Sot, Luani solli një porosi nga shtabi. Ai tha se kompjuterin të cilin e ka rregulluar Isë Krasniqi, duhet da çojmë në Divjakë, meqë si duket atje do të qëndrojnë Isa dhe Berati. Është kërkuar dhe një kompjuter tjetër i ri të cilin e ka sjellë, Fatmir Xhelili, por për të ende nuk ka gjetur donator. Ai ka porositur se derisa nuk arrin ta mbulojë materialisht, kompjuteri të mos lëshohet në punë, sepse çmimi është kontestues.
Edhe sot kemi biseduar për problemet e përhershme të riorganizimit. Syla, Elezi, Luani, Ajvazi, Ramadani, të gjithë janë të mendimit se ne në Krojmir nuk përfillemi aspak në asnjë drejtim organizativ. Është kjo një e vërtetë e cila nuk do të thotë shumë, sepse ne as kemi luftuar as do të luftojmë për të ndarë poste, iu them. Me rëndësi është që punët të shkojnë mbarë. Se kush emërohet në Shtab apo në Komandë, apo në Brigadë, nuk është puna jonë, edhe pse ka gabime, ka anashkalime.
Punë që ndodhin çdo kund.
Mirëpo realiteti mjerisht është krejt ndryshe. E di mirë se pakkush është në vendin që e meriton, mirëpo kjo duhet lënë anash, sepse lufta është drejtuar kundër armikut. E di se mungon esenca e riorganizimit kualitativ. I njoh njerëzit e kësaj ane. Edhe më mirë se unë i njohin sidomos Syla dhe Elezi, të cilën kanë një të kaluar meritore në aktivitetin e tyre ilegal. Ata kanë vepruar, kanë kryer aksione, kanë mbajtur shënime për lëvizjet e policisë serbe dhe për bashkëpunëtorët e tyre.
Unë, nga ana ime, asnjëherë në jetë nuk jam imponuar. E di se kjo mund të interpretohet në shumë mënyra, por mendoj se kontributi im edhe pse jo aq i dukshëm, këtu është vendimtar. Po ashtu puna ime në shkrimin me përgjegjësi të kësaj kronike është shumë e vlershme edhe pse këtë as që e merr kush në konsideratë, as që i intereson kujt.
Krijimi i kësaj baze tepër të fortë të cilën e kemi konsoliduar në Krojmir, është merita jonë e përbashkët. Por, asgjë nuk ka marrë fund. Unë konsideroj se jemi në fillim të luftës. Sfidat më të mëdha na presin tash e tutje. Nuk duhet të brengosemi aq shumë pse nga një familje pesë vetë po ndajë poste. Mirëpo është vështirë ta bindësh Luanin, është vështirë ta bindësh Sylë Qeriqin dhe ushtarët e tjerë të Krojmirit, të cilët kanë vepruar ilegalisht me vite të tëra. Sa për vete unë nuk iu kam bashkuar luftës për të më caktuar dikush ndonjë post. Unë iu dal përballë punëve që i kam përkufizuar për vetvete. Nëse atyre atje iu duhem ata e dinë se ku mund të më gjejnë. Nuk brengosem pse dikush atje në Shtab ka thënë, ky nuk është askund, vetëm sillet ashtu. Kjo nuk më bën fare përshtypje, sepse unë e njoh vetveten, kontributin dhe angazhimin tim me vepër. Për të dhënë shembullin personal unë jam futur në luftë me krejt anëtarët e familjes, derisa dikush të vetët i ka larguar madje edhe nga Kosova. Këto gjëra njerëzit tanë i dinë dhe i çmojnë, edhe pse nuk është e nevojshme t`i thonë.
Në mbrëmje kanë ardhur Isa dhe Berati. Ata i solli me veturë Ilir Dugolli meqë kishin mbetur në rrugë. Berati është sëmurë. Ai po bindet se kujdesi që mbretëron këtu në Krojmir për njerëzit dhe për ushtarët është mbi çdo nivel.
Berati thotë se nesër duhet të tre të shkojmë në Shtab, mbase për të biseduar. E di se sa herë deri tani kam shkuar në Shtab, por as më ka parë kush, as e kam takuar atë për të cilin kam shkuar, as kam kryer ndonjë punë. Megjithatë duhet të shkoj, edhe pse konsideroj se është një vajtje ardhje e kotë.