Ahmet Qeriqi: Probleme të përditshmërisë. (E martë 10 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Probleme të përditshmërisë. (E martë 10 nëntor, 1998)

Pasi që në mëngjes Jakup Krasniqi, Ramë Buja dhe Agron Krasniqi janë nisur për në Divjakë, unë dhe Berati kemi shkuar te Heset Hamdiu me qëllim që të bisedojmë për vendin ku do të vendoset Spitali.

Sipas të gjitha gjasave,  Xhezair  Olluri  do ta lirojë shtëpinë e tij thotë Heseti, po ka mbetur që megjithatë të pyetet përmes telefonit, sepse ashtu e do rregulli. Shtëpia është trekatëshe, e rregulluar e mobiluar dhe kushtet për punë janë të kënaqshme, sidomos për këto rrethana.

Ndërkohë një ushtar nga Zborci me traktor e ka sjellë një fshatar i cili duke lëvruar në arë ka rënë në një minë. Ky djalë i ri  ka marrë lëndime në të dyja këmbët por për fat ka shpëtuar, dhe ka gjasa të mira për shërim thonë mjekët.

Po sot Vehbi Zeqiri nga Varigovci, njëri prej furnizuesve më të mirë në anën tonë, se bashku me ekipin e tij ka sjellë  një traktor me artikuj ushqimorë, fasule, oriz, marmeladë, margarin etj. Nga dega e Nënë Terezës ka sjellë edhe 1700 kilogram miell të cilin e kanë zbrazur te shtëpia e Vehbi Qeriqit, meqë këtu te ne nuk ka vend.

Ajvaz Karpuzi dhe Sylë Qeriqi më kanë lajmëruar se disa nga kuadrot e Shtabit po bëhen gati të shkojnë për në Shqipëri. Sa janë krejt këto të vërteta, nuk e di por jam i sigurt se po ndodhin gjëra të papritura. Krejt kjo po shkakton huti në mesin e popullatës. Tre rreshta të koduar…

Ditëve të fundit po vërej një lëvizje shumë të shpejtë të njerëzve, ashtu sikurse në kohën para fillimit të ofensivës së verës. Vërehet mundësia e koordinimit të punëve, bëhen veprime të njëanshme, ka kryeneçësi dhe veprime të tjera,  të cilat druaj se do ta dëmtojnë luftë.

Është fat i mirë që ne këtu i kemi konsoliduar radhët dhe këso përçarje e përplasje nuk mund të ketë. Të paktën jo tani për tani dhe si do të rrjedhin punë mbetet për t`u parë.

Nganjëherë fitoj përshtypjen se në disa mese,  nuk është më ajo UÇK-ja burimore. Diçka sikur po rrëshqet. Ndoshta nga brenda ka filluar erozioni, ose mua më duket kështu meqë jam kufizuar në lëvizje dhe ndoshta më mungojnë jnë të dhëna për të konkluduar ndryshe.

Në mbrëmje si zakonisht vijnë të gjithë. Shumica e eprorëve dhe e mjekëve kanë dëshirë të rrinë dhe të bisedojnë me Jakup Krasniqin, sidomos tani kur po flitet për arritjen e mundshme të një marrëveshjeje kalimtare…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga baza serbe te Gurëthyesi në Carralevë disa predha godasin në Krojmir dhe në Pjetërshticë (E shtunë 14 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga baza serbe te Gurëthyesi në Carralevë disa predha godasin në Krojmir dhe në Pjetërshticë (E shtunë 14 nëntor, 1998)

Qetësinë vjeshtore të mesditës e prishën disa shpërthime predhash të armikut të cilat papritur  kanë …