Ahmet Qeriqi: Poezia e fenomenologjisë shqiptare

Vaso Pashë Shkodrani (1825-1892).  “O moj Shqypni, e mjera shqypni”,  vargje të përjetësisë plagprishëse,  apo të rezignatës tragjike


 


 


Me të drejtë është konstatuar se vjersha: “ O moj Shqypni e mjera Shqypni” e Vaso Pashë Shkodranit, ka qenë manifest i Rilindjes sonë Kombëtare. Për më tepër, prej kohës kur është shkruar dhe është publikuar, kjo poezi është i vetmi krijim letrar, historik, influencues dhe rregullator i vetëdijes kombëtare, që ka përcjellë mesazhe në çdo kohë, në çdo vit, prej kur është shkruar  e deri në vitin 2010. Është i vetmi ornament shkrimor kombëtar, i cili nuk është vjetruar në asnjë varg, është i vetmi “shkrim i shenjt shqiptar” që bën thirrje për një shqiptari unike, për një shtet dhe një komb të vetëm shqiptar, që mund të mbijetojë vetëm duke anashkaluar, jo fetë, por  dallimet fetare, krahinore, bajraktare e ideologjike.


Shqipëria e vitit 2010 është e katandisur si mos më keq.  Shqiptarët sot janë po ashtu të katandisur, të përçarë, të ndarë, të varfër dhe të mbetur nën robërinë e të huajve.>>>


 


Po sot Shqypni më thuej si je


Po sikur lisi i rrxuem përdhe,


Shkon bota sipri, me kambë, të shklet


E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.


 


Dhe ndaluni e mendoni esëll si është Shqipëria sot! E përmbytur në veri e dominuar nga grekët në Jug, e qeverisur fetarisht nga priftë e patriarkë të huaj, e qeverisur nga klanet mafioze,  të majta e të djathta, një vend i padëshiruar nga shumë shqiptarë, një vend nga ku ikja konsiderohet fat jetësor.


Dhe si gjallon kjo pjesa tjetër, ende e paarrirë  e Shqipërisë. Kjo është edhe më zi sesa ka qenë dikur moti,  meqë bijtë e saj “trima” kanë nënshkruar ndërrimin e identitetit, kanë ndërruar hymn e flamur, kanë pranuar një identitet të huaj dhe të panatyrshëm, duke pretenduar të ruajnë në të njëjtën kohë dy identitete, kosovar dhe shqiptar, duke shpallur një pavarësi të cunguar, një pavarësi, që nuk është as mish as peshk.


Pjesa tjetër e Shqipërisë në trojet e Iliridës së dikurshme po zihet në kazanin e madh të shlivovicës sllave, duke qenë e mohuar dhe e anashkaluar në shtetin, të cilin një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të atjeshëm e konsiderojnë të vetin, edhe pse e dinë se ajo nuk është nëna, por njerka shtrigë dhe e ligë.


Në pjesën tjetër, në Verilindje të Kosovës, shqiptarëve  po iu rrëshqet nën këmbë toka stërgjyshore e Atdheut, ndërsa pjesa tjetër në Mal të Zi  tashmë gati është pastruar  etnikisht.


Dhe prandaj tingëllojnë fuqishëm vargjet:


O moj Shqypni, e mjera Shqypni


Kush të ka çitë me krye në hi.


Dhe, mjerisht e fatkeqësisht janë edhe shumë “bij të Shqipes” që iu kanë vërsulur mbi trup “Nënës Shqipëri” dhe po e thithin e po e vjelin, po ia ndajnë, po ia shkulin dhe po ia shesin gjymtyrët, pa asnjë mëshirë, sikur të ishte një rrobe e vjetur dhe e grisur. Tokat shqiptare po i blejnë me pak lekë, serbët, grekët, malazezët, turqit, italianët e kush jo. Po i blejnë, sepse bijtë shkapërdarë e kanë pushtuar Shqipërinë dhe po ia japin munxët nga do ku mundin, nga do iu jepet rasti.


Andaj edhe po keqinterpretohen mizorisht vargjet:


E mos shikoni Kisha Xhamija,


Feja shqiptarët është Shqiptaria.


Këto dy vargje, ku është mbrujtur tërë filozofia e çështjes së pazgjidhur shqiptare kanë një porosi të qartë, në kohë dhe në hapësirë në sinkroninë dhe në diakroninë e shqiptarisë, sepse nuk janë vargje ateiste, sikur interpretohen nga klerikët bukëshkalë të Shqipërisë, por janë vargje me porosi të thellë të unifikimit kombëtar. Vaso Pasha nuk thoshte mos shkoni në kisha e në xhamia, nuk thoshte mos i shikoni me sy ato, nuk thoshte mos ndërtoni kisha e xhamia dhe mos u falni në to, sepse ai vetë ishte fetar, ashtu sikur kanë qenë dhe janë shumica dërrmuese shqiptare, por kërkonte që kombi, gjuha, atdheu të mos mbeteshin peng nga përçarjet fetare. Ndryshe i interpretojnë  këto vargje letërnxirësit e historisë so sotme shqiptare, edhe pse Vaso Pasha në mënyrë të qartë e të drejtpërdrejtë bënte thirrje të mos lejohej përçarja kombëtare mbi baza fetare, mbi baza krahinore e gjuhësore, sepse ideali për ta bërë Shqipërinë, një e të pandarë nënkuptonte, që shqiptarët të mos rrahin gjoks se janë turq, latinë, shkije, grekë e dreq me brirë, por mbi të gjitha të identifikoheshin si shqiptarë, si vëllezër nga gjuha, gjaku, traditat, doket, historia, vendi, Atdheu.


 


 Manifesti i Shqiptarisë i menduar dhe i shkruar nga Vaso Pasha është një manifest që i ka qëndruar të gjitha viteve deri në vitin 2010. Është një manifest, nga i  cili nuk mund të thuhet se është vjetruar, qoftë edhe vetëm një fjali, apo një fjalë e vetme. Sepse, po të shprehemi realisht, ashtu sikur realisht ka gjykuar Vaso Pasha, Shqipëria ende është me krye në hi, edhe pse ka një Qeveri e një shtet gjysmak  në Tiranë, ajo Qeveri dhe ai shtet i bie në gjunjë dhe  i përkulet në tokë Evropës dhe shteteve të fuqishme të botës. Shqipëria jashtë kufijve administrativë është me krye në hi, e mbetur peng nga Beogradi, Shkupi, Podgorica e Athina.


 


Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?


Po sikur lisi i rrxuem përdhe,


Shkon bota sipri, me kambë, të shklet


E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.


Si mal me borë, si fushë me lule


Ke pas qenë veshun, sot je me crule,


E s’të ka mbetun as emen as besë;


Vet e ke prishun për faqe t’zezë.


 


Dhe cilat janë ndryshimet sot.


Natyrisht se ka ndryshime. Shqiptarët janë më të arsimuar se në kohën e Vaso Pashës, por janë më pak shqiptarë në kuptimin idealist të fjalës.  Dikur ishin trima si petrita në beteja  për ta luftuar pushtuesin, sot janë trima për t ia nxjerrë sytë njëri tjetrit, për ta sharë e fyer njëri tjetrin, për ta lavdëruar armikun serb, që nuk iu ka rjepur  lëkurën 2 milionë shqiptarëve, sepse fetarisht identifikohen me islamin, nga ana tjetër për t i nënçmuar katolikët e të krishterët, sepse janë minoritete fetere. Andaj Vaso Pasha edhe sot me plot gojën dhe burrërisht thotë: Mos shikoni kisha xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria. Askund dhe asnjëherë nuk ka thënë mos shkoni në kisha e në xhamia. Dhe këtu është esenca e filozofisë kombëtare dhe mesazhi universal shqiptar, një mesazh idealist, që u rri te koka si shpatë e Damakleut të gjithë atyre shqiptarëve, që iu ka bërë gjaku ujë,  që për sa pare që i fitojnë shesin atdheun të të parëve, tregtojnë me gjithçka që është e shenjtë, sepse është e shenjtë dhe e veçantë përkatësia kombëtare për të gjitha kombet e qytetëruara të botës.


“O moj Shqypni…e Vaso Pashës” është historia realiste e Shqipërisë dje dhe sot, është mesazhi i qartë për Shqipëri të plotë, në kufijtë etnikë dhe shqiptari në kuptimin idealit të fjalës, sepse pa unifikimin e faktorit shqiptar, pa bashkimin e trojeve shqiptare, nuk jemi as mund të bëhemi faktor shqiptar në Ballkan, as në Evropë.


Nuk na duhet kurrfarë integrimi në Evropë, derisa kjo Evropa, njerkë nuk e pranon në asnjë mënyrë Shqipërinë e tërë, por i pranon vetëm gjymtyrët e saj, të ndara e të përçara.


Gënjejnë  dhe janë mashtrues, hileqarë e hipokritë të gjithë ata politikanë shqiptarë që mundohen të na qesin hi syve, që thonë se Parajsa e kësaj bote qenka integrimi në BE. Gënjejnë në pikë të ditës, sepse nuk ka shqiptar normal, që ka mendje në kokë dhe që nuk e di se Shqipëria është pjesë e kontinentit të Evropës, se ka kulturë evropiane. Nuk ka shqiptarë, mendërisht normal, qoftë edhe i paarsimuar që nuk e di se Konferenca e Londrës e vitit 1913 e ka ndarë përgjysmë Shqipërinë, se Evropa e asaj kohe, baballarët dhe gjyshërit e EULEX-istëve të sotëm, ia kanë bërë tapi të përjetshme tokat shqiptare: Serbisë, Greqisë, malit të Zi dhe Bullgarisë. Po ka shqiptarë syleshë dhe fantastë, ka pacifistë ende të përgjumur, që logjikojnë dhe deklarojnë se EULEX-ka ardhur për t’ ia ndreqë gabimet Evropës së dikurshme.


A thua a nuk e dinë këtë histori dhe nuk e kanë lexuar këtë vjershë të Vaso Pashës:  Bamir Topi, Sali Berisha, Edvin Rama, a thua nuk e dinë: Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Ali Ahmeti, të cilët na porosisin që të heqim dorë nga folklorizmi dhe romantizmi kombëtar, ekstremist, i Vaso Pashës Shkodranit.


Është e natyrshme se këta emrat e kryeparëve tanë e gjejnë veten në vargjet e Vaso Pashë Shkodranit, ashtu sikur është e natyrshme se postet e tyre në kreun e shtetit dhe të pushtetit nuk i kanë marrë për ta bashkuar Shqipërinë, por për ta zhvatur dhe për ta shfrytëzuar atë deri në palcë, duke ngritur pallate për veten, fëmijët, nipat e pasardhësit, të afërmit dhe sivëllamët e tyre, duke blerë kompanitë më të kushtueshme, duke krijuar kohortat e task forcat të dreqit, duke kthyer në prokurori kriminelët dhe gjyqtarët proserbë, që kanë dënuar mijëra shqiptarë, duke bashkëpunuar me dreqin e të birin, vetëm për të mbrojtur interesat  e për të shumëzuar sa më shumë që të jetë e mundur përfitimet e tyre, dhe duke mos e lejuar Shqipërinë të ngrihet nga hiri ku e kanë katandisur dikur të huajt edhe bijtë e saj shkapërdarë.


 


Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,


Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;


Ca thone kam fè ca thonë kam din;


Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”


Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,


Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!


 


Andaj Vaso Pasha, Asdreni, Migjeni e shumë shkrimtarë atdhetarë  nuk po mësohen më në shkollat tona, sepse porositë e tyre qenkan helmuese për fqinjët, qenkan porosi “nacionaliste”, në kohën kur nuk konsiderohen nacionaliste porositë e skrëbeve të Enciklopedisë sllavobullgare, kur nuk konsiderohen nacionaliste pretendimet e Serbisë për ta kthyer dominim në Kosovë, apo në kohën kur Greqia injoron çështjen çame, dhe në anën tjetër kërkon e merr me pahir edhe një pjesë të bregdetit të Shqipërisë.


O moj shqypni e mjera Shqypni


Bijtë e tu, ende  po të mbajnë me krye në hi. Vetëm këtë varg do ta shtonte Vaso Pashë Shkodrani, po të ishte gjallë.


 


Ahmet Qeriqi: Shqipëria e “Portokallisë”


 


Spektakli “Portokallia”, i cili shfaqet në Tiranë dhe përmes kanaleve televizive mund të shikohet kudo në trojet shqiptare e në mërgatë, shënon  nivelin më të arrirë krijues, artistik dhe përmbajtësor që është manifestuar ndonjëherë në skenën shqiptare.


Edhe pse Shqipëria ka një traditë të gjatë të humorit të estradës, edhe pse ka pasur dhe ka humoristë shumë të talentuar, pse jo edhe të nivelit botëror, Trupa e Portokallisë  e udhëhequr nga humoristi i pashoq, krijuesi dhe intelektuali i rrallë, Agron Llakaj, mendoj se i ka tejkaluar të gjitha trupat dhe të gjitha nivelet e deritanishme të spektakleve humoristike në vend.


Humori i “Portokallisë”, në radhë të parë është humor i shëndetshëm, është humor, që për disa qaste  i liron të gjitha valvulat e zemërimit të arsyeshëm të njerëzve të thjeshtë të popullit, të cilët në pamundësi për të bërë ndërrime në drejtim të përmirësimit të kushteve për jetë, në pamundësi për të parë në jetë ngadhënjimin e së mirës mbi të keqën, në pamundësi për ta emancipuar klasën politike, pse jo edhe të paedukatë dhe noprane të vendit, kënaqet për pak çaste duke parë lakuriqësinë e kësaj politike, duke parë në skenë shpirtrat  e tyre të deformuar dhe ambiciet e tyre pushtetare të handakosura, duke parë njerëz me maska të çjerra, njerëz të veshur me pushtet, të cilët me gjithë mend mendojnë se populli shqiptar dhe Shqipëria është krijuar, vetëm që ata ta qeverisin, ta drejtojnë, ta përparojnë dhe ta fusin gjithandej, ku ata mendojnë se ajo e  ka vendin.


Humori i “Portokallisë” me një përmbajtje të pasur dhe të llojllojshme, dita ditës po shtrihen mbi tërë etnikumin shqiptar dhe është Trupa e parë, e nivelit më të lartë artistik, që me sukses po prezantohet si trupë gjithëshqiptare, duke inkorporuar në program skeçe e rrëfime humoristike edhe nga Kosova e më gjerë.


Kjo trupë aktorësh inteligjentë dhe të emancipuar artistikisht në kuptimin e fjalës, kjo ajkë e stërzgjedhur e skenës shqiptare, po bën çudira në kohën kur në Shqipëri po mbretëron një gjendje kaotike dhe anarkike në shumë segmente të jetës. Këta artistë të merituar, me rolet e tyre po kapin  majat më të larta të shprehjes së artistikes, duke e paraqitur  realitetin me anën e rrëfimit, skeçit, anekdotës, barcaletës dhe në këtë mënyrë duke  demaskuar thellë gjendjen  konfuz e anarkike të shoqërisë shqiptare, e cila me deformitetet e saj të shumta dhe të përditshme  edhe e ka prodhuar dhe po e mbanë në skenë “Portokallinë”, duke i ofruar asaj lëndë të bollshme e të llojllojshme,  duke i ofruar lëndë një stafi, që manifeston nivelin më të lartë të mundshëm të paraqitjes lakuriq të një realiteti, shpeshherë edhe fantazmagorik…


“Portokallia” nuk është thjeshtë një trupë humoristike për argëtimin e publikut,  por ajo është shumë më tepër se një kritikë fshikulluese drejtuar kundër  të gjitha veseve e nopranive, prej kreut të shtetit e të Qeverisë, deri te fshatari fodull, i mbytur  në vese e mbrapshti, deri te gurbetziu që kthehet në vend dhe fryhet si gjeldeti, për kulturën që ka sjellë, andej nga vendi apo nga vendet  nga ka sjellë edhe poturet e tij, për “ajkën e trurit” që i ka ikur Shqipërisë dhe për Shqipërinë e Kosovën që kanë mbetur shumë keq për shkak “të trurit” që ka “fluturuar” andej  tutje edhe përtej oqeaneve dhe po endet nëpër botë…


Janë të shumta, të larmërishme, të llojllojshme karakteret që i shohim në “Portokallinë” tonë, e cila po ecën drejt nivelit më të lartë të mundshëm të shprehjes artistike. Nuk besoj se ka në Ballkan, apo në Evropë një trupë të tillë profesioniste, e konceptuar në të gjitha pikëpamjet dhe që të jetë aq e angazhuar në përmbajtjen e programit dhe në demaskimin me humor e satirë të veseve e të zezonave të kësaj kohe, kur vlerat tradicionale, njerëzore e kombëtare nuk po respektohen, për të mos thënë se edhe po zvetënohen, dhe, kur vlerat e reja “demokratike”, të kësaj bote magjepse dhe lara-lara, me “brothera” e shtëpi publike janë aq të rrëshqitshme, aq të përdredhura e të lëvizshme, sa mendja e njeriut normal nuk i honeps dot.


Në këtë kohë krize dhe  mungese të perspektivës kombëtare, në këtë kohë kur kanë dalë në sipërfaqe të gjitha të ligat e veset njerëzore, që përshkohen nga gara marramendëse e reklamës kapitaliste për të dominuar, për të zënë vend diku, për t’u pasuruar mundësisht brenda natës, “Portokallia” është një ilaç i shpirtit, është një ushqim i shëndetshëm për njerëzit, të paktën për ata që disa orë në javë kanë një favor në jetë, favorin për të qeshur me gjithë shpirt dhe për të harruar për një çast brengat dhe jetën e mbushur me halle e derte.


Shqipëria dhe “Portokallia” do të mbijetojnë së bashku edhe për shumë kohë, sepse tashmë janë bërë si mishi e thoni. Xoxa i madh thoshte se “kur rrinë bashkë e mira me të keqën i japin nga diçka njëra tjetrës”. Do të dëshironim që “Portokallia” t’i japë edhe  më shumë kritika të dobishme politikës, ndërsa  politika të qëndrojë sa më larg  “Portokallisë”.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …