Gjatë tërë ditës ka rënë shi i imët vjeshte.
Ofensiva serbe kësaj radhe po i tejkalon caqet më të shfrenuara deri tani të barbarisë.
I ashtuquajturi faktor ndërkombëtar po detyrohet të pranojë se në Kosovë po ndodh lufta por me pasoja fatale për popullatën civile. Kërcënimet që OKB-ja i ka bërë regjimit kriminel të Beogradit, si duket e kanë egërsuar tejmase makinerinë gjakatare serbe. Ata, tanimë po binden se kërcënimet nuk kanë kurrfarë peshe, përderisa ka në mesin e shqiptarëve të tillë që presin dialog dhe që pranojnë jo vetëm të ulen e të bisedojnë me kriminelët por edhe në nënshkruajnë ndonjë marrëveshje, pavarësisht se a do të pranohet nga shqiptarët liridashës apo jo.
Deklarimet verbale të disa autoriteteve dhe të analistëve perëndimorë se nuk do të lejohet të ripërsëritet Bosnja, janë deklarata hipokrite, meqë këtu kanë ndodhur krime dhe masakra po aq të çmeritura si në Bosnje. Sot në orët e pas ditës, Murat Musliu, ka njoftuar opinion, se në fshatin Abri kriminelët serbë kanë depërtuar te një familje tridhjetë anëtarës kryesisht fëmijë gra dhe ndonjë plak apo plakë dhe i kanë masarkuar në mënyrën më shtazarake. Në mesin e të masakruarve janë 12 fëmijë dhe foshnje, pastaj nënat e tyre, dhe disa pleq.
Kjo masakër antinjerëzore, ka për qëllim frikësimin e popullatës civile dhe ndërsimin e saj kundër UÇK-së, duke e shpallur fajtore për fillimin e luftës. Këso propagande të rrezikshme po përhapin bashkëpunëtorët e regjimit dhe pacifistët.
Nga Qyqavica është konfirmuar lajmi për rënien më 22 shtator të komandantit Fehmi Lladrovci, të bashkëshortes dhe bashkëluftëtares Xhevë Krasniqi Lladrovci, të luftëtares shaljane Fatime Hetemi dhe të katër luftëtarëve të tjerë. Qindra të pushkatuar nga mesi i popullatës civile
Çmenduria serbe po marshon ashtu sikur hordat hitleriane në Luftën e Dytë botërore. Dallimi është i madh vetëm në raportin e forcave. Kundër makinerisë së krimit fashist ishte ngritur tërë bota, ndërsa kundër makinerisë së krimit serb nuk janë ngritur as pesë për qind e shqiptarëve. Ky konstatim është i tmerrshëm, i neveritshëm.
Edhe pas masakrimit të fëmijëve në Abri, dikush ka fytyrë njeriu që të qeshet e të zgërdhihet në opinion për dialogun e ashtuquajtur shqiptaro serb!
Ato pak lajme që mund t`i marrim përmes radiolidhjeve apo përmes korrierëve, bëjnë të ditur se në radhët e ushtrisë serbe janë rekrutuar edhe shumë mercenarë rusë, ukrainas, moldavë e të tjerë. Po flitet se serbët i kanë liruar nga burgjet të gjithë kriminelët dhe i kanë mobilizuar në formacionet kriminale në Kosovë. Në mesin e masakruesve ka edhe rom e sidomos serbë kolonistë. Dhe ç` është edhe më keq në mesin e atyre që po iu prijnë serbëve për të depërtuar te popullata e fshehur ka edhe shqipfolës, bashkëpunëtorë, të cilët edhe aktualisht iu shërbejnë masakruesve serbë. Këto fakte reale janë të tmerrshme.
Derisa po i rradhis këto zhvillime të ditës, në dritë të llampës së vajgurit, në orën 1 pas mesnatës, po dëgjohen detonime të fuqishme drejt Likocit.
A thua çka po bëhet atje?
A kanë shpëtuar anëtarët e Shtabit.
Ku ndodhen ata?
Ditë më parë Idriz Hyseni ka hulumtuar mundësinë e krijimit të kushteve për vendosjen e disa prej tyre në Krojmir.
A thua çka do të sjellë dita në vijim?
….