Ahmet Qeriqi: Raketat armike granatojnë tendën tonë në Rreze të Baliqit. Në një çast kritik të gjithë jemi futur në bunker. Në fushëbeteja kanë rënë shumë luftëtarë (E martë 8 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Raketat armike granatojnë tendën tonë në Rreze të Baliqit. Në një çast kritik të gjithë jemi futur në bunker. Në fushëbeteja kanë rënë shumë luftëtarë (E martë 8 qershor, 1999)

Herët në mëngjes kam dalë te kodra për të vërejtur mos ka ndonjë ndryshim  në Grykën e Krojmirit. Me dulbi e shikoj vendin te Mysi dhe vërej se atje ende është tenda e vëzhgimit. Nga ky shenj mësoj se nuk ka ndodhur diçka e veçantë.

Sot, sikur nuk ndodh zakonisht, të gjithë kemi qëndruar te tenda. Rreth orës 11.30 minuta ushtari që punon në kuzhinën ushtarake  na sjellë bukën e zezë.

Në një moment kritik dëgjojmë krismat e aktivizimit të raketave dhe të gjithë me shpejtësi futemi në bunker. Martini e urdhëron edhe ushtarin që të futet sa më parë në bunker. Në moment dëgjohen dy shpërthime tejet të fuqishme nga të cilat dridhet tërë bunkeri. Në kohën kur peroni i cili na sjell bukën i fundit futet në bunker një shpërthim i fortë godet krejt afër tendës. Në vazhdim përreth vendqëndrimin tonë gadasin edhe katër raketa të tjera. Për fat që të gjithë kemi qenë tok: unë, Nusret Pllana, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Fatmir Dugolli, Valdet Hoti dhe Mentor Hoti.

-Shpëtuam edhe kësaj radhe thotë, Nusret Pllana.

-Nuk dihet, ia kthen Martini.

-Është identifikuar vendqëndrimi ynë thotë Nezir Myrtaj, derisa po dilnim nga bunkeri. Në anën e poshtme si një 50 metra shohim një tym të zi në shkurret që ishin bërë shkrumb nga shpërthimi i predhës së raketës. Pak më tutje një bari plak i fshatit Berishë, i cili për pak ka shpëtuar, por si duket lopët iu kanë plagosur. Plaku tregon se fuqia e shpërthimit e ka përplasur për tokë. Shumë degë të lisave janë këputur .

Pas pak Nusreti, Fatmiri dhe Valdeti kanë kontrolluar vendin përreth dhe kemi konstatuar se në një rreze veprimi 50 deri në 200 metra  rreth bunkerit, kanë goditur tetë raketa të forcave armike. Tanimë jemi të bindur definitivishet se në shënjestër ka qenë pikërisht tenda. Kjo na frikëson por meqë kemi shpëtuar, nuk na bën gjithaq përshtypje. Bunkeri ishte rilindja jonë e dytë. Po të kishim ndodhur si ditëve të tjera duke shëtitur përreth,  duke tubuar drunj apo duke vëzhguar terrenin, me siguri se do të kishim pësuar rëndë.

Në orën 14.30 minuta një breshëri tjetër raketore godet drejt Kleçkës.

Sërish jemi futur në bunker. Pak më vonë kemi mësuar se gjatë bombardimit të vendqëndrimin tonë një raketë e cila ka goditur te pllajat e Fshatit të ri ka lënë të vdekur tre vetë ndërsa 10 të tjerë kanë marrë lëndime nga ciflat e raketës.

Edhe pse të shqetësuar nga raketimi në tendë, programin ditor e kemi përgatitur sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Tanimë e kemi vrarë frikën. Edhe pse situata është alarmante dhe me rreziqe permanente, ne jemi tejet të mobilizuar për të qëndruar deri në fund. Sulmi i pandërprerë raketor i armikut na bën me dije se këto janë gërhamat e fundit të lubisë e cila po përpëlitet për të ngordhur.

Në kohën e caktuar ekipi që e transmeton programin në përbërje Nusret Pllana, Valdet Hoti, Martin Çuni dhe Fatmir Dugolli niset drejt vend-transmetimit në majën e Pallanikut. Atje pikërisht në orën 16.00 jehon zëri, Ju flet Kosova e Lirë dhe fillon emetimi i programit ditor. Forcat armike edhe sot i kemi sfiduar dhe iu kemi bërë me dije se ne jemi të pamposhtur dhe të patundur në qëndrimin tonë. Këmbëngulja jonë për të qëndruar po iu jep zemër ushtarëve dhe popullatës liridashëse.

Pas transmetimit të programit, Rizah Berisha na ka sjellë bukën. Ai ndërkohë ka marrë vesh se kemi shpëtuar nga sulmi dhe është gëzuar tejmase, meqë me rastin e goditjeve saktësisht e ka identifikuar vendin. Mirëpo nga ushtari që na ka sjellë bukën apo nga dikush tjetër ka mësuar se kemi shpëtuar të gjithë.

Pasi kemi ngrënë bukë së bashku me Fatmir Dugollin jemi nisur në drejtim të Grykës së Gashit e prej andej kemi depërtuar në një rrugë dhiare që çon në Divjakë. Rruga përveç se është tejet me rrezik, tash është shumë më e gjatë. Pavarësisht nga të gjitha duhet të shkoj sepse e di se të gjithë do të merakosen, pasi të marrin vesh se sërish na kanë bombarduar.

Në mbrëmje vonë kemi depërtuar në Lezhë. Vendi përreth lumit është mbushur përplot me të zhvendosur. Janë tubuar këtu dhjetë apo 2o mijë të zhvendosur nga fshatrat e rrethit të Malishevës dhe të Anadrinit. Gryka ka ndërruar pamjen. Tanimë ajo i përngjan një kampi gjigant që shtrihet në katër kilometra largësi rreth lumit prej Gurrës së Gjatë në Hyrje të Grykës së Shpëtimit e deri te zabeli i madh i fshatit Javur.

I lodhur dhe i dërrmuar nga rruga katër pesë orëshe mezi arrij në tendë. Aty i gjej të gjithë, por mësoj një lajm të hidhur. Zymryti më bën me dije se prej 3 qershorit nuk dihet gjë për të fejuarin e Rrezës, luftëtarin e mirënjohur, Milaim Beha. Pas një gjysmë ore vjen edhe Elez Durmishi, i cili duke e ditur interesimin tim, fillimisht më lajmëron se situata e përgjithshme është nën kontroll, por ndërkohë kemi pësuar humbje.

Më tre qeshor, ka rënë në fushën e nderit në Zborc, Azem Kastrati nga Nekovci, njëri ndër luftëtarë tanë  më të përkushtuar. Po ashtu ka rënë edhe ushtari tjetër  Bekim Sopi nga fshari Gjergjaj, disa të tjerë kanë marrë lëndime. Elezi më tregon edhe për rastin e Milaim Behës, i cili së bashku me katër ushtarë të tjerë derisa po ktheheshin nga Pagarusha kanë rënë në pritë të forcave serbe, në vendin e quajtur Te vreshtat e Senikut. Nga ata ka shpëtuar një ushtar i quajtur, Hafir Nga Pagarusha, i cili edhe pse i plagosur është tërhequr zhagas deri te pozicionet tona. Kanë rënë në altarin e atdheut, Kujtim Krasniqi, Ejup Kryeziu dhe Milaim Beha, trupi i të cilit ende nuk është tërhequr. Sipas konstatimit të Elezit, trupi i pajetë i Milaimit duhet të ndodhet diku në vreshtë, por tani për tani atje nuk mund të depërtohet meqë forcat armike e kanë në rreze të veprimit vendin përreth. Ai nuk di gjë për ushtar Kamenicën i pandashëm nga Milaim Beha, Slloveni.

Elezi më njofton se në fushën e nderit më 2 qershor ka rënë edhe Ibrahim Mazreku, drejtues i njësitit diversant Arbri, vëllai i komandant Vandamit.

Këto janë lajmet më  të rënda që kam marrë qysh prej fillimit të luftës. Por ende nuk dihet fundi. Derisa i dimë të rënët, duket sikur e kemi situatën nën kontroll. Çka do të ndodhte po të futeshin masakruesit te popullata civile?

Në rast të tillë emrat do të ktheheshin vetëm në shifra të tmerrshme.

Elez Durmishi, luftëtari dhe komandanti më i përkushtuar i radhëve tona më bën me dije edhe për një ngjarje tjetër.

Ai më tregon se me rastin e organizimit të depërtimit të 8o ushtarëve të plagosur, drejt Zonës Operative të Neredimës, kanë shfrytëzuar rastin dhe kanë ikur prej zonës sonë shumë  veta, me pretekst të mbartjes së të plagosurve. Me të plagosurit kanë shkuar edhe Ramë Buja e Kadri Veseli. Po ashtu Rama i ka marrë me vete edhe fëmijët e Jakup Krasniqit. Me ta ka shkuar edhe bashkëshortja e Jakupit, Sevdia. Largimi i tyre ka shkaktuar huti dhe panik në mesin e popullatës meqë është krijuar bindja se të gjithë drejtuesit e luftës kanë ikur. Edhe mungesa ime njëjavëshe është interpretuar si ikje dhe përditë të afërmit dhe bashkëfshatarët kanë ardhur në tendë për të parë se mos edhe familja ime ka ikur.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …