Jam zgjuar si zakonisht, i lodhur nga pagjumësia. Në odën e Vehbiut që ndodhet afër shtëpisë sime, ka vajtje ardhje të pandërprera të ushtarëve dhe të banorëve jo vetëm vendës. Bijat e Vehbiut, shërbejnë me ujë, qaj e bukë, të gjithë të pranishmit, të cilët venë e vijnë pandërprerë.
Mentori, djali i tij prej fillimit iu ka bashkuar radhëve të luftës. Është njëri ndër ushtarët më të vendosur.
Rreth orës 11.00 papritmas dëgjohen detonime të fuqishme në drejtim të Grykës së Carralevës. Të shtënat vijnë nga baza e forcave serbe e cila ndodhet “Te Pishat”, në Kryq të Belincit.
Pa vonuar, me Idrizi Sahitin dhe Selatinin mësyjmë Kodrën e Carralevës. Atje si zakonisht takojmë vëzhgues vullnetarë dhe djelmosha, të cilët janë regjistruar në radhët e UÇK-së, por ende nuk janë armatosur. Ata vëzhgojnë dhe janë të gatshëm të ndihmojnë ndonjë të plagosur. Atje e takoj edhe Naim Ismajlin, Hasan Avdylin, mësuesin Imer dhe disa trima të Carralevës, të cilët ndihen keq, meqë ende nuk janë pajisur me armë. Ata presin nga unë edhe pse mundësitë e mia për t’ i pajisur me armë janë tejet të kufizuara. Edhe pse nuk i tregoj haptas, kam vendosur që snajperin tim të kalibrit të vogël, të cilin ma kishte blerë, vëllai im Osmani, qysh në vitin 1992, t`ia jap Naim Ismajlit, meqë unë nuk kam nevojë për të, sepse Syla dhe Elezi nuk pranojë që unë të rreshtohem në vijën e fronit. Kemi mjaft për front, ti na duhesh për organizim dhe për lidhje me ata, në Shtab, më thotë Syla dhe aprovon Elezi. Meqë ende nuk kam kurrë farë detyre të ngarkuar nga Shtabi, veproj në Shtabin që e quajmë Civil Ushtarak së bashku me Heset Hamdium, Ramadan Rizanin, Heset Sahitin e shumë të tjerë. Ndërsa detyra kryesore që i ka caktuar vetës është shkrimi në çdo mbrëmje i zhvillimeve në vend luftimeve dhe aktivitetin që e zhvillojmë në Krojmir dhe në fshatrat e tjera.
Kronika është puna ime, pasi të flenë të gjithë. Rri edhe një orë më shumë pas mesnatës dhe përshkruar në fletori të gjitha zhvillimet e ditës.
Në orët e pas ditës, takoj Shukri Bujën, i cili pasi më veçon nga të tjerët, më tregon se ka marrë urdhër nga Shtabi në Kleçkë për ta arrestuar Faruk Gashin. Ai nuk tregon shkakun, edhe pse unë e marr me mend se prania e Farukut në mesin tonë është tejet e rrezikshme. Shukriut i tregoj qëndrimin tim, duke i bërë të ditur që të ketë kujdes, meqë sipas të gjitha gjasave, Faruk Gashi ka mbajtur dhe mban lidhje të ngushta me Azem Sylën, e sidomos me nipin e Azemit, Hysen Zogianin, për të cilin, ka kohë që nuk dihet ku ndodhet. Po ashtu, Shukriut i shpjegoj se rasti i zbrazjes së revolverit në drejtim të një personi në Shtime, gjatë demonstratave, është interpretuar me qëllim të keq, nga dega e LDK-së, në Shtime.
Pasi e kuptoj se Shukriu doemos e ka ndërmend ta arrestoj Farukun, kërkoj nga ai që, të mos publikohet rasti i tij, meqë mund të ketë pasoja sapo ta marrë vesh Azem Syla. Duket se ata në Shtab nuk dinë gjë për marrëdhëniet e Azemit me Farukun.
***
Ditëve të fundit, mjerisht kanë marrë përmasa arrestimet, burgosjet e rrëmbimet e njerëzve. Kjo dukuri jo vetëm më shqetëson, por frikësohem se, me veprime të tilla, do të dëmtohet imazhi i luftës sonë dhe mund të shpërthejë një përçarje që na dëmton shumë. Është e vërtetë se në mesin e të arrestuarve ka edhe bashkëpunëtorë të mirënjohur të okupatorit, por ka edhe të atillë që nuk kanë bërë ndonjë faj të madh, mirëpo në disa raste dalin sheshit edhe inatet e armiqësitë e kaluara personale. Druaj me të drejtë se kështu sikur kanë nisur rrëmbimet e arrestimet, një ditë, të gjitha do të na hakmerren, pavarësisht nga epilogu i tërë kësaj lufte të mundimshme çlirimtare. (Pesë rreshta të koduar)
Me këto veprime nuk pajtohet as Elez Durmishi, as Sylë Qeriqi. Elezi tregohet shumë i matur, por rrëmbimet bëhen pa dijeninë time dhe të tij, të paktën unë kështu besoj. Vetëm për rastin e Farukut, Shukriu më ka lajmëruar. Për raste të tjera kam mësuar nga ushtarët, ndërsa, ata që i mbaj përgjegjës për rrëmbime të tilla, nuk pranojnë se kanë kryer veprime të tilla. Për më tepër, ata thonë se kjo është punë e Shërbimit sekret të UÇK-së, edhe pse një shërbim i tillë te ne nuk ekziston. Krejt kjo është në kompetenca të komandantëve lokalë.
Pikërisht për këto dhe për probleme të tjera e kam ndërmend të shkoj dhe të bisedoj me Jakup Krasniqin, por paraprakisht duhet të sigurohem se ku do ta gjej, meqë ai shpeshherë kalon në zonën e Malishevës dhe të Drenicës.
Tani për tani të gjitha problemet i shqyrtoj vetëm me Elezin, të cilit i besoj dhe më beson. Edhe Syla nuk fsheh asgjë nga unë, por ai vazhdimisht është në ballin e luftës. Të tjerët, jo që më frikësohen por me siguri se e dinë që unë momentalisht merrem me çështje civile ushtarake dhe ende nuk kam ndonjë detyrë të caktuar.
Sido që të jetë, ditëve të fundit vërej disa zhvillime tejet të rrezikshme, për të cilat duhet pasur kujdes të veçantë. Është më se e vërtetë se disa prej të arrestuarve, për të cilët po flitet, edhe pse unë as i kam njohur as i njoh, thuhet kanë kryer vepra të shëmtuara kundër kombit, por, në raste të tilla duhet të pyetet vetëm një instancë organizative. Në të kundërtën do të përballemi me anarki, e cila po ashtu në këtë organizimin tonë të brishtë shihet se është e pranishme, ku më shumë e ku më pak.