Profesor, doktor, Rexhep Qosja, edhe në 87-vjetorin e ditëlindjes së tij jetës së tij vazhdon të shënojë suksese, si në të gjitha stinët, që ka lënë pas, me vështirësitë e kohëpaskohshme e ngritjet e përhershme. Me qëndrimin e tij stoik e dinjitar, nuk ka si të mos krahasohet me Sokratin, me dijen e tij erudite nuk ka si të mos na kujtojë, Volterin, me stigmatizimin, që i ka bërë dhe i bën të ligës dhe të keqes, nuk ka si të mos na kujtojnë, Erazmin e Roterdamit, me dashurinë e zjarrtë për kombin e gjuhën, na kujtojnë Naimin, me diskreditimin e veseve të liga të oligarkëve e sundimtarëve, na kujtojnë Fan Nolin, me qëndrimin e tij të paepur e burrëror, gjithnjë në shërimin të së drejtës dhe së vërtetës, na kujtojnë Gjergj Fishtën, e kështu me radhë…
Këto krahasime janë të rëndësishme në fenomenologjinë e personaliteteve të caktuara të rëndësisë kombëtare e gjithënjerëzore, po të kemi parasysh nivelet e strukturuara dhe ndikimit që kanë ushtruar dhe ushtrojnë personalitetet e tilla në kohë dhe hapësirë, ne mesin e kombeve e popujve.
Rexhep Qosja për shumëçka është emër i përveçëm i kulturës, filozofisë, krijimtarisë dhe erudicionit, jo vetëm i nivelit kombëtar, por edhe më gjerë. Mbi të gjitha ai është krijues i pasionuar, njohës i thellë i jetës dhe i ligjeve të saj, studiues ndër më të dalluarit në shumë fusha të krijimtarisë, njohës i kontradiktave shoqërore, historike e politike, mbështetës i fuqishëm i së drejtës dhe së vërtetës, asaj së drejte dhe të vërtete, që qëndron në ballë të Universit, duke qenë shtyllë e emancipimit të përgjithshëm njerëzor përgjithësisht, e kombëtar veçanërisht.
Qosja është idealist në jetë dhe në krijimtari. I tillë ka qenë dhe ka mbetur, sepse vetëm me një shpirt idealisti, me besim të thellë në të drejtën e në të vërtetën, njeriu arrin ta përmbushë detyrën, që ia ka shtruar vetes, jo për të bërë emër me çdo kusht, jo për të qenë kurdoherë i pari, por për të lënë vepra që edukojnë, mësojnë, frymëzojnë dhe përçojnë mesazhin e së mirës, njerëzores, besës, nderit, krenarisë së ligjshme, që buron nga mirësia e humanizmi. Këto vlera janë të shprehura e të trajtuara kudo në krijimtarinë e profesor doktor Rexhep Qoses.
Qëndrimi vertikal në furtunat e kohës
Qëndrimi i tij kurdoherë vertikal, ka frymëzuar rininë atdhetare fillimisht në vitin 1981, kur ai publikisht përkrahu kërkesat emancipuese kombëtare për liri, barazi e drejtësi, pavarësisht se regjimi nuk do t’ ia falte dhe do ta mbante në shënjestër, por edhe në kujdes, në mënyrë që të mos e bënte më shumë kundërshtar hero për së gjalli, ashtu sikur kishte bërë, Adem Demaçin, ashtu sikur do ta bënte edhe Ukshin Hotin e disa të tjerë, për të mos thënë edhe krejt pak të tjerë, nga elita intelektuale e kohës.
Derisa në vitet shtatëdhjetë, Qosja përballej me fushatën, që kishin ndërmarrë kundër tij tërë një staf kameleonësh, burracakësh xhelozë, mediokër partiakë, servilë të pushtetit dhe “jatakë” besnikë të bashkim-vëllazërimit, në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, ai do t’i mbrojë me konsekuencë, trimëri e mençuri kërkesat e rinisë së barrikadave të vitit 1981. Shkrimet e tij asokohe botoheshin në Kroaci, Slloveni Bosnje e ndonjë edhe në Serbi. Dhe nuk duhet harruar se ishin vetëm shkrimet e tij që kishin thyer sadopak perden e hekurt të censurës së kohës. Është krejt e natyrshme të çmohet dhe të besohet se edhe një pjesë e pushtetarëve të Kosovës do ta mbronte Qosen, dhe e kishte mbrojtur, veçmas, Fadil Hoxha, sepse Beogradi zyrtar krejt hapur kishte nisur fushatën në shkallë të gjerë për të provuar prapakthimin në histori, duke fajësuar të gjithë shqiptarët si nacionalistë e irredentistë me qëllim që të varrosej ideja e çlirimit dhe bashkimit të tyre.
Pa shkrimet dhe qëndrimin burrëror të Qoses, opinioni përparimtar gjithë-jugosllav, nuk do të arrinte ta kuptonte esencën e “dramës” së Kosovës. Natyrisht se kishte edhe intelektualë të tjerë shqiptarë, që po bënin përpjekje të ruanin aq sa mund të ruhej, por ata thjeshtë ishin oportunë, në të shumtën e rasteve nuk shfaqeshin hapur, sepse donin të ruanin favoret dhe sepse nuk i besonin forcës, që kishte akumuluar në qenien e tij një popull tanimë i vetëdijshëm se liria i takonte dhe për të do të sakrifikonte gjithçka.
Po nuk duhet harruar edhe anën më të zezë të kësaj fushate, që e thellonin edhe shqipfolës e shqipshkrues, duke qenë vegël e përdorshme e pushtetit. Do të na zihej fryma po të përmendnim me këtë raste me emër e mbiemër, kreatorët dhe zbatuesit e fushatës, platformës partiake gjithë-jugosllave për shkatërrimin dhe çrrënjosjen e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Janë po ata që do ta ujdisnin UJD-in për ta rikthyer në jetë kufomën, që ishte quajtur RSFJ.
Përderisa në vitet 80-të Qosja krahas punës në krijimtari mbante edhe postin moral të dalëzotësit të interesave të kombit, me përkrahjen e forcave përparimtare liridashëse në Kosovë e më gjerë, në vitet 90-të, ai nuk do të lejonte të gënjehej nga pacifizmi i sëmurë i lodhur, në krye me Ibrahim Rugovën, që kishte buruar nga Lidhja Komuniste Jugosllave dhe kishte marrë një përmbajtje, mish as peshk, duke pretenduar që lirinë e Kosovës ta fitonin në tavolinën e bisedimeve, me improvizimin e skemës së pushtetit paralel, duke fituar të paktën pushtetin “moral” përbrenda vetvetes, në kohën kur regjimi i Beogradit ishte nisur në rrugën pa kthim me moton: (Sve ili nishta), Krejt ose asgjë!, me qëllim që nga Jugosllavia e shkoqur dhe e shkërmoqur ta qepte Serbinë e Madhe.
Qosja, duke i thirrur mendjes dhe inteligjencës së tij, iu kishte qëndruar konsekuent bindjeve, dialektikës së zhvillimit të rrjedhave historike, dhe kishte mbështetur forcën që po riakumulohej nga tharmi revolucionar i viteve 1963-1968-1981, për të rezultuar me krijimin dhe daljen e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arenën e historisë sonë më të re. Ai ishte ndër intelektualët e parë që e mbështeti fuqishëm këtë forcë dhe kishte pranuar të bëhej edhe pjesë politike e saj, me pjesëmarrjen në Konferencën e Rambujesë, në shkurt-mars të vitit 1999, kur po vendosej fati historik i Kosovës.
Po të mos ishte vepra dhe sakrifica e luftëtarëve të NDSH-së, po të mos ishte vepra jetësore e Adem Demaçit prej fillimit të viteve 60-të e pak më herët, por të mos ishte rinia revolucionare dhe shpëtimtare e vitit 1981, e cila zgjeroi deri në fund hendekun mes shqiptarëve liridashës dhe atyre që ishin përcaktuar në idealin unik të bashkim-vëllazërimit, po të mos ishte qëndresa e fortë e një krahu intelektual në krye me Ukshin Hotin, Rexhep Qosen, Metush Krasniqin, Jakup Krasniqin e të tjerë, por të mos ishte qëndresa titanike dhe heroike e Adem Jasharit, Jasharëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesi historik i çlirimit nga regjimi shtypës e barbar i Serbisë do të kishte degjeneruar me kohë dhe do të kishte prodhuar një hibrid serbo-shqiptaro-kosovar, të tillë sikur kishte qenë për disa shekuj “arnautllëku” paqësor i kohës së baba-Dovletit, mbase edhe më keq.
Integriteti dhe dinjiteti
Përveç krijimtarisë afër gjashtëdhjetëvjeçare, e cila në të gjitha fazat e zhvillimit ishte autentike dhe origjinale dhe që në shumë raste kishte mbushur zbrazëtirat që kishte lënë trashëgim koha e çakorduar historike e pushtuesve në trojet tona, profesor Rexhep Qosja me angazhimet dhe punën e palodhshme, me kredon krijuese dhe veprat e shumta që ka nxjerrë në dritë, ka rezervuar vendin meritor në panteonin e inteligjencës krijuese kombëtare, ka fituar autoritetin e ligjshëm kudo ndër shqiptarë e sidomos në Shqipëri ku klasa intelektuale ishte e nivelit më të pjekur dhe më afirmativ, sepse ishte zhvilluar në rrethana dhe kushte më specifike.
Pavarësish ngjyrosjeve, bindjeve politike dhe ideologjike, në vitet 70-8o-90, inteligjenca shqiptare në trekëndëshin: Tiranë-Prishtinë-Shkup dhe Mërgatë kishte krijuar bërthamën e njësimit kombëtar, në të gjitha segmentet ku ajo ishte shtrirë, në të gjitha fushat e krijimtarisë, por edhe të politikës, duke krijuar një “Piemont” jo vetëm moral por kulturor, afirmativ e meritor, ku roli i Rexhep Qoses, Adem Demaçit, Ukshin Hotit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit e të tjerëve ishte padyshim një rol që kishte ndikim vendimtar në ndërtimin e së ardhmes gjithëkombëtare, proces i cili ende po vazhdon. Nga këta pesë emra të mëdhenj, ( kuptohet me specifika të caktuara, në jetë punë dhe krijimtari, sepse ka edhe shumë emra të tjerë meritorë të kombit) tani gjallojnë vetëm Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare, dikur shokë e miq, tani kundërshtarë idesh dhe perceptimesh të ndryshme të realitetit.
Qosja në luftë dhe paqe me bashkëkohësit
I përkufizuar si “Rilindës i fundit”, duke marrë për bazë modelin e intelektualit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Rexhep Qosja, është personalitet bashkëkohor i formuar në shekullin 20 për të përmbushur misionin avangard, kombëtar, në deceniet e para të shekullit 21.
Studiuesi, ndër më të njohurit i Rilindjes Kombëtare, por jo vetëm i asaj, nuk është e thënë të jetë edhe vetë rilindës dhe nuk mund të dëshmohet se Rilindja ka shënuar fundin e saj me Rexhep Qosen. Rilindja me kohë është sistemuar në periodizimin realist që i ka bërë vetë Rexhep Qosja dhe jo vetëm ai. Është e natyrshme që ajo periudhë e zgjimit apo rizgjimit kombëtar ka rrezatuar dhe rrezaton mesazhe të caktuara, por si çdo periudhë tjetër edhe ajo tashmë radhitet në vendin e vet, në epokën e vet.
Qosja i takon kohës së vet, kohës sonë historike. Vendlindja e tij gjeografikisht i takon, pjesës së ndarë dhunshëm të trojeve shqiptare, e cila ka mbijetuar me mund, djersë, gjak dhe ka arritur, që në kushte tejet specifike dhe me sakrificë të papërshkrueshme ta ruajë madje edhe ta begatojë identitetin kombëtar e kulturor, qoftë mëvetësishëm, qoftë në akord me pjesën tjetër të pavarur të Shqipërisë, që nga vitit 1912.
Raporti i Qoses me bashkëkohësit ka specifikat e veta
I lindur në një trevë të Shqipërisë, ku gjaku shqiptar kishte rrjedhë lumë për ta mbrojtur me çdo kusht dhe me çdo çmim, Plavën, Gucinë, Anamalin e Ulqinin, ai ishte rritur me preokupimet e brezit të tij, në radhë të parë për të siguruar ekzistencë dhe kushte minimale për jetë…
Pastaj, falë zgjuarsisë, përkushtimit dhe përvetësimit të diturive, ai do të hapë vetë të gjitha dyert, që e çuan në Panteonin e madh.
Gjatë atij rrugëtimi si çdo intelektual i kalibrit të tij, do të ndeshej edhe me botën tjetër të veseve, ligësive, nopranive, xhelozisë, urrejtjes, fodullëkut dhe tërë një bote që bënte gjumin e gjatë, shekullor të pacifizmit.
Në rrugë për të sheshuar idetë dhe qëndrueshmërinë e tyre, me metodën shkencore për analizë, tezë e sintezë, në rrugë për të dëshmuar dijen faktike me fakte e dëshmi, profesor Qosja prore është ndeshur me bashkëkohësit dhe asnjëherë nuk ua ka ndalur kritikat për demaskimin e mentalitetit profan, shantazhues, injorues, përfitues favoresh, servilë të pushtetarëve, sajues kurthesh, mediokër të përjetshëm të moçalishtes që kishte lënë trashëgim robëria shumëshekullore.
Ai kishte përballuar me shumë sukses fushatat kundër tij, madje u kishte bërë edhe analizën, duke ua caktuar edhe anamnezën, diagnozën, duke iu çjerrë maskat dhe duke i zhveshur nga stolitë e rreme dhe titujt me të cilët kishin mbushur gjokset, sa për të fituar një post, apo një favor.
Si çdo intelektual me gjen të pastër shpirtëror dhe përgatitje meritore shkencore, Qosja nuk do të lejonte kurrë të binte pre e politikave të ditës, pre e makinacioneve e prapaskenave të neveritshme. Ai gjatë tërë jetës së tij ka ruajtur Unin e vet, ka ruajtur me konsekuencë të drejtën dhe të vërtetën, edhe atëherë kur është rrezikuar edhe atëherë kur është izoluar dhe kur e kanë anatemuar padrejtësisht. Ai me kohë ka ngritur zërin kundër pacifizmit inert, kundër berishizmit të rrezikshëm, kundër të gjitha izmave që kanë dëmtuar interesin kombëtar të shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë dhe që vazhdojnë ta dëmtojnë…
Tani në 84-vjetorin e lindjes së tij, profesor Qosja, me të drejtë ndihet krenar për jetën dhe veprën, për qëndrimin konsekuent atdhetar, për ndikimin që ka ushtruar në brezat çlirimtarë, për fjalën e thënë troç e pa hile, për një jetë të tërë në shërbim të së mirës, të kombit, përparimit, emancipimit dhe mbi të gjitha për integritetin, dinjitetin, burrërinë, mençurinë, modestinë dhe me tërë ato virtyte të larta, që i bëjnë nder dhe që prore ka rrezatuar dhe rrezaton nderim, respekt e njerëzi…
Të gjithë ne që jemi edukuar me veprat dhe qëndrimin e tij të paepur e burrëror, ndihemi po kështu krenarë, sepse duke pasur prijës shpirtërorë si Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, me qëllim për të realizuar aspiratat, mësimet dhe synimet e tyre kemi mbështetur fuqishëm Adem Legjendarin dhe luftën e drejtë të tri ushtrive tona çlirimtare…
Ahmet Qeriqi
Qershor 2023