Ahmet Qeriqi: Politika dhe morali dy kategori që nuk bashkëjetojnë dot

Dorëheqja e zëvendës-kryeministrit, Hajredin Kuçi nga dy postet e larta qeveritare, ka qenë e paralajmëruar dhe nuk ka shkaktuar ndonjë “tronditje” në Qeveri. Kuçi, si njeri i parimeve, ka sqaruar se veprimi i tij për të dhënë dorëheqje nga dy postet që i mbante, ishte bashkimi i moralit dhe i politikës. Dorëheqja, si akt moral është veprim shumë i rrallë në Kosovë, por edhe ndër shqiptarët në përgjithësi. Në këtë drejtim dr. prof, Hajredin Kuçi ka fituar kredibilitet të politikanit, apo zyrtarit që e mban premtimin dhe nuk paragjykon se ka humbur, apo ka fituar me një akt të tillë. Ai e di fare mirë se shefi i Partisë dhe i pari i Qeverisë, nuk do ta lërë pa e shpërblyer aktin e tij të përkushtuar për moral dhe politikë.


 


A ka pasur raste të tjera kur Hajredin Kuçi, apo ndonjë ministër ka qenë dashur të japë dorëheqje? Mendoj se ka pasur dhe ka aktualisht  raste shumë më të rëndësishme për të dhënë dorëheqje, jo vetëm Kuçi e Thaçi por edhe sa e sa zyrtarë të tjerë. Mirëpo  kjo as ka ndodhur, as do të ndodh. Zëvendës-kryeministri Kuçi nuk ka dhënë dorëheqje në dhjetë e më shumë raste të domosdoshme, ( që vlejnë për shumë zyrtarë), ndërkohë që bën “harikiri” për gazetarët demagogë dhe të përçudnuar, të cilët kërkojnë që gënjeshtra, shpifja dhe trillimi të mbrohen me ligj, vetëm për faktin se ata janë gazetarë, pra jo qytetarë të barabartë të Kosovës, por  njerëz  të privilegjuar, të cilët mund të mbështeten në burimet e tyre të improvizuara e të paragjykuara dhe burimin e mbajnë për vete, edhe në rast të rrezikimit të personit të caktuar, apo në rastet e tjera kur një vepër penale do të mund të parandalohej.


 


Informata si e tillë i lihet në “ndërgjegje” gazetarit, i cili mund ta humb besimin nëse gënjen. Por në një vend ku gënjeshtra, mashtrimi, hajnia, përfitimi shfrytëzimi janë bërë përditshmëri, gënjeshtra e gazetarit nuk do të thotë diçka më shumë, përveç se një favor më tepër për të dhe për mediumin në të cilin punon.


 


Çuditërisht, ishte pikërisht juristi, Hajredin  Kuçi, i cili kishte derdhur mund në përpilimin apo adaptimin e neneve 37 e 38 të Kodit të Ri Penal, nene këto të cilat fillimisht ishin miratuar në Kuvend madje pa asnjë debat. Debati u ngjall më pas, nga një grup gazetarësh, të cilët vetëquhen “profesionistë” dhe pretendojnë të identifikohen si të tillë. Ata  paragjykojnë  se në Kosovë  ekziston një masë e madhe e gazetarëve të “rëndomtë”, apo  të “llumpen-gazetarëve”. “Profesionistët”, të ndërsyer nga bosi i gazetarisë “moderne, kosovare, Veton Surroi, nga Jeta Xharra e BIRN-it, që ka kokën në Beograd e bishtin në Kosovë dhe soji i ish gazetarëve me jugo prejardhje dhe jugo nostalgji,  filluan  fushatën në mbrojtje të “lirisë së medieve”, të cilat aq keq po u kërcënuakan me këto dy nene.


 


Edhe pse të identifikuar si klasë e veçantë profesionistësh, ata për një çast u bënë tok me të gjithë “llumpen-gazetarët” dhe u thirren në emër të të gjitha medieve të Kosovës, pa i konsultuar ato, pa marrë qoftë edhe një pëlqim verbal prej tyre.


 


Hajredin Kuçi, për hir të së vërtetës nuk u kujtua të pyes “gazetarët profesionistë” se a përfaqësonin ata zërin e tërë gazetarisë së Kosovës? Ai  u mjaftuan me faktin se ata, meqë quhen “profesionistë” edhe u dashka të jenë të tillë, pasi qenkan vetëshpallur si “ajka” e gazetarisë së vendit.


 


E vërteta megjithatë është ndryshe. Nuk është fjala për kufizim të lirisë së shprehjes, as për mbrojtje të burimit, por duke hequr nenet e tilla, një taraf i gazetarëve profiterë të njohur, fiton të drejtën e shantazhit, të drejtën e shitblerjes  së gënjeshtrës me para, të drejtën e manipulimit me njerëz, të drejtën për të nxirosur të tjerët, të drejtën për të shpifur dhe për të kurdisur afera të paqena, dhe për të gjitha këto, gazetarët e tillë, por as redaktorët e medieve nuk mund të ndiqen penalisht.


 


 Pa këto “të drejta” shumë gazetarë dembelë e infantilë, demagogë e hyzmeçarë regjimesh, parazitë e papagallë, nuk mund të mbijetojnë, në këtë kohë marramendëse të konkurrencës së xhunglës  kapitaliste, nëpër të cilën po kalojmë. Mbrojtja me ligj e burimeve të informimit të gazetarëve, e bën të “ligjshme” gënjeshtrën, paragjykimin, shpifjen dhe nxirosjen, qoftë të zyrtarëve e bosëve, qoftë edhe të qytetarëve të thjeshtë.


 


Mjafton të përcjellim një edicion të një ditari të KTV-së, për të parë dhe për t’ u bindur se si gazetarët e redaktorët “profesionistë” bëjnë  përpjekje për të nxirosur gjithçka në Kosovë,  duke shqiptuar fjalën korrupsion deri edhe 100 herë gjatë një ditari, duke lënë anash çdo aktivitet afirmativ, nëse vjen nga Qeveria apo institucionet, duke i dhënë hapësirë 5 minuta lajmit për paragjykimet antishqiptare të Dik Martit, ndërsa më pak se një minutë flitet për një aktivitet arsimor, pedagogjik apo kulturor, duke i dhënë 4 minuta hapësirë një kryepari të një OJQ-je, që nuk e njeh as familja e vet, ndërsa më pak se një minutë një storeje të një aktiviteti institucional, apo një akademie përkujtimore  për një dëshmor.


 


Me pak ndryshime  të kësaj natyre paraqiten ngjarjet e ditës edhe në RTK e TV21. Animet e tilla, njëanshmëria në paraqitjen e realitetit, askund në botë nuk quhen profesionalizëm, përveç se në Kosovë, këtu ndër ne ku  gazetarët e vetëquajtur profesionistë, kanë marrë turre-vrap drejt institucioneve, duke pretenduar që ato u dashka të funksionojnë sipas tekeve të tyre, sipas shijeve dhe djallëzive të tyre.


Për këtë soj  gazetarësh ndihet i turpëruar nga vota e deputetëve, Hashim Thaçi ndërsa jep dorëheqje, Hajredin Kuçi. Të përkujtoj me këtë rast se kryeministri aktual, Hashim Thaçi, gjatë kohës së luftës, qysh në vitin 1998 kishte “emëruar” kolegun e tij, gazetarin, Dukagjin Gorani drejtor të përgjithshëm të Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapress, edhe pse ai e bënte gjumin e qetë në Prishtinën e pacifikuar nga “jarani” i tij, Ibrahim Rugova, nën regjimin kriminal të Milosheviqit dhe nuk kishte begenisur të njihej  as për së largu me gazetarët e luftës, të cilët informonin nga zonat e luftimeve, derisa ai luante twist, apo rokenrol në kafenetë e Prishtinës, duke u hallakatur me flokët e gjatë deri në bel. Ai priste të mbaronte lufta, ta shpëtonte lëkurën bashkë me prapanicën, duke lënë prapa tokën e  përgjakur dhe tërë hi e shkrumb të atdheut, duke u fshehur në mes të turmave ikananke,  apo duke u paraqitur si i vrarë nga regjimi, sikur bënte Baton Haxhiu me kompaninë e tij të gazetarëve profesionistë, i cili sapo nuhati se mund të rrezikohej, e la vetëm Veton Surroin në Prishtinë dhe  ua  mbathi këmbëve.  Nga larg filloi të vjellë helm e vrer për krerët e “papërgjegjshëm” të luftës, të cilët sipas tij duhet të jepnin llogari për katandisjen e Kosovës. Më vonë, pas luftës, të gjithë këta gazetarë ikanakë, shtirakë e perversë, Thaçi me kolegët e tij i morën afër, ndërsa injoruan gazetarët e reporterët, të cilët gjatë tërë kohës së luftës e kishin ndarë fatin e tyre me ushtarët e UÇK-së dhe popullatën e zhvendosur në gryka malesh e lumenjsh të Kosovës dhe nga atje kishin informuar shqiptarët liridashës për fitoret e luftës çlirimtare dhe barbarinë e regjimit okupator të Milosheviqit kundër popullatës civile.


 


A janë këto veprime të moralshme dhe të përgjegjshme?


A ndërtohen kështu institucionet e Shtetit?


A ndahet kështu drejtësia, duke injoruar ata që kanë dhënë shembuj përkushtimi për çlirimin e vendit dhe duke ngritur e përkrahur pa rezervë, ata të cilëve u kishte ikur nën këmbë toka e Atdheut dhe të cilët u kishin shërbyer besnikërisht regjimeve okupatore.


Natyrisht se kohët kanë ndërruar dhe gjërat kanë ecur në drejtime të ndryshme, por e vërteta nuk zhbëhet, sado që mund të lëndohet e të injorohet.


Morali dhe politika, as në  rastin e ndarjes drejtësi për fjalën dhe mendimin e lirë, nuk po bashkëjetojnë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …