Gjatë natës dhe në orët e para ditës aeroplanët e NATO-s kanë sulmuar pandërprerë caqet ushtarake e policore serbe. Lajmet bëjnë të ditur se shumë caqe janë goditur si në Kosovë ashtu edhe brenda territorit të Serbisë.
Forcat armike po fshihen. Ata po bëjnë lëvizje të caktuara taktike. Tani për tani nuk e kanë ndërmend të dorëzohen. Ata po vazhdojnë t`i dëbojnë shqiptarët nga Kosova në drejtim të ish-RJ të Maqedonisë dhe në Shqipëri.
Burimet tona në terren bëjnë të ditur se forcat serbe kanë bërë shkatërrime në fshatin Godanc. Ata po ashtu po pozicionohen me qëllim që të marshojnë në drejtim të Zborcit. Forcat tona atje janë në gjendje gatishmërie. Nga çasti në çast mund të pritet sulmi shkatërrimtar, edhe pse dyshoj që serbët kanë fuqi të ndërmarrin ofensivë në shkallë të gjerë.
Burimet e huaja të lajmeve kanë bërë të ditur se kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, zonja Luiz Arbour, ka ngritur padi kundër kryekriminelit serb Milosheviq, i cili akuzohet për krime lufte, gjenocid dhe spastrim etnik. Analistë perëndimorë nuk e kanë mirëpritur këtë lajm duke vënë në dukje se pikërisht për këtë, ai, mbase edhe nuk do të dorëzohet. Sido qoftë bota përparimtare në perëndim më në fund po e kupton dhe po bindet mirëfilli në veprimet gjenocidale të Milosheviqit.
Po sot, kemi marrë edhe një informatë tjetër shpresëdhënëse. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton ka paralajmëruar regjimin e kryekriminelit Milosheviq, në rast se nuk i pranon pesë kërkesat e parashtruara nga NATO-ja për t`i dhënë fund luftimeve dhe tërheqjes së forcave të tij nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërhyjnë me 150 mijë forca tokësore. Ky është një lajm i mirë nëse nuk përfundon ashtu sikurse kërcënimet për vënien në përdorim të helikopterëve ushtarakë të quajtur, APAÇ.
Programin ditor e kemi përgatitur dhe si gjithnjë e kemi transmetuar në orën e caktuar. Nganjëherë mendoj se po rrezikohemi tejmase. Kokëfortësia jonë për të transmetuar me çdo kusht, mund të na kushtojë me jetë, por si duket për këtë nuk mendon askush. Janë të shumtë ata që mendojnë se nuk jemi në mend. Është një guxim mbase edhe i tepruar por përhapja në eter e zërit të Radios-Kosova e Lirë ka një simbolikë të jashtëzakonshme. Madje krejt kjo tregon se jemi përjetësisht të përcaktuar për fitore.