leoni

Ahmet Qeriqi: Plasi edhe akademiku, Mehmet Kraja

Shkrimi shfryrës, sharës, poshtërues, i marrë dhe i paskrupull i Mehmet Krajës, titulluar “Ku ishte ti Adam?” drejtuar të gjithëve në Kosovë, nuk i ka hije një akademiku, aq më pak një shkrimtari, dikur i lexuar nga publiku, tash i mbetur në harresë, kësaj shtrigë harrese, që  shkrimtarët prepotentë si ky soj i frikësohen më shumë sesa vdekjes.


Jemi mësuar me shkrimet fyese e denigruese të Mehmet Krajës, e jo pak të tjerëve, si ato të kohës së kaluar, ato të kohës së “artë” të LDK-së, në krijimin e së cilës Kraja kishte një meritë jo dosido.


Jemi mësuar me sharjet e fyerjet e tij, ne të burgosurit politikë, të cilëve na quan enveristë, marksistë, malokë, njerëz që dinë çka thonë, por  nuk dinë çka duan. Jemi bërë imunë me sharjet e tij drejtuar të gjitha  regjimeve të kaluara e të tanishme.  Dhe, më duket se pikërisht kjo gjendje, pikërisht mos reagimi në sharjet dhe fyerjet e tij e ka goditur,  e godet dhe e sëkëlldisë  rëndë këtë njeri. Un kësaj radhe po e bëj një përjashtim. Ndoshta nuk do të kursehet edhe ndonjë tjetër si unë. Kraja po  tregohet kritik i gjithçkaje, super i ditur, super trim për t’ i sharë të gjithë, madje edhe  super akademik,  që iu thotë kolegëve të tij të Akademisë, “sus, nuk ju pyes unë se doni apo nuk doni të futeni  në Enciklopedinë time, të ASHAK-ut, përzgjedhjen e bëj vetë”.  Prepotenca,  vulgariteti, arroganca, mohimi, poshtërimi i të tjerëve, i kanë shkuar dhe i shkojnë për shtati këtij akademiku, sepse e konsideron veten trim ky Mehmeti.


 


Pale, ka mbetur diçka në qenien e tij,  nga gjenet e dikurshme të trashëgimisë  së malësorit, të cilit nuk i bën syri vër, as kur i shan çlirimtarët, meqë “me sjelljen e tyre arriviste, (paskan) krijuar modelin më të shëmtuar të liberatorit, meqë rrugën nga heronjtë te banditët në Kosovë u bënë tepër të shkurtër”.(!)


Po Mehmeti, megjithatë nuk është trim, sepse nuk përmend me emër e mbiemër  se cilët qenkan këta “çlirimtarët vagabondë”,  nëse ka të tillë? Apo ndoshta ai ndihet shumë i arsimuar dhe shumë superior, sa do t’i vinte ndot ta përmendte qoftë edhe një emër të përveçëm të një “çlirimtari vagabond”, por i fut në thes të gjithë, sepse kështu është më lehtë dhe më mirë për “ndërgjegjen e tij”, nëse mund të bëhet fjalë për ndonjë lloj ndërgjegjeje.


 


Kosova kishte dhe ka mijëra çlirimtarë, shumica dërrmuese e tyre me gjendje të rëndë ekzistenciale. Nuk e mohoj se mund të ketë edhe ndonjë vagabond në mesin tonë,  por përgjithësimet e tilla në  këtë rast nxjerrin në sipërfaqe një shpirt të zi të urrejtjes, me qëllime hipokrite duke pretenduar të konstatohet përfundimisht  se lufta çlirimtare dhe gjaku i derdhur për liri paska shkuar kot dhe tërë procesi paska qenë krejtësisht i panevojshëm, i gabueshëm, sepse njëqind herë më mirë paskemi jetuar nën robërinë e Milosheviqit, sesa në Kosovën e lirë të çlirimtarëve “vagabondë”!.


 


Është e kuptueshme sesi një klasë “intelektualësh, politikanësh, shkrimtarësh” të kohës së ish regjimeve, si Mehmeti me kolegë kanë jetuar shumë mirë, në kohën e tyre, por  sot në “Kosovën e çliruar nga vagabondët”, jetojnë shumë më mirë,  shumëfish më mirë se çlirimtarët dhe  shumë më mirë se ata që e kanë dhënë gjakun, djersën mundin dhe gjymtyrët për lirinë  dhe pavarësinë e vendit.


 


Nëse Kosova, ta zëmë  se ka 100 profiterë, që kanë prejardhje nga lufta e UÇK-së, e them me përgjegjësi të plotë  se ka 10000 e më shumë të tillë, profiterë e matrapazë që kanë prejardhje nga LKJ, e LDK-ja, të cilave u ka shërbyer me shumë zell,  dhe i ka zhvatur aq sa ka mundur dhe aq sa ka ditur, shkrimtari dhe akademiku, Mehmet Kraja. Ai r di mjaft mirë se pushtetin e pas luftës në Kosovë nuk e kanë vendosur çlirimtarët, por administratorët  e UNMIK-ut dhe mercenarët e të gjitha llojeve, në mesin e tyre shumica dërrmuese nga ish-LKJ-LDK-ja, nga kjo fara e prejardhja politike e Krajës. Fakti se në krye të Qeverisë apo në disa institucione ka pasur dhe ka ndonjë nga radhët e ish-luftëtarëve,  nuk është rastësi, por mjeshtëri e atyre “miqve” tanë që kanë çliruar dhe na kanë zgjedhur e na zgjedhin kryetaren, koalicionin, kryepolicin e Kosovës, krye-agjentin, ministrin e Forcës, dhe të gjithë krerët tanë, asnjë me prejardhje nga radhët e çlirimtarëve të vërtetë, asnjë nga ajo shumicë, të cilën ai e fut në një kosh me një pakicë të paragjykuar. Nuk është njeriu më i pasur i Kosovës, një ish komandant i UÇK-së, por është një njeri të cilin e njeh mirë Mehmeti dhe nuk është ai i vetmi që ka pasuri sa krejt popullata e Kosovës bashkë. Ky njeri dikur i ka takuar LKJ-LDK-së dhe asnjëherë çlirimtarëve.


 


Këtij  njeriu, i pengon gjithçka që është ndërtuar në këto vitet  e lirisë dhe pavarësisë, sepse tërë ky zhvillim paska shkuar kot,  meqë nuk qenka dëgjuar zëri i tij për ta ndërtuar një botë ndryshe, sipas shijeve dhe bindjes së tij  dhe të ithtarëve, nëse ka të tillë dhe me siguri ka por është një pakicë e shpërfillur, përderisa nuk ka arritur të tubojë pesë apo gjashtë vetë, mjaftueshëm për të themeluar  një OJQ.


Këtij i pengon pozita dhe opozita, madje edhe Vetëvendosja, të gjithë, sepse mendon e ndoshta beson se Kosova qenka penduar edhe nga pavarësia e saj, se lërë më për të tjerat.


“Kosova u bë e pavarur, por tashmë askush nuk çan kokën për vlerën e kësaj pavarësie, sepse ajo është zhgënjyese deri në pendesë”, kështu konstaton Kraja, jo sepse nuk e di të vërtetën,  por sepse dëshiron të jetë pikërisht ashtu sikur mendon ky, i vetmi, më i pagabuari, më trimi dhe më i dituri. Sa pare bën kur nuk ka asnjë tjetër si ky. Pastaj edhe nëse pretendon të jetë një Adam, njeri apo perëndi, prapë se prapë nuk do të bënte më shumë. Edhe po të ishte në vendin e Adamit, nuk do të pillte diçka më shumë sesa ky rrebesh fjalësh  të pista e të ndyta, që iu drejtohen të gjithëve, pa dallim, në veçanti “çlirimtarëve vagabondë”, sepse ata qenkan fajtorët kryesorë, që ia paskan prishur Kosovës gjumin e rëndë të robërisë pacifiste. Qenkan fajtorë votuesit që u kanë dhënë besimin disave prej çlirimtarëve.


 


Por ka mbase edhe disa konstatime të vërteta në shkrimin e Mehmet Krajës, sidomos  kur thotë  se  “E deklarova vetë këtë marrje, këtë “plagjiaturë”, sepse e di se shoqëria në të cilën jetoj nuk ka kapacitete morale të më gjykojë për këtë.


Nuk është e vërtetë se shoqëria jonë nuk ka kapacitete morale, por nuk ka kapacitete shtetërore e qeveritare, madje nuk ka as gatishmëri  për ta dënuar e ndëshkuar sharjen, fyerjen, përdhosjen e sojit të tillë. Këtë mënyrë kundërvënie ndaj së keqes nuk e lejojnë miqtë tanë ndërkombëtarë, sepse ata pretendojnë që të gjithëve të na shpërlahet truri, sikur këtij Mehmetit.


Ishin  kapacitetet morale të  shoqërisë së vendit ato që shkarkuan serbin sharës, Jabllanoviq dhe jo Isa Mustafa e Hashim Thaçi, as ndonjë reagim i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, as i intelektualëve të nivelit të Krajës me kompani. Për këta dhe ata, Jabllani do të vazhdonte të na shante, por me siguri jo sikur Mehmet Kraja, se tekefundit Jabllanit i ka edhe hije nga këndi i tij.


 


Sipas konstatimeve të tij  “tërë shoqëria në Kosovë qenka  zhytur në mashtrim, në një erozion të paparë moral, në të cilin janë përfshirë të gjithë. Kosova, si kurrë më parë, është bërë gjenerator i gënjeshtrës dhe mashtrimit. Të gjithë gënjejmë dhe të gjithë jemi viktima të gënjeshtrës; të gjithë mashtrojmë dhe njëkohësisht jemi viktima të mashtrimit.  Ja çfarë përfundime të përgjithësuara dhe anti-qytetëruese  nxjerrë nga goja, akademiku, shkrimtari, politikani i perënduar i LDK-së, kritiku i çdo gjëje pos vetes, Mehmet Kraja.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …