Qeveria e Kosovës, e gjendur përballë presionit amerikan dhe atij të BE-së më në fund miratoi një plan të vetin për zbatimin e vendimit për targat, në afate të caktuara kohore. Reagim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasoi miratimin nga Qeveria të një plani për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill të vitit të ardhshëm. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat. “Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Kjo zgjidhe në popull po interpretohet se ajo fjala, Jo buka po kulaçi.
Kurti ka bërë përpjekje ta ruajnë “namuzin” e vet politik, gjithnjë në mënyrën e tij, improvizuese e kalkuluese pasi nuk ka burrëri për të dalë hapur e për të treguar se nuk e përballon dot presionin. Po të vepronte në mënyrë diplomatike për të treguar maturi dhe vetëpërmbajtje, i duket se do të kishte vepruar si Hashim Thaçi, apo Isa Mustafa.
Albin Kurti në situata të tilla zgjedh rrugën e mesit, por kjo është rrugë qorre, madje nuk është as rrugë me një kahe.
E keqja e kësaj rruge apo e këtij opsioni të tij është se ajo i dëmton padrejtësisht qytetarët serbë me gjoba të papranueshme dhe të rrezikshme, meqë fare lehtë mund të vijë te dhuna fizike. Në raste të tilla gjendja mund të dalë jashtë kontrollit, pasi të gjithë e dimë se shumica serbe në Kosovës eshtë e manipuluar nga Vuçiq, Vulini, Daçiqi e shumë të tjerë. Nuk duan serbët në Kosovë t i binden urdhrit të Albin Kurtit, po ja që duan të respektojnë urdhrat e Beogradit.
Mendoj se ky plan është më i rrezikshëm sepse po t’ iu kishte përmbajtur zotimit se nuk ka më shtyrje afati dhe policia të fillonte “spastrimin e terrenit” për të gjithë serbët e padëgjueshëm dh të pabindshëm ballafaqimi do të kishte qenë kolektiv, në moton e njohur shqiptare “ja hunin, ja tirqit”.
Ky plan i papeshuar mirë rëndon mbi kurrizin e serbit, që e do më shumë qeverinë e Beogradit sesa atë të Kosovës, edhe pse është i vetëdijshëm se nuk ka ardhmëri, të paktën nuk do të dëmtohej individualisht, Një shok imi që ende është në vetëvendosja më tha se Albini është super gjeni, pasi ai e ka menduar këtë plan, për të fituar kohë dhe imazh sepse gjobat e tilla mund t ua paguajë buxheti i Kosovës, sikur paguan dhjetëra milionët për shpenzimin e rrymës, së serbëve në veri.
Plani më i ri i Kurtit, tregon më së miri se ai është njeri i kalkulimeve politike dhe kjo është e vetmja rrugë për të mos dhënë dorëheqje, apo për të mos shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme.
Albini dhe këshilltarët e tij, (nëse gjendet ndonjë që guxon të japë ndonjë ide tjetër para tij), nuk e kanë paramenduar mirë reagimin e serbëve, pasi shpërthimet e revoltave kundër gjobitjeve mund të qojnë edhe me ballafaqime fizike të popullatës, apo grupeve të manipuluara serbe me policinë e Kosovës, e cila në raste të tilla pashmangshëm mund të përdor edhe dhunë.
Çka do të ndodhte me Kosovën, nëse policia provokohet deri në shkallën ku përdorët gazi apo edhe arma për mbrojtje të domosdoshme? Si do ta interpretonte këtë Beogradi e Moska, në kohën dhe situatën më të pavolitshme për Kosovën.
Qeveria e Kosovës miratoi një plan të vetin për zbatimin e vendimit për targat, me afate kohore. Ky reagim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasoi miratimin nga Qeveria ë një plani për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill të vitit të ardhshëm. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat. “Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë
Albin Kurti është politikani i vetëm në Kosovë që tëhollon shumë, që ngreh deri atje ku të mos këputet, kur është në pyetje faktori ndërkombëtar, por ai duket se nuk ka mësuar asgjë nga filozofi i madh, Sidarta Gajtama Buda i cili thoshte, jeta është si teli i instrumentit, po ta lësh lirshëm nuk nxjerrë tinguj po ta shtrëngosh fort, këputet.
Albini nuk po e gjen mesin as gati pas dy viteve të qeverisjes, dhe sipas të gjitha gjasave nuk do ta gjejë, edhe për faktin që e dimë të gjithë. Evropa përgjithësisht dhe krerët e BE-së veçanërisht e duan shumë më tepër Serbinë, sesa Kosovën, e duan për arsye të shumta, në radhë të parë sepse është shtet i krishterë, ashtu sikur gati tëra shtetet e Evropës, e duan dhe e mëshirojnë pasi ishin detyruar ta bombardojnë në vitin 1999 pa dashjen e tyre, por me vendimin e Amerikës e të Anglisë, shtetet kryesore të NATO-se, dhe për dashurinë e tyre ndaj Serbisë nuk duhet të habitemi fort.
Këtë më së pasi e kishte parë Gjergj Fishta kur ishte me rastin e Luftërave ballkanike, ua kishte thënë diplomatëve evropian, shumë më tepër se atë që ua tha Edi Rama dy tri javë më parë. Sa për kujtesë, për një mësim që nuk duhet të harrohet nga historia po shkëpusim një fragment nga Fjalimi i Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, 103 vjet më parë mes tjerash ka thënë: Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombëtare, ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se pikërisht në ditën, në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo vetëm për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turqisë, se sa me u gri prej kristjanëve.
Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij…
E tash dëgjoni si u soll i krishteri me Shqipëri e me shqiptarë.
Në vitin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqin dmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado që Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë. E sot Konferenca e Paqes lypë që pikërisht ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme! (Ahmet Qeriqi Fjala e Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris katër studime… Faqja e Radios Kosova e Lirë, ose google)
Mbaj mend kur inatosej Baca Adem Demaçi, në veprimet e Evropës kundër shqiptarëve, dhe lëshimet që ajo i bënte Serbisë thoshte,… medet, që nuk e kam atë gjuhën e Fishtës, për t’ ia përplasur sërish Evropës, por e kam gjuhën e Ademit që flet fjalët të buta… edhe pse Baca nuk ishte aq i butë, por ishte i vetëdijshëm se më mirë e më burrërisht se Fishta nuk kishte folur asnjë shqiptar në Paris, ku një vit më vonë Avni Rrustemi zbrazi zemërimin popullor mbi një vasal serb e evropian, mbi Esad Pashën, që kishte shkuar në Paris, me qëllim për ta marrë e për ta legjitimuar nga Evropa një copë nga Shqipëria e mesme, si njëlloj pashallëku, por me bekimin e Evropës, për shërbimet që ia kishte bërë Serbisë Francës, Greqisë, Malit të Zi e shumë shteteve të tjera.
Guximin e Fishtës në vitin 2022 e shprehu, kryeministri i Shqipërisë (dhe i gjithë shqiptarëve), Edi Rama, 103 vjet më vonë kësaj radhe duke mbrojtur pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht se fjalës së tij nuk ia varën Albin Kurti, Vjosa osmani as Glauk Konjufca.