Ahmet Qeriqi: Retushimi i historisë kombëtare nga disa “historianë zyrtarë” të Kosovës

 

Gjatë viteve të fundit tekstet e historisë dhe të letërsisë shqiptare për shkollat fillore dhe të mesme, iu kanë nënshtruar një “rivlerësimi” të ri ideologjik nga zyrtarët e arsimit dhe nga disa individë, që drejtojnë politikën e përmbajtjeve mësimore në botimin e teksteve shkollore. Mjerisht, e tërë kjo po bëhet disi fshehtas dhe pa reagime të duhura institucionale, edhe pse Qeveria e Kosovës ka Ministrinë e Arsimit, e cila sipas të gjitha gjasave ose nuk ka qasje në riformulimin e përmbajtjeve të teksteve mësimore nga historia e letërsia, ose vetë kjo Ministri ka marrë përsipër zhvlerësimin e shumë përmbajtjeve kombëtare, mbase në akord me porositë që dalin nga plani i Ahtisarit për devalvimin e identitetit historik, kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.

Prova e parë për mënjanimin e disa përmbajtjeve kombëtare nga tekstet e historisë, apo për keqinterpretimin e tyre u bë qysh në vitet e para pas luftës sonë fitimtare dhe çlirimtare, në tekstin e Historisë për klasën e nëntë. Botues Ministria e Arsimit. Autorë: Fehmi Rexhepi dhe Isa Bicaj, rezensues: Dr. Emine Bakalli, Dr. Gazmend Riza dhe Frashër Demaj. Redaktor, Osman Zeka, kryeredaktor, Refik Bekteshi.
Nga 216 faqe sa ka ky tekst historie, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kushtohet vetëm një e katërta e një faqeje(!), me një fotografi të legjendarit, Adem Jashari, e cila është vendosur pas fotografisë së Ibrahim Ukë Rugovës. Edhe pse është prezantuar fotografia e legjendarit Adem Jashari, nuk shkruhet as një fjalë e vetme për të, madje as viti i lindjes, apo i rënies, as vendlindja e tij, që sipas metodologjisë së punës profesionale shkencore, nuk do të mund të anashkalohej në asnjë rast. Për luftën dhe rezistencën titanike të legjendarit Adem Jashari dhe të Jasharëve të Prekazit thuhet se ka qenë një masakër!!!
Për UÇK-në në këtë tekst shkollor janë shkruar vetëm tri fjali. Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe politikës pacifiste i janë kushtuar tri faqe të plota me dy fotografi. Krahasuar me prezantimin e UÇK-së, në këtë “tekst historie” LDK-ja zë 25 herë më tepër vend.
Mënyra e tillë karikaturale dhe nënçmuese e paraqitjes së luftës sonë çlirimtare, në një tekst me të cilin pretendohet të edukohen brezat, shumë prej të cilëve e kanë parë për së afërmi edhe vetë këtë luftë, është fare e papërgjegjshme, kombëtarisht e dënueshme, moralisht e turpshme, njerëzisht e papranueshme. Në tri fjalitë e shkruara në këtë tekst shkollor për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në njërën nga ato shkruan: “UÇK gjatë luftës pati rreth 1500 ushtarë që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës dhe rreth 2000 të plagosur”. Sipas këtij rezonimi cinik, të gjithë ushtarët e UÇK-së paskan ra dëshmorë, ndërsa paskan mbijetuar vetëm rreth 2000 invalidë.(!)

Dhe puna e këtyre dhe varrëmihësve të tjerë të historisë sonë kombëtare nuk përfundoi me kaq. Teksti i historisë për vitin e nëntë ishte vetëm fillimi i devalvimit të qetë dhe eleminimit nga tekstet e historisë jo vetëm të shumë personaliteteve me rëndësi kombëtare, por edhe pretendimet për “rivlerësimin” e tërë historisë sonë kombëtare, bazuar në metodën pacifiste antihistorike.
Disa muaj më parë është botuar një shkrim i Vjosa Musliut me titull ”Librat e historisë së Kosovë heqin mitet kombëtare”
Nga ky shkrim kemi shkëputur disa “vlerësime” të historianëve zyrtarë të Kosovës, të cilët kanë marrë përsipër të “varrosin” idealin kombëtar duke e paraqitur atë si të tejkaluar dhe të padobishëm për të ardhmen e “kosovarëve”.
Grupi i punës për të përgatitur librat është krijuar nga ekspertë të Institutit të Historisë, Fakultetit të Historisë dhe i shkollave të mesme e fillore. “Këta libra janë shumë më tepër objektivë dhe shumë më të mirë se sa librat e historisë së kohës suaj, ka thënë, Sabri Veseli, një mësues historie në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, duke shtuar se këto libra historie janë më të zbutur dhe nuk nxisin urrejtje” …
. Sipas rezonimit të këtij “historiani” e kaluara u dashka të zbutet edhe pse ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e vrazhdë dhe shumë antishqiptare, sidomos nga qëndrimi gjithnjë kolonialist dhe ekspansionist i Serbisë kundër Kosovës. Temat që kanë të bëjnë me luftën shqiptare-serbe, u dashka të zbutën për qëllime humaniste karshi serbëve, që duan të kthehen dhe të jetojnë në Kosovë, sepse, sipas këtij “historiani” serbët qenkan fqinj!
Librat e rinj ofrojnë më shumë trajtim të historive të kombeve të tjera, ku një kujdes i veçantë i është dhënë historisë kineze, egjiptiane, persiane dhe greke. “Profesor” Veseli ka thënë se nëse dikush nuk e di historinë e fqinjëve, nuk mund të dijë as të veten”, por nuk ka dhënë asnjë fakt se si trajtohen shqiptarët nga historianët serbë, të cilët i quan fqinj dhe për të cilët porosit që të mësohet historia e tyre madje më shumë se historia kombëtare. “Historia dhe kultura e popujve të tjerë duhet të studiohet dhe të mësohet. Është thesar” shprehet ai. Instituti i Historisë është krenar që ka zgjeruar trajtimin e qytetërimeve të Greqisë së Lashtë, “pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara më Greqinë”.
Kështu rezonon mendja e robëruar e një historiani, që i helmon me antihistori gjeneratat e reja, të cilat për herë të parë po rriten në Kosovën e lirë dhe të pavarur, pikërisht falë gjakut të derdhur për liri, falë rezistencës aktive me armë në dorë të shqiptarëve liridashës dhe jo falë skllavërisë të neveritshme pasifiste. A thua a ka turp më të madh sesa të ndodh diçka e tillë në këtë kohë, në Kosovën e çliruar nga robëria serbe?

Berat Gashi, i diplomuar në histori në Universitetin e Prishtinës, konstaton se miti i Mic Sokolit është bërë prototip për luftëtarët… E parë nga perspektiva e sotme, Mic Sokoli përfaqëson një ekzagjerim të trimërive të një luftëtari dhe është mirë që gjenerata e re të mos mbushet me këto vlera. Çuditërisht ky “historian” e quan vlerë aktin e Mic Sokolit, por mendon se trimëria e tij është ekzagjeruar. Dhe ky njeri kërkon të përjashtohet nga tekstet e historisë një “vlerë” e tillë. Ky ekzemplar i këtij soji të historianëve, e quan ekzagjerim faktin se Mic Sokolin e ka goditur predha e topit turk, duke injoruar faktin se ai kishte depërtuar deri te topi, në çastin e shpërthimit të predhës. Dhe ky merr për të vërtetë një tablo artistike romantike të vënies së gjoksit të Mic Sokolit para topit, për të nxjerrë përfundime se akti i trimërisë së Mic Sokolit qenka ekzagjeruar. Ja ç’rezomin i një mendjeje të robëruar, i cili ka studiuar historinë, madje ka kryer edhe fakultet (!) dhe nuk e njeh fare biografinë e Mic Sokolit, historinë e faktuar, por mbështetet me një tablo, apo në tekstin e një kënge patriotike, për të marrë qëndrim kundër këtij luftëtari të madh të historisë sonë kombëtare, për të cilin janë shkruar sa e sa vepra, romane, monografi etj.
Po ka edhe më keq.
Ja për shembull si shprehet, Frashër Demaj, një “historian zyrtar” i mirënjohur për këtë nismë të zezë dhe antikombëtare të devalvimit të historisë së rezistencës shqiptare:
Jashari, (është fjala për Adem Jasharin, vërejtje e autorit të këtij shkrimi), nuk është portretizuar si supernjeri, por si një nga komandantët kryesorë të UÇK-së. Ai është një simbol i sakrificës, sepse e gjithë familja dhe fëmijët e tij u masakruan”, konstaton Demaj, i cili mendon se Adem Jashari ishte vetëm njëri nga 200 e më tepër komandantët e UÇK-së, se sipas tij nuk pati tri ditë rezistencë heroike dhe se ata, (nuk përmenden serbët), i masakruan familjen. Ky farë Frashër Demaj shton se hartuesit e librave të rinj të historisë kanë marrë një vendim të qartë, me qëllim që të përjashtojnë nga tekstet e historisë fjalimet plot urrejtje dhe diskriminimin (!). Gjithashtu, ata janë përpjekur ta bëjnë historinë më të kuptueshme për mendjet e të rinjve, duke mos e ngarkuar atë me tema të luftës e të krimeve.
Duke arsyetuar këtë këndvështrim antihistorik të së kaluarës sonë “historiani” Frashër Demaj thotë se qëllimi është të çlirohemi nga konservatorët nacionalistë dhe fjalimet plot urrejtje, hartuesit e librave të rinj të historisë janë të kujdesshëm… Historia serbe i përmend shqiptarët vetëm për t’i etiketuar si elementë negativë dhe shkatërrues, por ne nuk duam të imitojmë këtë sens superioriteti dhe as nuk duam të fyejmë kombet e tjera”, ka thënë Demaj.
Ky njeri, të cilit, një klan, apo një institucion që punon nën rrogoz kundër historisë së kombit shqiptar, ia ka besuar hartimin e teksteve të reja të historisë, rezonon se qenka fyerje e popujve të tjerë nëse për shembull tregohet se si dhe në çfarë formash brutale antinjerëzore kanë vepruar serbët gjatë tërë një shekulli kundër shqiptarëve. Natyrisht se këtij njeriu Serbia nuk i ka sjellë asnjë te keqe, andaj edhe del shumë i moderuar ky “historian”, i cili shkruan histori sipas bindjeve dhe shijeve të tij, sikur të ishte historia një rrëfim, një reportazh, apo një roman autorial.
Ky njeri dhe bajraktarët e tjerë të këtij soji shumë të moderuar, nuk e kanë fare të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë, obligimit shoqëror dhe kombëtar, kur trajtojnë tema historike, të cilat para së gjithash duhet të jenë të dokumentuara dhe të ilustruara me referenca shkencore, e jo me konstatime autoriale, antihistorike.
Dhe vepron kështu ky historian, i cili është në mesin e 15 punëtorëve të Institutit të Historisë, që ka pushtuar mijëra metra katrorë hapësirë të objektit dhe që haptas kundërshton vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’ u larguar nga objekti, ku 15 historianë , shumica të këtij soji, kanë zënë vendin e mijëra studentëve.
Kështu ndodh në një vend ku nuk funksionin ligji dhe ku individi, pa asnjë përgjegjësi morale e kombëtare harton tekste shkollore për brezat, që për herë të parë në historinë e tyre shekullore jetojnë të lirë.
Këto fakte tregojnë se në Kosovë kanë mbetur jo pak mendje të robëruara dhe krejtësisht të varura nga ideologjia e dikurshme komuniste titiste, e cila tash po përkthehet si ideologji e multietnicitetit dhe fshirjes nga kujtesa të historisë kombëtare.
Kjo plehrë e së kaluarës është ngritur dhe ka “mugulluar” sidomos në periudhën 10-vjeçare të sundimit të UNMIK-ut, kur administrata ndërkombëtare përzgjodhi ish-kuadro të titizmit dhe i vendosi në krye të të gjitha institucioneve. Ajo pati kujdes të madh, që nismën për shpërfytyrimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve ta fillonte me pjesëtarë të këtij etniteti dhe ja ku ka arritur. Kur dëgjon dhe lexon konstatime të tilla nga këta shqip-historian-folës, nuk është për t’ u habitur, se gjenerata ime në tekstet e historisë që botoheshin në Beograd dhe përktheheshin në Prishtinë, mësonte se shqiptarët e kishin prejardhjen prej sllavëve. Edhe atëherë pati rivlerësues të historisë, sipas kërkesave politike të bashkim vëllazërimit të popujve.
Këta dhe “historianë” të tillë, me bindje të vonuar internacionaliste dhe anti nacionaliste, antishqiptare, nuk do të huhej të kishin vend në institucionet e Kosovës së çliruar me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të kombit. Është turp për Ministrinë e Arsimit, për të ashtuquajturin “Ent” apo institucion për botimin e teksteve shkollore, për Institutin e historisë që lejojnë mbase edhe mbështesin një devalvim të tillë të historisë kombëtare, për hir të interesave vetanake të klaneve të tilla të profiterëve. Disa prej këtyre historianëve në kohën e Titos e të Rankoviqit na mësonin historinë e Sutjeskës dhe Kozarës legjendare, na mësonin për luftën heroike të partizanëve jugosllavë, na mësonin se Azem Galica kishte qenë cub, kaçak, se Shaban Palluzha kishte qenë bandit, se Adem Demaçi ishte një armik i popullit të vet. Kështu na mësonin bajraktarët shpirtshitur te Beogradi në të kaluarën dhe kështu po bëjnë përpjekje të na mësojnë edhe këta historucë, të cilët mendojnë se historia është lënda mësimore, të cilën ata mund ta lakojnë në të gjitha rasat, sipas bindjeve të tyre të sëmura me multietnicitet dhe ahtisarizëm të neveritshëm.
Kundër amputimeve dhe falsifikimeve të përmbajtjeve të tilla do të duhej të reagonin edhe mësuesit e historisë, ata që kanë për detyrë t`i edukojnë nxënësit në frymë kombëtare, sidomos ata që kanë qenë përkrahës apo edhe pjesëmarrës të luftës për çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë. Do të duhej të reagonin edhe prindërit e nxënësve, do të duhej të reagonin edhe historianët, që i japin zjarr patriotizmit nëpër foltore, kur janë të ftuar të flasin për dëshmorët, por që kalojnë heshtas para këtyre amputimeve dhe falsifikimeve të historisë sonë kombëtare. Kjo zezonë duhet të ndërpritet, sepse nuk guxojmë të lejojmë që lënda margaritare e historisë sonë kombëtare të derdhet para turinjve të disa derrave, sepse të tillët nuk e dinë vlerën e margaritarit, të tillët janë helmuar me HIV-in e multietnicitetit dhe internacionalizmit të perënduar, andaj nuk duhet të lejojmë që fëmijët tanë të infektohen me viruse të tilla.
Në rubrikën “Analiza” mund të lexohet i plotë shkrimi i Vjosa Musliut me titull: ”Librat e historisë së Kosovë heqin mitet kombëtare”.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …