leoni

Ahmet Qeriqi: Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres mirëpriten nga opinioni ynë liridashës. Lajmin e kanë bërë të ditur shumë agjenci informative të botës, 7 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres mirëpriten nga opinioni ynë liridashës. Lajmin e kanë bërë të ditur shumë agjenci informative të botës, 7 janar, 1999

Vazhdojnë me intensitet punën në Radio dhe në Agjenci. Opinioni ynë liridashës ka mirëpritur fillimin e punës të Radios dhe të Agjencisë. Këtë lajm e kanë bërë të ditur edhe agjencitë e huaja të lajmeve si dhe disa gazeta që botohen në gjuhën shqipe në Kosovë, të cilat nuk i kanë kushtuar fare publicitet.

Ditë e më tepër po e kompletojmë edhe stafin. Përveç Martin Çunit, Nezir Myrtajt, Isë Krasniqit, Berat Luzhës e Nusret Pllanës kanë filluar punën edhe Qemal Aliu nga Lipjani dhe Habib Zogaj nga fshati Turjakë. Rizah Berishën e kemi caktuar shofer dhe mirëmbajtës të pajisjeve. Brigada na ka siguruar edhe një teknik për transmetim. Është ky një ushtar i përkushtuar i fshatit  Carrallukë i quajtur, Valdet Hoti. Ai nuk ka punuar në radio mirëpo është student i elektros dhe e njeh natyrën e mjeteve dhe të pajisjeve teknike.

Tani për tani kemi siguruar kuadër të mjaftueshëm për të punuar në kushte dhe rrethana në të cilat po veprojmë.

Sot kemi pasur vështirësi me lidhjet telefonike. Nuk kemi arritur të sigurojmë të dhëna të mjaftueshme nga terreni. Megjithatë e kemi përgatitur emisionin dhe e kemi transmetuar në kohën e caktuar.

Ushtarët tanë në Rrafshnaltë kërkojnë që të zgjerohet emisioni. Ata kërkojnë po ashtu që të emetojmë edhe më shumë këngë patriotike. Mu për këtë dëshirë të tyre sot kemi emetuar disa këngë të kënduara nga Ilir Shaqiri, Arif Vladi dhe të Shkurte Fejza.

Në mbrëmje me Isë Krasniqin jemi nisur në drejtim të Grykës së Kizharekës ku për çdo ditë, me veturën e tij, ne vend të caktuar na pret Ali Mullini. Tani për tani  më duhet të udhëtoj, meqë dua të kem nën kontroll gjendjen sidomos në Krojmir, ku kam qëndruar qysh nga fillimi i luftës.

Po ashtu, pritet që këto dy tri ditë, Ramiz Qeriqi  (Luani) të niset për në Shqipëri. Do të ishte fat i madh po të sistemohej në ndonjë pikë tjetër ushtarake, meqë këtu ka bërë disa gabime dhe ka treguar një arrogancë të papranueshme për rrethanat. Është e vërtetë se ka pasur dhe ende ka konsideratë sidomos për Sylë Qeriqin dhe për mua, mirëpo kohëve të fundit në saje të presionit që po i bëhet, ka filluar ta humb durimin.

Në orët e vona të natës janë dëgjuar  krisma armësh në relacion Carralevë-Duhle…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …