Ahmet Qeriqi: Protestat e 27 janarit në Prishtinë nxorën në sipërfaqe realitetin lakuriq të Kosovës

Protestat e 27 janarit në kryeqytetin e Kosovës janë tregues i mirëfilltë i gjendjes, e cila po mbretëron në vend, janë tregues të  kontradiktave të thella shoqërore e politike dhe  pozitës krejtësisht të palakmueshme të vendit tonë, por edhe të shqiptarëve në Ballkan përgjithësisht.


 


Pretendimet e BE-së për ta përvetësuar Serbinë mbi kurriz të Kosovës, tashme janë të tejdukshme, e pranuan apo jo Isa e Hashimi, Atifetja e Edita.  Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit të vitit 2013 e nënshkruar nga Ashton-Daçiq-Thaçi, parasheh praninë e një segmenti të Qeverisë së Serbisë brenda Qeverisë së Kosovës. Pikërisht për këtë Beogradi zyrtar solli në Kosovë Listën “Srpska”, me qëllim për ta kontrolluar Qeverinë e Kosovës, për ta mbajtur peng dhe për ta diskredituar në tërësi.


Dëshmitarë të kësaj zezone kemi qenë dhe jemi, të gjithë.


 


Qysh prej fillimit të bisedimeve të Kosovës me Serbinë  u ndërpre gati  tërësisht procesi i njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtetet e ndryshme të botës. Të përkujtojmë me këtë rast se në vitin e kaluar vetëm 4 vende, krejt të parëndësishme në politikën ndërkombëtare, kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.


Në tri vitet e fundit ka filluar degradimi i pozitës kushtetuese dhe i pavarësisë. Presioni i qarqeve të caktuara ndërkombëtare për ta nënshtruar Kosovën dhe për ta kthyer gradualisht nën sovranitetin e Serbisë është fare i dukshëm dhe tashmë ka filluar të realizohet shkallë-shkallë, madje edhe me arrogancën fashiste serbe të tipave si Daçiq, Vuqiq, Vulin, Jabllanoviq dhe tërë soji  i “Stradisë” serbe.


 


Dhe si të mos jetë kështu kur të gjitha shtetet anëtare të BE-së e deklarojnë hapur se Serbia nuk ka nevojë ta njohë pavarësinë e Kosovës, kur vetë BE-ja, organizatë globaliste evropiane, nuk e ka pranuar Shtetin e Kosovës, po ashtu as EULEX-i nuk e pranon pavarësinë e vendit tonë. Askush nuk i ka vënë kushte të tilla Serbisë, as zonja Merkel sikur kemi dëshirë ta interpretojmë nganjëherë, aq më pak zonja Xhejkobson e zotri Klif. Asnjë autoritet me peshë ndërkombëtare nuk ka deklaruar decidivisht se Serbia para se të hyjë në BE, duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në rastin më afirmativ është thënë se Serbia duhet ta njohë, apo është mirë ta njohë pavarësinë e Kosovës.


Se çka dërdëllisin zonjat e zotërinjtë tanë politikanë kjo tanimë është gjellë e tyre bajate që nuk e gëlltisin as vetë ata.


 


Dhe, kur në vend mbizotëron kjo politikë, kur Kosova po varfërohet nga vitit në vit, kur është shitur dhe është privatizuar tërë pasuria e saj e luajtshme dhe e paluajtshme, të cilën e kanë përfituar bosët e politikës, matrapazët vendorë e ndërkombëtarë, kur po shiten e po jepen me koncesion edhe resurset e saj nëntokësore e mbitokësore, kur nga vendi po ikin dhjetëra mijëra shqiptarë, kur shkalla e varfërisë dhe e papunësisë po tregon rritje nga viti në vit, kur në Kosovë Qeveria i mbështet dhe iu ndanë favore të pasurve e të kamurve, ndërsa shtresën e varfër e mban me 80 euro në muaj, nuk mund të pritet asgjë tjetër, pos fillimit të zbrazjes së durimit e zemërimit popullor, qoftë edhe me protesta, qoftë edhe me diçka më shumë.


 


Qeveritarët tanë, sidomos atyre që u duket  Kosova  si Siria pas protestave, por nuk u duket vetja si  zyrtarë të Assadit, Vuçiqit  e të tjerëve, atyre që mendojnë se do të sundojnë sa të jenë gjallë, duke u bërë mashë e mujsharëve të huaj, atyre që mendojnë se populli duhet vetëm të dëgjojë dhe të pajtohet nga frika se mund të vijë Serbia, ashtu sikur thotë hapur një ish-ministër, të gjithë këta duhet ta dinë edhe një të vërtetë tjetër, e cila duhet përmendur me këtë rast.


 


Të gjithë në Kosovë, sidomos Qeveria dhe Polici-milicia e dinë se gati çdo familje shqiptare rurale ka armë, në mos më shumë ka një kallash dhe kjo nuk është pak. Po ashtu, trafiku me armë nuk është ndërprerë, asnjë ditë prej mbarimit të luftës.  Duket ta dinë mirë se mjafton edhe ndonjë shkëndijë e tillë në Prishtinë apo në cilin do qytet të Kosovës, mjafton ndonjë viktimizim i protestuesve, mjafton edhe ndonjë turr i njësive të motorizuara si ato dje në Prishtinë, që u vërsulen me shpejtësi dhe me qëllim për t i shkelur protestuesit, ashtu sikur milicia e dikurshme serbe në vitin 1981, 1989, 1998, në përsëritje të rasteve të tilla gjendja del nga kontrolli. Realisht gjendja nuk është dhe as ka qenë ndonjëherë në kuptimin e fjalës, kontroll.


 


Shprehja e mllefit dhe zemërimit qytetarë kundër një ministri serb, i rodit të Milosheviqit, Arkanit e Sheshelit,  sharës e bandit, nuk është i orientuar vetëm kundër tij, por është drejtuar në radhë të parë kundër atyre që po e përkrahin, që nuk duan apo nuk mund dhe nuk guxojnë madje as ta marrin në pyetje. Këta qeveritarë servilë dhe plastofilë nuk i meriton populli i Kosovës, i cili në luftën e tij për liri e çlirim nga robëria shekullore serbe ka dhënë dhjetëra mijëra qytetarë liridashës, ka dhënë 2 mijë e më shumë dëshmorë dhe gati 16 vjet pas luftës ende nuk di gjë për fatin e rreth 1700 të zhdukurve, që i ka kidnapuar Serbia gjatë luftës në Kosovë dhe që u ka humbur çdo gjurmë.


Këto janë disa nga problemet me të cilat po ballafaqohet vendi, në kohën kur Qeveria e Isa Mustafës me ministrat e tij tërë mllefin e derdhin kundër protestuesve, kundër opozitës, e cila e dashka rrëzimin e Qeverisë. Po një Qeveri e tillë, e cila dje e tregoi fytyrën  e vet të vërtetë të brutalitetit nuk është më Qeveri me asnjë pikë kredibiliteti, madje as kishte fare kredibilitet qysh prej fillimit, sepse është  qeveri e kombinuar me  dy kampeve kundërshtare politike,  që fituan zgjedhjet me hipokrizi e mashtrime duke sharë e fyer njëri tjetrin. 


 


Protesta e djeshme ishte thirrur nga Vetëvendosja ishte mbështetur nga AAK-ja dhe Nisma dhe nga të gjitha forcat liridashëse të vendit madje edhe nga një shumicë veteranësh dhe familjarësh të dëshmorëve e familjarë të të zhdukurve. Duhet pranuar edhe faktin se protesta të njëmendta, të mirëfillta në kohën e pas luftës në Kosovë ka organizuar dhe organizon vetëm Vetëvendosja dhe asnjë forcë tjetër politike. Kemi të bëjmë me një realitet faktik që nuk mohohet, pavarësisht se sa ka arritur vetëvendosja në këtë drejtim dhe sa ka arritur të unifikohet forca militante kombëtare e shqiptarëve të organizuar,  të cilët nuk e pranojnë këtë gjendje të imponuar nga Serbia e BE-ja.


Vetëvendosja, pavarësisht edhe gabimeve e lëshimeve, është e vetmja forcë politike që nuk ka pranuar bisedime pa kusht me Serbinë. Është e vetmja forcë e organizuar, qoftë si Lëvizje, qoftë si parti politike që i ka  thënë jashtë Kosovës, UNMIK-ut dhe EULEX-it  dhe tani po iu thotë jashtë nga Kosova  mbetjeve të Serbisë milosheviqiane e vuqiste, të cilët i riktheu  në vendin e krimit politika poltrone, e nënshtruar dhe e fishkur e të gjitha partive të tjera politike të vendit.


 


Bisedimet me Serbinë i ka kundërshtuar vetëm Vetëvendosja dhe jo partitë e opozitës, të djeshmet as këto të sotmet, të cilat në parim nuk i kundërshtojnë as sot, për shkaqe të dihen. Nuk duhet harruar edhe një fakt tjetër. Të gjitha partitë politike të Kosovës e kanë pranuar pakon e zezë të Ahtisarit. Të gjithë deputetët e Kuvendit të atëhershëm, me përjashtim të një deputeti boshnjak e kanë pranuara pakon e Ahtisarit, e cila rikthen në shumë segmente autoritetin dhe sovranitetin e Serbisë në Kosovë.


Kjo që ndodhi më 27 janar 2015 në Prishtinë, është fillimi praktik i realizimit të një pjese të Pakos së Ahtisarit. 


A duhet ta ndalim dhe a mund ta ndalim? – kjo është pyetja që kërkon përgjigje decidive.


Secili te të mendojë dhe të veprojë me kokën e vet.


Tani që Beogradi ka hyrë  në Qeverinë dhe në Kuvendin e Kosovës dhe polici-milicia mikste po e mbron këtë klasë politikanësh, gjendja në vend është përkeqësuar dhe nuk mund të përmirësohet me politikanë vasalë trup dhe shpirtshitur.


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …