Arbanë Qeriqi, Ganimete Qeriqi, Shukrie Mustafa dhe shumë të tjera. Në radhët e luftës që prej fillimit është angazhuar edhe Elmie Plakiqi, drejtoreshë e shkollës në fshatin Nekoc, motra e Fehmi Plakiqit i burgosur politik i viteve 80-të. Ajo vazhdimisht është në kontakt me grupin e ushtareve që aktualisht shërbejnë në Krojmir. Elmija ka marrë pjesë në demonstratat e viti 1981 dhe ka qenë e dënuar me burg. Prania e saj në luftë ka mobilizuar femrat dhe vajzat e fshatrave të kësaj ane. Ajo po merr pjesë në luftime, kudo ku po paraqitet nevoja.
Gjatë tërë ditës kemi pritur fillimin e ofensivës serbe.
Si duket edhe sot na kanë kursyer ose kanë qëllime të tjera.
Nga granatimet në Tërpezë dhe Arllat thuhet se ka pësuar një nënë me të bijen e saj. Serbët janë koncentruar në këto anë, pasiqë kanë infromacione për pozicionimin e ushtrisë dhe të një pjese të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.
Në orët e vona të natës, derisa i lodhur dhe i dërrmuar po i radhis zhvillimet e ditës së sotme, po dëgjohen të shtëna armësh në drejtim të Grykës së Llapushnikut. Kam dalë në oborr për të saktësuar se ku po shkrepin armët. Po thuajse në të njëjtën kohë dëgjohen të shtëna edhe në malet e Carralevës, në drejtim të Kleçkës e në disa pika të tjera.
Mendoj se këto sulme po i provokojnë ushtarët tanë me qëllim që t`i lodhin forcat serbe dhe në asnjë vend të mos ndihen të sigurt. Në këto rrethana, sidomos pas miratimit të Rezolutës së KS të OKB-së dhe marrëveshjes së Holbrukut me kryekriminelin Milosheviq, mendoj se serbët nuk do të ndërmarrin ndonjë ofensivë në shkallë të gjerë. Megjithatë, ne jemi të gatshëm për të gjitha. Kthim prapa nuk ka.