leoni

Ahmet Qeriqi: Po bëhen përgatitje për varrosjen e dëshmorëve të rënë në kufi. (E shtunë 19 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Po bëhen përgatitje për varrosjen e dëshmorëve të rënë në kufi. (E shtunë 19 dhjetor, 1998)

Vazhdojnë shqetësimet dhe dhembja për të rënët në Gorozhup të Hasit.

Bëhet e ditur se në formacionin ushtarak gjatë hyrjes në kufi kanë qenë 143 ushtarë dhe eprorë të UÇK-së. Prej tyre kanë rënë në altarin e atdheut tridhjetë e gjashtë dëshmorë, në mesin e tyre edhe komandanti Mujë Krasniqi nga Qabiqi i Klinës. Po ashtu dihet se nga forcat serbe janë kapur gjallë të plagosur dhe të mërdhirë në borë edhe nëntë luftëtarë të tjerë, për fatin e të cilëve aktualisht nuk dihet. Shumica e të rënëve janë nga Drenica Qendrore, nga Malisheva dhe fshatrat e zonës sonë.

Së bashku me Elez Durmishin kemi shkuar te Luani për të biseduar lidhur me punët që duhet t`i kryejmë gjatë ditës. Aty kemi takuar edhe eprorët: Salih Veseli dhe Shaban Draga. Ata i kanë thënë Luanit dhe Elezit që fillimisht të shkojnë në Shtab, në Divjakë për të marrë informata konkrete lidhur me vendin dhe kohën e varrimit.

Ndërkohë me Elezin dhe Nazmi Durmishin kemi shkuar  në familjen  e Adem Ollurit, për ngushëllime. Atje kemi takuar vetëm njërin nga vëllezërit e dëshmorit, meqë babai, Ademi me një djalë tjetër kishte shkuar në Krushë të Madhe për ta identifikuar trupin e të birit.

Vëllait të dëshmorit i kemi bërë me dije se  vendi për ngushëllime është caktuar të jetë shtëpia e Ragip Sylës, në Krojmir.

Rreth mesditës kanë udhëtuar për në Divjakë Shemsi Syla, Ahmet Isufi, Hilmi Ramadani, Fatmir Xhelili e të tjerë.

Po ashtu sot kam kontaktuar edhe me të gjithë anëtarët e Shtabit lokal civil, me Heset Hamdiun, Ramadan Rizanin, Vehbi Qeriqin, Bajram Rizanin dhe kemi koordinuar punët rreth organizimit të ceremonisë së ngushëllimit. Vendi në shtëpinë e Ragip Sylës është shumë i përshtatshëm. Në hyrje do të caktohen edhe ushtarët që do të rreshtohen në shenjë nderimi për dëshmorët.

Qysh sot ka filluar një lëvizje e jashtëzakonshme e njerëzve.

Edhe pse është dimër dhe shumica e rrugëve janë të zëna nga dëbora njerëzit tanë të mësuar dhe të kalitur në kohë të vështira çajnë dëborën dhe kush këmbë, kush me ndonjë traktor, secili nëpër ndonjë rrugë të veten vijnë për të marrë informacione se për dëshmorët e rënë.

Sot nga Prishtina kanë ardhur edhe bija ime Labëria dhe djali i dajës Faik, Labinoti. Labi paraqet interesim të radhitet në UÇK, por nuk jam i sigurt se e kanë lejuar familja.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga Prishtina kanë ardhur Nezir Myrtaj dhe Sheqir Zeneli, (E premte 11 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga Prishtina kanë ardhur Nezir Myrtaj dhe Sheqir Zeneli, (E premte 11 dhjetor, 1998)

Isë Krasniqi dhe Martin Çuni kanë bërë përgatitjet e duhura teknike për fillimin e punëve …