Feride Papleka

Ahmet Qeriqi: Poezia e Feride Paplekës mbart vlera unike, tematike dhe artistike

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Një cikël me poezi nga përmbledhja, “Duke pritur kryqëzimin tim“, e poeteshës, shkrimtares, studiueses dhe intelektuales, Feride Papleka)

Feride Papleka është studiuese e mirënjohur e letërsisë, shkrimtare, poete, përkthyese  por edhe njohëse e thellë e realitetit, që po mbizotëron  ndër shqiptarë e më gjerë. Tërë krijimtarinë e saj e përshkon si korrent ndjenja e pastër atdhetare, Shqipëria, trojet e saj, fati  historik-tragjik i shqiptarit nëpër shekuj, fati i njeriut të vogël, cilido qoftë ai,  të cilit i zihet fryma nga mujsharët dhe gara e tyre e madhe për ta pushtuar dhe për t ia zënë frymën botës, njerëzimit.

E rritur, edukuar dhe arsimuar në kohën kur puna, arsimi, emancipimi ishin ngritur në kulte shoqërore, Feride Papleka kishte gjetur veten si bleta punëtore në zgjoin e vet dhe iu kishte rrekur punës ashtu si mijëra  e mijëra shqiptarë, të brumosur me një idealizëm të pastër kombëtar dhe të ndërgjegjësuar me një rend shoqëror, që i referohej në radhë të parë njeriut, shqiptarit të vuajtur ndër shekuj, i cili kishte flakur rrobat e robërisë dhe për herë të parë në histori kishte marrë vetë në dorë fatin e kombit, të atdheut, fatin e shqiptarit, edhe pse në më pak se gjysmën e trojeve etnike shqiptare.

Ajo kohë, meritat e së cilës të paktën në këtë segment i njeh dhe të cilave nuk ua ka kthyer shpinën, Feride Papleka, bën që ajo ta mbajë nën kontroll baraspeshën e vetëdijes shoqërore të saj, si pak krijues në Shqipëri, të cilët mund të krenohen me të arriturat, por nuk mund të krenohen me ruajtjen  e gjykimit realist për të kaluarën, e cila të gjithëve pa dallim u dha punën, bukën e përditshme, jetën e lirë, duke ua hapur të gjitha shtigjet për arsim dije, kulturë, emancipim, që me të drejtë quhej emancipim socialist, sepse ishte i tillë dhe realisht ky formacion ideologjik-politik mbart me vete vlerat më të larta që i referohen dhe i shërbejnë  njeriut, pavarësisht si mund të gjykojnë disa nga himnizuesit e djeshëm, tani përbuzës hipokritë.

Pikërisht sepse Feride Papleka nuk e ka injoruar dhe nuk e ka shqelmuar të kaluarën, duke e paraqitur si “një zezonë  monstruoze”, sikur pretendojnë të na paraqesin disa nga ata që kishin qenë më fanatikët e atij rendi, por ka ruajtur ndërgjegjen  bashkë me vetëdijen e domosdoshme njerëzore, bën që ajo të shkëlqejë  në të  gjitha fushat e krijimtarisë, sepse mbjellë besim te lexuesi, të cilit i referohet, sepse në botën e saj krijuese, fjalët dhe vepra janë në harmoni njëra me tjetrën.

Për dallim nga shumë krijues të sotëm, të cilët poezinë e konsiderojnë si frymëzim çasti, si nevojë për të lidhur ca fjalë, mundësisht sa me  më pak lidhje kohezive mes veti, që ajo të duket diçka e veçantë, pse jo edhe turbulluese; poezia e saj buron nga shpirti ashtu sikur burojnë qetësisht e magjishëm  krojet malore, që kurrë nuk shterin as e turbullojnë ujin. Ajo i qaset poezisë me ndjenjën e përkujdesjen e nënës ndaj fëmijës, me përgjegjësinë që ndien intelektuali për fjalën e shkruar, me frymëzimin qoftë edhe spontan, por duke e mishëruar atë me një porosi, duke sjellë një kumt apo fragment rrëfimi në vargje, me qëllim për të krijuar një vizion të caktuar, i cili i përballon kohës dhe bëhet pjesë e imagjinatës kreative…

 

Tri poezi sa për fillim…

 

“Unë jam”

 

Poetesha, që ka parë botë dhe e cila disponon një njohje të thellë të literaturës botërore, filozofike, letrare, jo rastësisht identifikohet me çelësin e Borghesit,  muzën e Platonit për Sokratin, kompozimin e fundit të Mocartit, që iku nga kjo jetë bashkë me të, me detin e munguar të Uliksit të Xhojsit, me dhembja e pamatshme e Kafkës, apo me  kohën e humbur të Prustit etj. Kjo poezi me nota të shprehura të shqetësimit një përpjekje për identifikim me të gjithë ata krijues që kanë lënë nga diçka  të paharrueshme në këtë botë, por është edhe shprehje e konstatimit biblik, “nga pluhuri je krijuar dhe pluhur do të bëhesh”.

 

Unë jam

 

Unë jam çelësi i Borges-it,

Që ka humbur derën;

Jam muza e Platon-it,

Që e frymëzoi të krijonte

Figurën e madhe të Sokratit;

Jam kompozimi i fundmë i Mozart-it,

Që u arratis bashkë me të,

Në honin e vdekjes;

Jam statuja e Shekspirit,

Që shqetësoi për shumë vjet,

Me dhjetëra skulptorë në botë;

Jam deti i munguar i Uliksit të Joyce-it;

Dhimbja e pamatshme e Kafka-s,

Në katedralen e ndjenjave njerëzore;

Jam planeti i çmendur i Max Ernst-it;

Koha e humbur e Proust-it;

Dhe ndoshta një hije që endet

Në veprën e Pascal Quignard-it.

Jam Mosqenia.

 

 

Në poezinë “Mbrëmje”, ajo identifikohet me dhembjen e madhe njerëzore, me atë dhembje që nuk iu ka ndarë dhe nuk i ndahet njerëzimit, sepse janë sundimtarët ata,  që mendojnë se “bota është krijuar vetëm për ta, që ata ta qeverisin dhe ta bëjnë sipas bindjes dhe shijeve të tyre, sikur shkuan Montenji.   Mbrëmja është fundi i çdo ditë që të përkujton thënien biblike, “Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet”. Secila mbrëmje sjellë një dozë trishtimi, sepse të përkujton një ditë më pak të jetës. Dhe mbrëmja bëhet edhe më e trishtuar kur poetesha sjellë në kujtesë të kaluarën mbrëmësore të njerëzimit, vuajtjet, katrahurat, luftërat e përgjakshme dhe gjithnjë pësimet e të pafajshmëve ndër vite e mote, ndër shekuj e epoka.  Dhe nuk ka vend për ngushëllim sepse në këtë botë gjithçka përsëritet dhe rikthehet, e njeriu i vogël-vegjëlia gjithnjë ndodhet  në rrjetin e madh të mujsharëve të botës, të atyre që kanë vrarë Zotin në shpirtin e tyre, për ta zëvendësuar atë me Veten e tyre.

 

MBRËMJE

 

E trishtë dhe e heshtur vjen mbrëmja

Dhe unë jo pa ankth

Përfytyroj të tjera mbrëmje,

Te kruspullosura në kohë,

Te ky Zot tjetër borhesian:

Mbrëmja e helmit me 399 para eres sonë,

Qe ka hyre ne histori me emrin e Sokratit,

Ose atit te filozofisë

Dhe nëse doni:

Te sogjetarit te shpirtrave njerëzore;

Mbrëmja e Kryqëzimit

Me fjalët: “Eli, Eli, lama sabaktani”

(Zoti im, Zoti im, perse me braktiset?),

Të një burri qe transformoi historinë

E që quhej Jezu Krisht i Nazaretit;

Mbrëmjet e përgjakura te Kartagjenës

Qe u pushtua dhe u shkatërrua;

Dhe pastaj mbrëmjet

Qe i kujtoj gjithnjë,

Kur shtatëdhjetë qytete te Ilirisë së Jugut

Pra, te truallit ku u linda dhe u rrita,

U shfarosen,

Thjesht me një urdhër të konsullit romak

Paullus Aemilius ose Pal Emili, thënë shqip;

Midis mbrëmjeve

Është dhe viti 1431, 29 maji,

Kur u dogj e gjallë Zhanë d’Arka;

Ka gjithashtu mbrëmje te tjera te përgjakura,

Si ato te Rrethimit te kështjellës se Rozafes,

Ne vitin 1479 ne Shqipëri;

Dhe mbrëmja e 24 gushtit 1572,

Ose nata e Shën Bartolemeut ne France.

Dhe pastaj mbrëmjet e kobshme ne Kosovë,

Kur Slobodan Milosheviqi vrau dhe ndoqi

vëllezërit e mi nga tokat e tyre

Me 1999, ne prag te shekullit te ri.

Midis qindra e qindra mbrëmjeve,

Unë përfytyroj

Edhe mbrëmjen e përgjakur te lindjes sime,

Kur mëma me solli ne jete.

Nganjëherë pyes veten: “Perse u linda?”

Ndoshta për të shtuar numrin e vuajtjeve.

 

 

Në poezinë, “Shqipëri”, poetesha, Feride Papleka shpreh botën e saj emocionale, atdhetare, botën e vendlindjes së vogël, në sipërfaqen e botës së madhe, të asaj  botë që i thonë Atdhe e Mëmëdhe. Atë copë Shqipëri që e duam  dhe që e marrim me vete edhe atëherë kur largohemi prej saj dhe kur ajo na mbetet diku prapa, na zë trishtimi. Sepse pa një botë të tillë, jeta nuk ka kuptim, sepse ajo është bota ku kemi hapur sytë dhe kemi parë veprën madhore të Hyjit, dritën, hiret e jetës, prindërit, të afërmit, bukurinë e dashurinë, të mirën e të keqen, jetën e në fund edhe vdekjen, në ciklin e përsëritjeve, “jetë e vdekje përqafuar”.

 

SHQIPËRI

 

Shqipëri,

Unë të marr me vete ngado që shkoj,

Si dashurinë e humbur në zemër.

Pesha jote ne kraharor

Është e domosdoshme si besimi.

Ti je për ne

Dielli dhe Hëna,

Ferri dhe Parajsa,

Ti je gëzimi ynë i trishtuar,

Toka me e bukur për të vdekur.

 

Poezitë, që kam pasur rast t’i lexoj, të botuara nëpër portale,  nuk mjaftojnë për ta kuptuar dhe për ta analizuar tërë dimensionin e thellësisë dhe gjerësisë të imagjinatës poetike të autores, por mjaftojnë sa për të përfunduar se poezia e Feride Paplekës shquhet për origjinalitet, motivacion të shquar artistik, gjuhë shumë të latuar e të kuptueshme për të gjithë lexuesit, kredo krijuese me dinjitet dhe  afinitet poetik. Mbi të gjitha shquhet për njohje të ligjeve dhe të filozofisë së jetës, kulturë të nivelit të lartë shprehës, që nënkupton një botë shumë të pasur dhe të pastër emocionale, të cilën nuk e lëndon një dozë e shprehur e një shqetësimi pesimist, që bëhet pjesë e shqetësimeve të saj poetike dhe e cila  është në akord me thellësinë e njohjes së problematikës së qenies dhe ekzistencës njerëzore nga ana e saj…

 

 

 

 

MUZG HISTORIK

 

I ndritshëm dhe frikësues qe ai muzg

Në Monparnas,

Turma njerëzish nxitonin,

Si një uragan shkonin dhe vinin

Nga të gjitha drejtimet.

Një çast diçka e çuditshme i përndriti

Rrugët, njerëzit, ajrin,

Mbase qe ideja e fuqishme e lëvizjes,

Që ma përshkoi shpirtin.

Unë shtanga

Dhe pastaj m’u mjegulluan

Kujtimet dhe shikimi –

Diçka e pakthyeshme po shkrinte –

Tërë e kaluara ime vogëlane,

U shqye.

Që atëherë unë i shoh gjërat ndryshe

Ja, pra, përse ndonjëherë

Kam brerje në ndërgjegje:

Po mos të ndodhesha atë çast në Monparnas

Mbase nuk do ta kisha këtë përhitje. 

 

MOTIV PER NJE JETESHKRIM

 

Im atë ishte një burrë i urtë e bujar,

kishte një zë të butë,

thuajse si murmurimë dielli.

Jeta e tij ishte një udhëtim mëngjesor,

Plot shpresë dhe dritë.

Fjala e tij dhe gjestet

ruanin madhështinë e një Zoti.

Ai kishte një të fshikur plumbi

në tamthin e djathtë,

ishte një plumb nazist.

Këmbët i kishte përherë të sëmura,

kujtim i përzishëm i Luftës së Dytë.

Ndonjëherë një melankoli e thellë

për kauzën e humbur

e rrënonte.

Në çastet e tmerrshme të agonisë

ai fliste për një tokë hyjnore.

A mos ishte „Toka e Premtuar”,

që duam ta mbërrijmë të gjithë?

 

DRITARJA

 

Nata është e zezë.

Sytë e mi zhbirojnë errësirën,

poezia fluturon jashtë dritares.

Ajo kërkon mes territ,

dritëra të shkuara.

Papritmas në zemrën time

ndizet një yll :

E qeshura jote e rinisë.

Ambruazia e saj më deh

dhe unë transformohem

në një vajzë të re, të druajtur,

që mbledh lule.

Ashtu si në afreskun

Ku vajzat e Terës së lashtë

mbledhin lulëkuqe,

në kohën e Helenës dhe Uliksit.

 

TAKIM

 

Mbrëmja e hirtë, e ngrirë

binte shpejt,

si fryma e vdekjes.

Duart dhe buzët tuaja dridheshin,

Puthjet ishin si agoni,

Fjalët mungonin,

Ishte heshtja që fliste.

Hérakliti ju kërcënonte

që nga « lumi » i tij,

por ju kishit humbur

në një univers,

ku koha dhe hapësira nuk ekzistojnë.

Nata rëndonte mbi shpatullat tuaja

dhe mbi zemra,

duke ju dërrmuar.

Agimi do të ishte mizor,

Mizore do të ishin zhgënjimet

dhe shpresat.

Mizore jeta.

 

PA TITULL

 

Askush nuk i njeh fërgëllimet

E zemrës sime,

Stuhinë e brendshme,

Drithmat e qenies,

Kaosin që shpesh

Më kredh në asgjësi,

Duke pritur kryqëzimin tim,

Në një qoshe të kësaj bote,

Njëlloj si në Golgotë,

Të zëvendësoj Krishtin.

Por bota jonë moderne

E shekullit XXI,

Kërkon përherë një sakrificë,

Që nuk premton ringjallje. 

 

PER NJE PUTHJE TE AKULLT

 

Në skenën e pafundme të universit

Ka një lojë shekullore pasqyrash,

Fytyrash dhe yjesh.

Ka lule që vdesin,

Katastrofa dhe mrekulli.

Ka lot.

Ka gjithashtu edhe një planet të çmendur

Që quhet “virtual”.

Dhe një ëndërr të mrekullishme

Për qytete hënore dhe marsiane.

Por unë nuk mendoj për to.

Dhe as për ndonjë fiksion letrar

Që rëndom na kujton

Natën e origjinës, kohën e pallogaritshme

Prehistorinë,

Thjesht po shkruaj këto vargje

Për një puthje të akullt

Që të perceptoj sensin e disa gjërave

Në gjithësi. 

 

DYSHIM

 

E zhveshur nga modestia

pyes veten:

ku është fëmijëria ime?

A ekziston ajo,

apo kujtesa mashtruese

bën me të një sajesë?

Po rinia?

A e kam jetuar,

apo është thjesht vegim

i fundosur në harresë.

A kam dashuruar,

apo ëndërroj se kam dashuruar?

Si një turmë që ngutet,

këto pyetje

presin përgjigje.

Unë nuk di asgjë.

Flas dhe më duket se një tjetër,

ka luajtur teatrin e jetës sime. 

 

PER PRINDERIT

 

Dje pashë një djalth si yll.

e mbanin përdore një burrë e një grua.

Ai donte të bënte lojën e zogut në fluturim,

ata enkas ia shtrëngonin duart.

Ai nisi të këndonte me zërin si burimi nën bar,

por ata mospërfillës, s’e dëgjonin

Ai thirri i pezmatuar: “Mëmë, baba !”

dhe njëri prej tyre i tha : “Mbyll gojën !”

Pastaj i vogli qau në dëshpërim.

Atë çast m’u duk se më rigoi shpirti

dhe e përfytyrova të ardhmen pa dritë. 

 

DYSHIM I PASHMANGSHEM

 

Gjumi im tani është gjasmim

Dhe zgjimi një ëndërr.

Vitet janë ngurosur në Muzgun e Pritjes,

Të pritjes së çfarë ?

Ne jemi të gjithë Uliksa ?

Që e kemi humbur Itakën.

Iluzion më duken tani

Edhe jeta

Edhe vdekja.

Të qeshurat e fëmijëve,

Japin shpirt si zogj të plagosur

Dhe makthi nga denatyrimi ynë

Po shndërrohet në një maskë tragjike

Mbi fytyrën time.

Ne ecim në skajin e kundërt,

Megjithëse legjenda thotë

Se të gjithë jemi larë në ujin e Shenjtë të Gangut.

 

POHIM I HDHUR

 

Akrepat formojnë pa mëshirë

 Nuk e di akrepat a ritmi i zemrës ?

Atë ekuacion me shumë të panjohura

që është JETA IME:

me vite të mjegullta,

të strukura diku në subkoshiencën time

që presin zgjimin

(mbase edhe harrimin);

me vite të përgjakura,

që s’ua ndal dot agoninë;

me vite të pështjelluara –

Trëndafil Erërash në ndërrim stinësh.

Shtojini shifrës fatale,

Vitet e brezave që ikën,

Vitet e Krishtit e të Parakrishtit,

Kohën mitike të zotave sumerianë

Dhe atë kohë që nuk flet dot

Me një gojë të mbushur me natë

Shtojini luftërat që janë fytyra e këtij

planeti egoist,

Paqen që është veç maskë

Dhe do të dalë një numër,

që s’e nxë asnjë traktat aritmetik.

 

 

HUMBJE

 

Im ate ka vdekur,

Bashke me te dha shpirt

Nje pjese e jetes sime,

Kur isha e vogel dhe ekzistoja ne syte e tij

Bebe me mish te trendafilte

Dhe me tinguj te pakuptueshem,

Qe ishin muzike,

Ashtu si thoshte ai,

Kur fliste per Dikurin.

Ai kishte ne kujtesen e tij

Te qeshurat e mia te pafajme,

Fjalet e mia te pashpjegueshme,

Kukullat e mia,

Pyetjet e mia kohe e pakohe,

Lotet e mi pa shkak

Dhe druajtjen time legjendare.

E gjithe kjo ka humbur,

Ne frymen e tij te fundit,

Kur bota iu permbys

Dhe une pashe si ne pasqyre

Veten time te dikurshme,

Qe nxitonte drejt humbelles.

 

 

ËNDËRR QË PËRSËRITEJ

 

Rruge te shkreta,

Male shkembore,

Te vdekur,

Te vdekurit e mi,

Ata nuk me shihnin ne fytyre,

Edhe une nuk i shihja,

Por ecja kuturu,

Ata vonoheshin si te vdekurit,

Kjo eshte e kuptueshme.

Sigurisht qe dikush do te me pyese,

Ku rrinin te vdekurit?

Po ti e gjalla ku rrije?

Une s?di te them asgje,

Ishte nje levizje e shpejte,

Dhe une nuk dua te flas per kohet,

Kur e ardhmja ime mbahej ne nje fije.

 

 

DITAR I KUJTESËS

 

Me 7 janar te vitit 2002,

Vdekja erdhi drejt meje si nje ortek.

Nje yll ra nga qielli.

Megjithe ekzistencen time te humbur,

Shpirti im cikte nje dashuri te pafund

Per nuk e di cfare,

Ndoshta nje hije ka ecur me mua

Ne erresire.

Nuk me kujtohet se cfare me tha,

As se cfare i thashe,

Toka dhe qielli ishin trazuar

Ne nje drite shkelqimtare,

Kishte aty nje grope te thelle

Gati per te me gllaberuar,

Askush tjeter nuk e kupton.

Une perpiqesha te dilja,

Por ne kete cast,

Kur isha e shtrire si e vdekur,

Pashe ne kube shkronja dhe figura.

Pra, kisha filluar jeten e dyte.

 

 

TI JE E VËRTETA

 

Veshtrimi yt

Jashte kesaj bote,

Duart e tua, fryma jote,

Fjalet e tua ikanake,

Seksi yt si lule hyjnore,

Hija qe te mbeshtjell

Magjia jote e lumtur,

Gjithcka me megjeps te personi yt.

Ti je e verteta: Toka qe renkon,

Qielli qe derdh nje enderr kalderoniane.

Ti je scribi i dhimbjes,

Koha qe arratiset,

Deshira e nje jete qe kerkon te rilindet.

 

 

NGUSHËLLIM

 

Jeta dhe vdekja ime

Pergjonin njera-tjetren pa pushim,

Ne nje lufte te pabarabarte.

Ishte nje dite e vitit 2002

Ne nje spital ne Paris,

Kur te gjitha veshtrimet ishin dhimbje

Dhe dritarja dergonte nje peizash pa reliev.

Degjohej nje peshperime,

Qe ben te plaken fjalet.

Heshtja vezhgonte dite e nate.

Une isha si nje e huaj e kesaj bote.

 

NJE ZË

 

Degjoj ne heshtje dhe e cuditur

Nje ze.

Qetesisht kthehem prapa:

Ka ndodhur dje apo ka nje shekull,

Qe ky ze me ka turbulluar?

Ne labirintin e jetes sime,

Ai eshte toke dhe det,

Gezim e trishtim,

Muzike dhe vdekje.

 

 

BIRI IM

 

Fati yne merr formen

E ndertimit tone shpirteror,

Me i miri ogur eshte te mendosh

E te veprosh i lire,

Te soditesh,

Te dish si t’i studjosh ngjyrat

Njelloj si te studjosh shpirtin,

Dhimbjen njerezore,

Sekretet e universit.

Mundesia per t’u endur ne rajonet e erreta,

E per te mesuar sekretet e jetes,

Qe shperndahen si farat e grurit,

Eshte ne ty.

Keshtu e bukura hap dritaren

Drejt qiellit, ku yjte kane te njejten lende

Si njeriu,

Si ti biri im,

Pjesa me mire e qenies sime.

 

 

THYERJA E MADHE

 

Gjate ekzistences sime,

Ne kohen qe sjell gjumin,

Kishte ca endrra

Ne nje hapesire te panjohur,

Me nje drite te zbehte e fantazma,

Me veshtrim te brendshem te padurueshem,

Qe me thoshin pa pushim

“Vdekja eshte kudo dhe me blu se qielli.”

Pas kesaj une mendoja

Se kjo bote nuk ka as fund dhe as fillim,

Dielli lind e perendon

Dhe une eci mbi pluhurin tim.

A do te gjej nje strehe per shpirtin?

Per te mos rene ne boshesi?

Nuk e di, por kam kuptuar,

Se ka ndodhur Thyerja e madhe.

 

 

(Posted 17th October 2009 by Botimet Shqiptare)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …