Ahmet Qeriqi: Presion ndërkombëtar për ta nënshkruar marrëveshjen në Rambuje (23 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Presion ndërkombëtar për ta nënshkruar marrëveshjen në Rambuje (23 shkurt, 1999)

Pas shtrëngatës dhe stuhisë së mbrëmshme ka filluar dëbora dhe fërfëlliza e cila si gjithnjë I ka zënë të gjitha shtigjet. Edhe sot Rizah Berisha me tërë ekipin kanë hequr borën nga rruga deri te vend-transmetimi. Rizës shpeshherë i ndihmojnë edhe Fatmiri e Valdeti.

Era e shkundërmuar ka krijuat trape bore sidomos në rrugën Berishë Fshati i Ri. Ka rrezik që të mbetemi edhe pa karburante meqë gjatë tërë ditës bëjmë punë me gjenerator, sepse energji elektrike nuk ka as ditën as natën.

Nuk kemi informata nga Kështjella në Rambuje.

Sot do të duhej të skadonte afati për nënshkrimin e projekt-dokumentit.

Pala shqiptare këtë projekt-dokument e ka pranuar në parim. Tani hetohet presioni i diplomatëve amerikanë për ta detyruar delegacionin shqiptar ta nënshkruajë marrëveshjen. Në mesin e atyre që duhet në nënshkruajnë janë

Akademik Rexhep Qosja, nga LBD-ja

Nga UÇK-ja Hashim Thaçi

LDK, Ibrahim Rugova dhe përfaqësuesi i pavarur

Veton Surroi, një gazetar titist bir ambasadori i ish RSFJ-së. Për ta nënshkruar me çdo kusht këtë marrëveshje, një presion të jashtëzakonshëm po bëjnë zonja Medlin Olbrajt, sekretare amerikane e shtetit, z. Vesli Klark Komandant i NATO-s për Evropën Juglindore,

Havier Solana,  dhe diplomatë të tjerë perëndimorë. Delegacioni ynë duhet të ketë parasysh këtë presion diplomatik. Mbështetja amerikane për marrëveshjen është një sinjal  shpresëdhënës.

Fakti se palës serbe nuk i bëhet ndonjë presion lë për të dyshuar në qëllimin e mirë të perëndimorëve, mirëpo kushtet që dalin nga marrëveshja janë shumë të pavolitshme për ne, edhe pse parashihet që pas tri vjet mbikëqyrjeje  të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, të shpallet Referendum për ardhmërinë e Kosovës. Kjo është e vetmja pikë joshëse, në mos qoftë edhe vetë karremi i një humbjeje të re historike.

Konferenca është shtyrë për 15 mars. Deri atëherë delegacioni ynë ka afat për t`i peshuar mirë të gjitha çështjet.

Është vështirë të prognozohet  finalja e kësaj konference edhe pse unë si gjithnjë mbetem skeptik në mundësinë e përfitimit të ndonjë favori të veçantë.

Emisionin e sotëm e kemi përgatitur me kohë, mirëpo stuhia që ndodhi gjatë natës e ka dëmtuar antenën dhe ana teknike e transmetimit ka qenë e dobët. Stuhia e ka prishur edhe një pjesë të kulmit të odës, ndërsa gjatë ditës Rizah Berisha me Milaimin e kanë rregulluar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …